Nga Hazbi Lika

Integrimi europian si projekt politik natyrisht ka dhënë dhe vazhdon të japë impaktet e veta në sfera të rëndësishme të jetës së këtij komuniteti shumëkombësh që e popullon kontinentin e vjetër. Sfera ekonomike, ajo institucionale, vendimmarrja dhe legjitimiteti janë tema debati të përditshme dhe ka hulumtime shkencore në këto fusha pasi janë më të ndjeshme dhe të prekshme në jetën e këtij komuniteti. Studimet për këto çështje janë të matshme dhe empirikisht të provueshme. Kurse në lëmin e kulturës, këto studime janë hapa prapa dhe ato që pak janë, janë të vështira për t’u verifikuar dhe për t’u provuar si të vërteta, pasi operojnë në sferën abstrakte të mendimit dhe të perceptimit.

Nëse në aspektin ekonomik, kostoja dhe përfitimet e integrimit të Shqipërisë, maten në njëfarë mënyre dhe përkthehen në shifra, nëse sovraniteti i shtetit tonë tkurret në raport me numrin e vendimmarrjeve që iu transferohen institucioneve të BE-së, shtrohet pyetja se çfarë ndodh me ne në aspektin e identitetit tonë kombëtar? Pra, vijon pyetja se do të pasurohet më shumë në kuadrin e integrimit, identiteti ynë kulturor, apo do të kemi më shumë penalitete për shkak të integrimit? Në aspektin identitar, sa dhe si do jetë kjo kosto për shkak të këtij kooperimi politik? Po përfitimet dhe favorizimet si do t’i marrim konkretisht? A do të jetë identiteti ynë më i imunizuar nga trendet kulturore të Globalizimit duke qenë brenda BE-së apo do të bëhet lehtësisht më i prekshëm? Pra, e thënë ndryshe, kur të pyetemi nesër se a e ndiejmë veten më shumë shqiptarë dhe më pak europianë, apo më shumë europianë dhe më pak shqiptarë, kush do të jetë përgjigjja? Këto janë çështjet që ngenë aksin kryesor të kësaj kumtese dhe që premtoj t’u jap përgjigje pavarësisht se kjo përgjigje në këtë kumtesë do të ngelet brenda stadit hipotetik, dhe me siguri me studimin tim doktorial që po vazhdoj në këtë linjë do të jenë të provuara me të dhëna dhe me shifra konkrete.

* * *

Kjo kumtesë vendoset në hullinë e vet, nëse fillimisht do të përpiqemi të shpjegojmë se ç`kuptojmë me fjalën identitet, pastaj të përkufizojmë me pak fjalë identitetin europian dhe të formulojmë qasjet tona për identitetin tonë kulturor. Me pak fjalë, me identitet nënkuptojmë veçantitë apo tiparet që ka një send, të cilat nuk ndeshen si të tilla në sendet e tjera. Në gjirin e shoqërisë njerëzore çdo hallkë e saj ka identitetin e vet, i cili mund të jetë fizik, moral, kulturor, juridik e politik. Kështu për shembull, njeriu, si qenie humane dhe shoqërore, ka si tipar themelor identitetin fizik, në vështrimin antropologjik, ka veçori personale që nuk ndeshen të gjitha së bashku te qeniet e tjera: emri, mbiemri, vendlindja, datëlindja, atësia, amësia, seksi, lartësia trupore, ngjyra e lëkurës, e flokëve, e syve, defektet fizike dhe kohët e fundit shenjat e gishtërinjve ose shenjat biometrike. Në të njëjtën kohë si qenie shoqërore ka edhe identitetin e vet kulturor e qytetar, me të cilin nënkuptohen: gjuha amtare, një memorie historike e përbashkët, disa simbole me të cilët identifikohet, përkatësia etnike, deri diku qytetaria shtetërore,(pasi kjo e fundit është subjekt i ndryshimeve të shpeshta), në disa raste (por jo kurdoherë) edhe përkatësia fetare (në rastet kur manifestohen me të sentimentet etnike). Njeriu, si qenie humane ka një prirje natyrale të dyfishtë: të jetë identitet në vetvete, por në të njëjtën kohë, kërkon që të identifikohet me një entitet shoqëror sa më të madh ku jeton në një territor të kufizuar, me një memorie historike dhe mite origjine të përbashkëta, me një kulture popullore dhe publike të standardizuar, me të njëjtat ligje të pashkruara, brenda një mobilimi ekonomik dhe territor të përbashkët, me të drejta dhe detyrime ligjore të njëjta për të gjithë anëtarët e kolektivit. Me pak fjalë kjo pranohet deri diku si përkufizimi klasik për identitetin kombëtar. Kjo mënyrë perceptimi e konceptit të identitetit në përgjithësi dhe atij kombëtar në veçanti natyrshëm shtron pyetjen: a mund të flasim për identitet kulturor europian? A ka Europa sot një identitet të vetin që është i veçantë nga të tjerët? Nëse po, për çfarë lloj identiteti bëhet fjalë? Nëse jo, pse nuk ka një identitet të vetin? Pasi të trajtohet kjo çështje do hulumtohet më tej për t’i dhënë përgjigje pyetjes: po identiteti ynë kombëtar është apo nuk është europian apo është disi si lara-lara (manifeston njëhershëm tiparet e qytetërimit perëndimor edhe lindor)? Pastaj do të rrekemi për t’i dhënë përgjigje tezës se do të mbushet apo do të zbrazet përmbajtja e kuptimit të identitetit tonë brenda projektit politik europian? Në vijim vjen pyetja: a do ta dobësojmë apo do ta forcojmë identitetin tonë në kuadrin e këtij projekti? Me fjalë të thjeshta nesër si pjesë e gjithë institucioneve politike europiane a do të ndihem më shumë europian apo kështu siç jemi?

