Janina apo Ioannina për fqinjët, vendi i lavdisë dhe rënies tragjike të Ali Pashë Tepelenës. Megjithëse pak ishin ata që dëgjohen të flisnin shqip në rrugë , gjurmët shqiptare janë të forta. Tërheqja më e madhe për vizitorët në Janinë është ishulli i vogël në liqenin Pamvotis. Për të mbërritur në destinacion udhëtimi me varkë zgjat rreth pesëmbëdhjetë minuta.

Me të mbërritur, përtej tërheqjes së çikërrimave dhe suvenireve nga shitësit vendas, ajo çka ishulli ofron është manastiri i Agios Panteleimon–it dhe muzeu i Ali Pashë Tepelenës, shtëpia me gurë dhe dru ku Pashai i Janinës apo siç thërritej asokohe Luani i Janinës kaloi ditët e fundit të jetës, ndërsa priste faljen prej Sulltanit. Pikërisht në shkallët e drunjta të asaj shtëpia dykatëshe buzë liqenit , në ishullin e vogël , turqit ia prenë kokën sundimtarit të Janinës, themeluesit të pashallëkut autonom dhe kryengritësi kundër Portës së Artë, kryengritje që e pagoi me kokë…

Veshje tradicionale të epokës, ku spikat një fustan origjinal i Vasiliqisë , gruas së dashur në kohët e pleqërisë së pashait, dhuruar nga të afërm të familjes Kondakçi nga fshati i Plisivitsa-s në Thesproti. Bizhuteri prej bronzi e argjendi, fustanella burrash, piktura të Pashait dhe armë që miq e aleatë ia kishin dhuruar pashait. Ishin mburrja e tij, thuhej dhe miqve në shtëpinë e tij kishte zakon t’ua tregonte. Mes kamave e shpatave dallon një dyfek i artë rreth 200 –vjeçar i pozicionuar në qendër të Muzeut.Objekti, i cili daton i stampuar në qytën e armës në vitin 1804 është në gjendje shumë të mirë dhe konsiderohet një ngjarje historike duke ditur veprimtarinë intensive dhe rëndësinë që ka figura e Ali Pashë Tepelenës për kohën kur jetoi.

Dyfeku ishte në pronësi të një familjeje nga Janina që zbriti në Athinë në vitet 30 të shekullit të kaluar. Ishin pasardhësit e kësaj familjeje, që ia dorëzuan Fotis Rapakusis, drejtor i Muzeut të Ali Pashë Tepelenës, në ishullin e Janinës. Rapakusis thotë se ishte dyfeku që e gjeti atë.

Historia e Ali Pashait ishte objekt magjepsjeje për Rapakusis-in, vllahun grek i lindur në Përmet, -magjepsje që e çoi në studime të thella lidhur me historinë e re të Greqisë.

Rapakusis një dashamirës i Shqipërisë ka ruajtur nga fëmijëria disa fjalë shqip me të cilat përshëndet vizitorët dhe herë pas here i përdor gjatë rrëfimit të historisë, thotë se ky bashkëpunim mes dy vendeve do të rritë edhe numrin e vizitorëve në të këtë muze.

“Besoj se është e rëndësishme dhe se do të ketë rezultate. Kemi elemente e detaje kulturore të përbashkëta. Më shumë na bashkojnë se sa na ndajnë kultura e historia”, thotë Rapakusis.

Në Muze, objekte të tjera më rëndësi janë edhe shpatëza prej argjendi e Apostol Varsaqit, i cili është nga Hotova e Përmetit.

Origjinalitetin e dyfekut, presidenti i Muzeut Mihail Pantulas , thotë se e siguron një pllakëz prej argjendi dhe e veshur me ar , ku është i dukshëm emri i Ali Pashait. Mbi origjinën e dhuruesve, ka vetëm hamendje.

“Janë të gjitha supozime ato çka mendohen deri tani. Ka mundësi t’ia kenë dhuruar miq të tij, kur ai mori titullin Vezir nga Sulltani dhe ndoshta miqtë ia dhuruan këtë armë për të tërhequr vëmendjen e tij. Por me siguri që ishin në gjendje shumë të mirë ekonomike sepse kjo armë është shumë e shtrenjtë për kohën. Një mundësi tjetër është që t ‘ia kenë dhuruar nga konsullata britanike që u hap atë kohë në Janinë me lejen e Ali Pashait” -zbulon Pantulas-i.

Armë që Ali Pashai thuhet nuk e përdori kurrë, sepse nuk ishte prej tij t’i besonte në beteja armëve të dhuruara.

“Ali Pashai dihet se nuk i përdorte armët që i bënin dhuratë. Dimë nga historia që këto armë që ia dhuronin miqtë i mbante të varura në dhomën e ndenjjes. Nëse do të shihni një nga pikturat e ekspozuara në muze tregon Ali Pashain dhe armët e varua në mur. Veç kësaj nga historia dimë që Ali Pashai e kishte zakon që miqve ne shtëpi u tregonte armët” -vijon Pantulas-i.

Shenim:

Nga vizita e ketij Muzeu kuptohet se shumica e objekteve jane blere nga qytetaret nenshtetas te Rep. se Shqiperise. Mjafton te shikojme qe muzeu ka edhe stoli te veshjeve te Shqiperise se Veriut per te kuptuar, se pjesa me e madhe e objekteve jane blere pas viteve  ’90  te shek. te kaluar. Ne Shqiperi nuk kemi nje Muze per Ali Pashe Tepelenen, kur ai me pak mundim krijohet, te pakten ne formen e nje Pinakoteke. Por kush mendon ne Atdheun e Ali Pashes, Ne jemi qe i lame pa atdhe figurat tona historike.