***

Korniza e debateve mbi identitetin tonë dhe raportet me atë europian

Nuk do të merrem shumë në këtë kumtesë me debatet e studiuesve seriozë që ndjekin hap pas hapi proceset e integrimit europian dhe ofrojnë këndvështrimet e tyre për të ardhmen e Europës kulturore, këtu do të mjaftohem vetëm me disa qasje të autorëve shqiptarë që kanë diskutuar çështjen e identiteti tonë kombëtar në raport me identitetin europian. Ky do të jetë materiali ku unë do të mbështes analizën dhe interpretimin tim, në favor të hipotezës që ngre dhe mbroj.

Fusha e këtij debati është e gjerë dhe ka ndezur polemika të gjata, por unë do të fokusohem vetëm në komponentin identitar të kulturës. Jo se nuk është diskutuar edhe më parë një çështje e tillë gjatë këtij tranzicioni shqiptar, por personat që e hapën këtë temë nuk kishin peshën dhe influencë dominuese në opinionin publik shqiptar. Debati ndizet kur shkrimtari i mirënjohur I. Kadare boton esenë e tij; “Identiteti Europian i Shqiptarëve” që kjo menjëherë provokoi reagimet e Akademikut Rexhep Qose në Kumtesën e tij “Realitet i Shpërfillur”. I. Kadare në veprën e tij në mënyrë kategorike pranon se Europa ka një identitet kulturor të saj dhe në themel të këtij identiteti vendos krishtërimin Perëndimor. Kadare i ka qëndruar vazhdimisht kësaj linje dhe e mbron këtë në mënyrën e tij duke e lidhur identitetin tonë me identitetin europian me anë të krishtërimit. Ismail Kadare në esenë e vet me titull “Identiteti Evropian i Shqiptarëve”, (botuar nga “Onufri”, Tiranë 2006), i vë një theks të tepruar komponentit fetar, qoftë i krishterë, qoftë mysliman, kur flet për identitetin shqiptar të shekujve të kaluar. Ai pohon se për një kohë të gjatë identiteti kombëtar shqiptar u gatua duke patur si komponent fenë e krishterë. Me këtë komponent fetar, shqiptarët sipas tij, kishin një identitet të plotë “europian”. Por më vonë, (po sipas tij) me pushtimin osman të Shqipërisë, kur feja islame e diktuar nga Perandoria e Gjysmëhënës për interesat e saj politikë zëvendësoi fenë e krishterë si përbërëse në identitetin kombëtar të shumicës së popullsisë shqiptare, identiteti i tyre “evropian” u dëmtua. Në një farë mënyre Kadare, këtu del kontradiktor me vetveten, pasi në njërën anë komponentin fetar (në këtë radhë krishtërimin) e shikon si element substancial në ngjizjen e identitetit kombëtar, kurse në anën tjetër religjionin islam e quan si deformues të gjenit që mban identitetin kulturor të kombit tonë. Ndryshe mendon Rexhep Qose. Në polemikën me Ismail Kadarenë, pikëpamjet e veta në këtë çështje i ka parashtruar në tri broshura të botuara njëra pas tjetrës – “Realiteti i shpërfillur”, “Ideologjia e shpërbërjes”, “Të vërtetat e vonuara” (Toena 2006). Edhe Rexhep Qose pranon se dikur identiteti kombëtar shqiptar ishte gatuar duke patur si komponent fenë e krishterë. Ai pranon gjithashtu, se feja islame u përqafua nga shumica e shqiptarëve gjatë shekujve të sundimit osman. Por, ndryshe nga Ismail Kadare, ai ngul këmbë se fetë, ritet, dhe sektet fetare pa dallime (islamizmi, ortodoksia, katolicizmi), ndërhynë në identitetin kombëtar të shqiptarëve duke u integruar aq thellë, sa edhe në ditët tona janë përbërës të tij. Në këtë pohim, Qose qëndron më afër logjikës së studiuesit duke iu ruajtur retorikave populiste. Edhe studiuesi Aurel Plasari në veprën e tij “Rrëmbimi i Europës” pohon se Europa ka një identitet të vetin dhe këtë e lidh me krishtërimin në përgjithësi. Për këtë Plasari shkon edhe më tej duke ju referuar poetit dhe mendimtarit Paul Valery në esenë e tij me titull: “La crise de l`esprit” të pranuar deri diku si Manifesti Europian. Sipas Valerysë: Europa ekziston aty ku zotëron ndikimi i besimit të krishterë, i botës latine dhe i letërsisë helene. Pra, sipas tij: as bota greke vetëm, as ajo latine vetëm, pa krishterimin nuk kanë mundur të konstituojnë Europën. Nuk lë pa cituar edhe poetin gjerman Gëte që mendonte se çfarë e bashkon Europën është kultura dhe çfarë e ndan, janë idetë politike. Plasari shkon deri aty sa edhe themeluesit e Europës së Bashkuar i konsideron politikanë dhe mendimtarë me orientim dhe besim të krishterë si, De Kasperin, Adenaurin, Shuman, Monnet, Speaak. Po sipas Plasarit: është fakt që shekuj me radhë kultura europiane ka qenë e frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë dhe nga shpirtërorësia e krishtere; fakti që demokracia sipas parimit bergsonian ka një thelb ungjillor dhe ka si forcë shtytëse dashurinë e tij. Po sipas Plasarit, Europa nuk është thjesht konstrukt gjeofizik, por pikësëpari është strukturë kulturore që është blatuar nga fryma ungjillore dhe e bën Europën të ketë një identitet të vetin. Plasari nuk pohon se në ç`raport është identiteti ynë kombëtar me historinë e krishtërimit dhe me islamizmin, vetëm se aprovon hipotezën e ngritur nga studiues të tjerë; “ krishtërimi është bërë në Europë si refuzim i Islamit”. Nuk mendon kështu studiuesi i historisë Kristo Frashëri. Pikë së pari, Kristo Frashëri e përjashton religjionin si element të rëndësishëm të identitetit kulturor, dhe rrallë e pranon si element të tillë, vetëm në rastet kur ky religjion reflekton nuancë etnike, si p.sh. te polakët dhe irlandezët të qenurit katolik plotëson më shumë identitetin etnik të tyre. Frashëri në polemikën e tij; “Të metat e debatit Qose- Kadare” botuar në vitin 2006 në shtypin e asaj periudhe mbron pikëpamjen se Kontinenti Evropian nuk ka një identitet kulturor dhe qytetar të përcaktuar. Ai përbëhet nga një larmi identitetesh kulturore dhe qytetare kombëtare, nga të cilët asnjëri nuk mund të përfaqësojë identitetin kulturor dhe qytetar të Kontinentit. Edhe në këtë rast, identiteti kulturor dhe qytetar i çdo kombi europian është në raport me atë që do të ishte identiteti kulturor evropian, si pjesa me të tërën. Shkurt, Europa si kontinent, nuk ka asnjë identitet të mirëfilltë kulturor e qytetar të saj. Nëse nga kjo pikëpamje duhet të flasim për një identitet të mirëfilltë kulturor e qytetar europian, -shprehet Frashëri- këtë duhet ta kërkojmë te mungesa e një identiteti të mirëfilltë europian. Edhe Jurgen Habermas në librin e tij: “Ah Europë” përkthyer nga gjermanishtja në Shkup 2011 mendon që Europa sot nuk ka një identitet të vetin, dhe i quan të kota rrekjet për të krijuar një identitet të përbashkët kulturor europian, pasi Europa as nuk e ka patur as nuk e ka një identitet të mirëfilltë të vetin, dhe kjo do të ishte një shantazh semantik për një numër popujsh që janë margjinat e qytetërimit perëndimor europian dhe shpreh besimin se Europa e Bashkuar shumë mund të krijojë një opinion të përbashkët europian dhe jo një identitet të vetëm, kjo është e pamundur pasi i mungon baza historike. F. 110.

Retorikat populiste janë të pamjaftueshme për të përcaktuar identitetin tonë kombëtar

Përveç përkufizimeve tjera që rëndom përdoren për t’i dhënë kuptimin kombit vjen edhe kuptimi në këndvështrimin sociologjik, ku kombi paraqitet si vizioni më potent i ideologjisë për manifestim të identitetit individual dhe kolektiv. Nevoja për të manifestuar identitet kolektiv dhe individual i jep identitetit konstrukt social dhe e bën veten të dallohet nga të tjerët dhe në të njëjtën kohë të identifikohet në grupime sa më të mëdha. Ky është aspekti psikologjik dhe social që kombet pavarësisht orientimeve kulturore kanë një komponent unikal në themelet e tyre. Ndonëse në disa pikëpamje duken uniform nuk është se janë të njëjtë të gjithë. A. Smith dhe E. Kondure janë përpjekur të bëjnë klasifikimin e llojeve të nacionalizmave sipas orientimeve kulturore. Që të dy bien dakord për faktin që nacionalizmi është produkt i rrethanave dhe përvojave historike të popujve të ndryshëm dhe për këtë arsye pranojnë dy lloj nacionalizmash: nacionalizmin Perëndimor dhe atë Lindor.

Dhe konkretisht dy modelet kanë emërtim gjeografik, por në fakt janë me orientim kulturor dhe mbahen brenda këtyre përkufizimeve. Modeli i kombit Perëndimor, ka një qendër territori, një komunitet politik, një sistem ligjor të përbashkët, barazinë e qytetarëve para ligjit, dhe një shoqëri civile. Përkundrejt këtij ngrihet modeli Lindor i kombit; “Ky lloj kombi niset nga konstrukti gjenologjik, është më tepër i preokupuar për përmbajtjen etnike dhe lidhjet kulturore, thekson elementet popullore dhe folklorike, kërkon pa fund rrënjët e folkut, traditat, zakonet, gjuhën, religjionin, ritualet, rizbulon intelektualet urban, si filologë, historianë, folkloristë etnografë, linguistë etj. Në një farë mënyre këtë lloj klasifikimi do ta marrim me rezervë dhe është lehtësisht i atakueshëm, pasi ndarja midis këtyre nacionalizmave nuk është si me thikë, dhe aq më tepër për faktin se entitetet etnike nuk është se linden dhe mbeten kategori statike, ato kanë përjetuar periudhat e transformimeve dhe transfuzioneve të formës dhe të përmbajtjes në kohë dhe në hapësire, kanë patur dhe kanë ciklet historike dhe ”biologjike” të zhvillimit dhe për këtë arsye ndodh që tiparet e njërit mund te shfaqen tek tjetri dhe anasjelltas, por deri diku një përkufizim i tillë qëndron dhe ia vlen të bësh qasje korrekte ndaj tyre.

Duke ju referuar përkufizimit klasik të dhënë nga dy autorët e mësipërm, nuk mund të shmanget kurioziteti se në cilin etnitet etnik qëndron nacionalizmi ynë? I përkasim nacionalizmit Perëndimor apo atij Lindor, apo një lloj entiteti që shfaq herë tiparet e njërit dhe herë tiparet e tjetrit? Në fakt ka patur dhe ka qasje ndaj këtij fenomeni dhe studiues tanë dhe të huaj kanë hartuar trajtesa me përmbajtje; “ Shqipëria midis Lindjes dhe Perëndimit” dhe a do të thotë kjo se ne si entitet i shfaqim përgjysmë këto dy lloj nacionalizmash? Apo shitemi si Perëndimor kur në fakt për arsye historike, nuk e fshehim kollaj karakterin lindor? Apo tendencat për t’u arratisur nga Lindja e quajnë të mjaftueshme për t’u vetëquajtur perëndimor? Me siguri kjo kumtesë nuk zotëron hapësirat e duhura për ta provuar plotësisht këtë (ndonëse në një studim tjetër po) pasi duhet të merren në shqyrtim rrethanat historike që kanë prodhuar këto dy lloj kombesh në dy gjysmat e Europës dhe kryesisht në Ballkanin ku ne jetojmë, dhe të mundohemi të jemi korrekt me ato realitete historike që kanë influencuar dukshëm për të determinuar natyrën e kombit tonë. Për hir të vërtetës një debat i tillë për natyrën e kombit tonë, ka fillesa të hershme në mjediset intelektuale dhe akademike shqiptare dhe ënde ngjall dhe frymëzon debat sa herë që shkenca çlirohet nga utilitarizmi dhe komercializmi politik. Këto “zënka” fillojnë dhe e gërvishtin “shkëlqimin” oriental që në periudhën e Rilindjes Kombëtare kur perandorisë otomane i kërkohej të dorëzonte Ballkanin Perëndimor. Çfarë ndodh në këtë periudhë? Fati i Shqipërisë nuk vendosej nëpër “mexhliset” turke, por në kancelaritë e Europës. Në të njëjtin kah do të jetë edhe orientimi politik i lidershipit të kohës. Dhe më tej…? Elita intelektuale dhe politike e vendit u hodh menjëherë në “sulm” për të shndërruar gjithë përmbajtjen e identitetit tonë kulturorë. Në traktatin politik dhe filozofik të Sami Frashërit “Shqipëria ç`ka qënë ç`është dhe ç`do të bëhet” hidhet baltë mbi kombin turk – “ç`janë turqit? Një komb i egër, të ardhur nga shkretëtirat e Azisë së Veriut, me nga një hosten në dorë. Këto me egërsinë e tyre zunë më të bukurat vende të botës dhe të qytetëruarat; dhe si i rropën dhe i dogjën, po i mbajnë sot në të njëjtën egërsi, nën një varfëri dhe në një tirani që tmerron gjithë botën. Në anën tjetër himnizon vlerat dhe qytetërimin europian. Ndërkohë që i njëjti autor pak më parë kishte shkruar traktate himnizuese dhe admirohej në mexhliset turke si ndër hartuesit e enciklopedisë së atij kombi. Nuk rrinte pas edhe Naimi në veprën “Historia e Skënderbeut” ku mbi kombin turk lëshon epitete denigruese. Ndërkohë edhe Çajupi jepte kushtrimin me vjershat e tij për t’u çliruar nga robëria shumë shekullore turke. Në këtë linjë pothuajse ishin gjithë Rilindasit deri te Pashko Vasa ose Vaso Pasha në thirrjen e tij të famshme: “mos ndigjoni kisha e xhamia; feja e shqiptarit asht shqiptaria”(që në fakt mbante dy emra, njërin për karrierë dhe tjetrin si Rilindas siç thotë I. Kadare në veprën “ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe” Në këtë mënyrë gjeopolitika diktonte gjeokulturën. Shpëtimi nga Lindja orientale, dhe orientim nga Perëndimi, gjente shpjegim në një metaforë gjeografike që rëndom përdorej në atë kohë; “dielli që lind andej nga perëndon”.

Në periudhën e mëvonshme pas pavarësisë në vitet ‘30, vijon ky debat por më i ekuilibruar. Sintagmat themelore- Oriental apo Oksidental?; “Shqipëria midis Lindjes dhe Perëndimit; “Shqipëria kopsht shkëmbor në Jug-Lindje të Ballkanit”, tregojnë se kushtrimet e Rilindjes filluan të zëvendësohen më sintagmën edhe- edhe. Në këtë kohë periudha ishte më e ftohtë dhe analizat filluan të thellohen në sferën kulturore. Orientimi politik në këtë periudhë ishte thellësisht perëndimor, por ndjesitë e identitetit filluan të përzihen dhe nisen të reflektojnë reminishenca kulturore. Në aspektin konstitucional- monarki kushtetuese, institucione parlamentare dhe qeverisja bëhej me parimet dhe principet kushtetuese europiane. Zogu në sjelljen politike dhe në stilet e jetës mundohej të shfaqej plotësisht perëndimor duke u munduar të fshehë çdo gjë që ishte orientale. Në periudhën e sundimit komunist ndonëse kishte ndonjë belbëzim të vogël nuk pati qasje të tilla. Pas viteve ‘90- sloganet politike “E duam Shqipërinë si Europa” u priten me brohoritje nga të gjitha qarqet intelektuale dhe akademike me përjashtim të atyre që ishin indoktrinuar nga ideologjia zyrtare e kohës. Çdo gjë lindore u bë e pështirë dhe e neveritshme. Përsëri Shqipëria hyri në një inkubator të ri ideologjik duke e shpjeguar të kaluarën e vet dhe të ardhmen vetëm si pjesë e sferës perëndimore, dhe ashtu ndihet “mirë” deri nga vitet 2000 kur historian S. Feraj dhe publicisti A. Baleta bëhen zëdhënës të një rryme nacional- islamike duke provokuar qasje të ndryshme ndaj fondamentit tonë kulturor në përgjithësi duke arritur deri te figura e Skënderbeut. Kjo siç u tha edhe më lart tërhoqi në debat edhe figura të tjera me peshë në jetën publike dhe akademike. Studiuesi Aurel Plasari i vendos shqiptarët para dilemës pa dhënë ndonjë orientim të qartë kulturor me esenë e tij “Vija e Tedostit rishfaqet nga duhet t`ia mbajnë shqiptarët”. Në këtë shkrim bën analizë historike, por pa u lodh me argumente për identitetin tonë kombëtar. Në vitin 2006 nis polemika Qose-Kadare pas botimit të esesë së I. Kadaresë; “Identiteti Europian i Shqiptarëve”. Nga periudha e Rilindjes Kombëtare e deri më sot Shqipëria përjeton një realitet të dyfishtë që në të shumtën e rasteve del si kontradiktore dhe përjashtuese të njëri-tjetrit. Gjatë Rilindjes e deri në fillimet e Luftës së Dytë Botërore, elita drejtuese e vendit u mundua dhe arriti aq sa arriti të ndërtojë perspektivën politike të kombit tonë drejt sferës perëndimore mbi një popull që kishte shekuj i akomoduar politikisht dhe kulturalisht në lindjen bizantine dhe në Orient. Në 50–vjeçarin e regjimit të E. Hoxhës përsëri elita drejtuese e vendit e mori dhunshëm kombin tonë duke u munduar të shkatërrojë atë substance kombëtare me identitet perëndimore për ta përfshirë brenda sistemit politik lindor. Në këtë kohë çdo gjë Perëndimore sipas propagandës ishte e huaj dhe e dëmshme për shëndetin e kulturës sonë kombëtare. Pas viteve ‘90 gjithë kapitali politik dhe intelektual i yni investohet në funksion të përfshirjes së Shqipërisë në Projektin e Europës së Bashkuar. Europa e Bashkuar është e vetmja alternative për vendin tonë sot dhe të shpikësh alternativë tjetër është marrëzi. Dhe nuk ka asnjë të keqe pse të gjithë fokusohemi për të ngritur perspektivën tonë brenda projektit politik europian, e keqja është se këtë perspektivë të Shqipërisë e ngremë në mënyrë retorike dhe populiste pa qasje korrekte dhe shkencore në definimin e identitetit tonë kulturor. Kjo është kontradikta e thellë që na mundon sot. Identitetin politik shtetëror tonin e njësojmë me identitetin kombëtar. Kombi dhe shteti janë të ndërthurur me njëri-tjetrin, por janë edhe identitete të ndryshme. Kombi është nocion kulturor, kurse shteti dhe qeverisjet janë nocione politike. Këto dy të fundit influencojnë për ta orientuar një komb drejt një qytetërimi apo një tjetri, por nuk është e thënë që mund të transformojnë gjithë përmbajtjen kulturore të identitetit të tij. Edhe rilindasit si romantikë frymëzuan dhe ngjallen shpresën që populli t`i kthej sytë nga Oksidenti, dhe bën mjaft punë në këtë drejtim, por kombi ynë për shumë arsye historike një pjesë të mirë të trupit dhe të shpirtit i kishte në orient. Edhe gjatë sundimit të E. Hoxhës elita drejtuese e vendit u mundua ta përfshijë vendin tonë në sferën sllavo-bizantine, por ajo çka u arrit ishte thjesht njohje dhe afrim në nivel elitash, jo pajtim kombesh. Kështu perspektiva europiane sot le të na ndihmojë ne për të plotësuar komponentin e kulturës perëndimore që na ka munguar kaq shumë, por kjo nuk do të thotë që ne plotësohemi më mirë në veten tonë duke fshirë ato elemente që me hir ose pahir janë bërë pjesë e thellë e identitetit tonë.

Identiteti ynë në marrëdhënie me të tjerët

Kur flitet për nacionalizmin bëhet fjalë për të eksploruar një nocion me të cilin identifikohet kulturalisht një komunitet njerëzor. Kombi del si entitet kulturor dhe vazhdon pafundësisht procesin e bërjes së identitetit të vet. Tendenca e natyrshme e këtyre entiteteve është e dyfishtë njëkohësisht; edhe kërkojnë të dallohen nga grupimet tjera, duke thënë se jemi ndryshe, por në anën tjetër kërkojnë të njëjtësohen me grupime sa më të mëdha. Kjo është një prirje natyrale e qenies humane që është zhvilluar vazhdimisht dhe e ka zgjeruar shoqërinë nga rrethet e ngushta fisnore deri në nivel kombesh apo qytetërimesh siç shprehet Hantingtoni. Edhe ne si komb që nuk mund të përjashtohemi nga kjo prirje e natyrshme, në një anë kërkojmë të jemi konstrukt i veçantë gjenealogjik (pellazgë, ilir, shqiptarë), kurse në anën tjetër mundohemi të shpjegojmë se i përkasim sferës së qytetërimit Perëndimor apo Lindor. Për këtë arsye mjedisi intelektual dhe politik në Shqipëri për periudhën që bëhet fjalë (nga Rilindjes e deri më sot) ushqen polemika për të definuar përmbajtjen kulturore të identitetit tonë. Përveç regjimit të periudhës së E. Hoxhës në pjesën tjetër të kohës pjesa dominuese e elitës drejtuese të vendit mundohet ta shpjegojë kuptimin e identitetit tonë brenda suazës së identitetit kulturor europian. Mirëpo sintagma; “identiteti europian i shqiptarëve” deri më tash përkthehet si njëjtësim i përkatësisë sonë me identitetin kulturor europian dhe si refuzim i identitetit lindor. Të thuash sot që shqiptarët kanë identitet europian kë bërë mire se shpall një broshurë propagandistike me stil retorik dhe utilitar, por nuk është e thënë se ke shfletuar historinë e kombit tonë me rigorozitet shkencor. Pse ngre këtë pohim? Duke iu referuar Kristo Frashërit dhe shumë studiuesve të tjerë europianë si Ernest Gellner, Jurgen Habermas, Athoni Gidnnes etj., Europa nuk ka një identitet të vetin kulturor, bile Habermas shkon deri aty sa thotë është e pamundur të bëhet. Edhe themeluesit e Europës së Bashkuar kuptuan pas disa dekadash se projekti politik i tyre, do të ishte i qëndrueshëm po të ishte nisur puna nga Europa kulturore. Kështu që kur Europa nuk ka krijuar deri më sot identitetin e vet kështu nuk kemi se si ne të mjaftohemi me veten duke u identifikuar me të. Megjithatë nuk është ky qëllimi i kësaj kumtese, qëllimi është se ne bëjmë identitetin tonë perëndimor si refuzim total të elementit lindor ku elementet e këtij qytetërimi lindor me mënyra të dhunshme ose të natyrshme kanë depërtuar në brendësi të jetës shqiptare. Megjithëse edhe perceptimi lindor ngelet mjaft i paqartë kur merren në shqyrtim këto çështje. Kërkojmë të “arratisemi” nga Lindja, por përsëri nuk shpjegojmë se për cilën Lindje bëhet fjalë; për Lindjen ish-komuniste që shtrihet kryesisht në entitetin sllavo-bizantin, apo për orientalizmin me fondament kulturor islamin, apo të dyja përnjëherësh? Të mohosh gjithçka lindore nga cilado Lindje që të vijë nuk mjafton për të përcaktuar dhe formatuar veten nga pikëpamja e identitetit. Vetja bëhet duke pohuar atë që e ke dhe të mundohesh ta transformosh në funksion të perspektives tënde kombëtare. Kështu t`i ikësh botës lindore ku dominoi sllavo-bizantizmi dhe me vonë komunizmi, përveç të tjerave do të thotë të mohosh nocionin gjeografik dhe administrativ që natyrshëm kanë influencë në bërjen e komponentit kulturor në një entitet të caktuar, kurse të braktisësh lindjen orientale në mënyrë populiste, do të thotë të shprishësh substancën që ka bërë religjionin shpirtëror për komunitetin më të madh në Shqipëri prej 4-5 shekujsh. Për arsye madhore fati i Ballkanit do të vihej nën administrimin shtetëror bizantin dhe më vonë nën sundimin otoman, dhe kjo bëri që shqiptarët gjatë periudhës së mesjetës së hershme dhe të vonë t’i largohen krishtërimit perëndimor. Studiuesi Aurel Plasari e dëshmon kështu këtë fakt; “Në viset arbër largimi prej sferës shpirtërore e mendore latine që pati zotëruar gjatë mesjetës është zhvilluar nëpërmjet dy procesesh; mbajtjes me kishën lindore dhe myslimanizmit. I gjejmë të regjistruara më së miri këto procese prej relatorëve të Papatit që popullsinë shqiptare e regjistrojnë në tre ndarje: latinë (shqiptarët katolikë), skizmatikë (shqiptarë të lidhur me kishën lindore greke dhe sllave) dhe turq (shqiptarë të myslimanizmit). Se në ç`shkallë kishin arritur këto procese fjala vjen në territoret e Kosovës mësohet nga relacioni i Shtjefen Gaspërit, i cili me 1671 numëronte në Dioqezën e Shkupit vetëm 2.169 katolikë arbër që kishin mbetur. Siç e ka llogaritur edhe S. Driza në vitet ‘70 të shekullit XVII nuk kishin mbetur as edhe 1% e popullsisë së Kosovës latinë. Plasari shkon më tej. Regjimin komunist të E. Hoxhës nuk e shikon si doktrinë politike, por si ideologji që ishte ngritur qëllimisht për të refuzuar Krishtërimin Perëndimor dhe si një mënyrë për t’i ndarë përfundimisht shqiptarët nga ky qytetërim. Dhe sipas tij, po të studiohet me kujdes gjithë sistemi ideologjik i Enver Hoxhës do të kuptohet se antieuropianizimi i tij do të gërshetohej me një kompleks latent antikristian. Plasari mundohet ta provojë këtë supozim duke cituar Hoxhën që i dukej rast i paprecedent për një diktator ateist kur në një fjalim të tij lartësonte Islamizmin dhe denigronte Krishtërimin: “E vërteta është se Kur’ani është më i plotë dhe më i pastër se Bibla e izraelite dhe Ungjilli i të krishterëve”. E pabesueshme për gojën e një marksisti-leninist, ateist- shprehet Plasari. Megjithëse është e vështirë të besohet se sistemi komunist i E. Hoxhës ka qenë projekt politik dhe ideologjik, për të ndarë përfundimisht shqiptarët nga qytetërimi perëndimor, kurse relatorët e Papës mund të kenë bërë gabime të vogla në shifra, por nuk mund të themi që nuk relatojnë fakte dhe dëshmi që njihen mirë nga studiuesit. Ne mund të mblidhemi për t`i kthyer kokëposhtë ato shifra, por nuk mund të mohojmë një të vërtetë që Perandoria e Bizantit dhe më vonë ajo otomane e vendosen nën presion elementin shqiptarë kështu që identiteti ynë gjatë asaj periudhe historike është krijuar në marrëdhënie me ta (marrëdhënia do të thotë qoftë si refuzim qoftë si pajtim me ta). Nuk është korrekte dhe shkencore (e di që nuk u shkon për shtat retorikave të romantizmit nacionalist) të pretendosh që identiteti ynë qëndron vetëm në ato elemente të kulturës sonë që kanë ngel të paprekura dhe të padeformuara nga ky presion i madh. Në sferën kulturore është e paimagjinueshme ta ruash kaq të imunizuar elementin tënd identitar, në një mjedis kaq kompleks social. Teoritë e imunitetit janë të shëndetshme për retorika populiste, por jo argument shkencor i shëndoshë. Identiteti (kolektiv dhe personal) bëhet dhe plotësohet vetëm në marrëdhënie me të tjerët, jashtë këtij konteksti nuk mbahet. Nuk i mjafton vetvetja për të mbijetuar, por vetëm duke hyrë në marrëdhënie me të tjerët, qoftë si refuzim, qoftë si pajtim.

I duhet domosdoshmërisht; – i ndryshmi; i kundërti, me të cilin do të masë, të plotësojë, dhe të krahasojë vlerat me të. Ky proces sociologjizmi është i domosdoshëm për identitet personal dhe kolektiv, kështu që është e mira edhe ne, ta shikojmë në këtë këndvështrim formimin e identitetit tonë. *Doktorant në UET në fushën e Marrëdhënieve ndërkombëtare. Pedagog në Universitetin Aleksandër Moisiu, Durrës.

Shënim: Kumtesë e mbajtur gjatë Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “Ditët e Studimeve Shqiptare”, organizuar nga UET