21 Dhjetor 2022

Një inspektor policie në Cërrik ka rënë ditën e sotme në prangat e policisë, nën akuzë për vjedhjen e 30 mijë eurove në një banesë.

Mësohet se inspektori Geraldo Nela, i ka grabitur paratë pasi kishte shkuar për kontroll në banesën në Belsh.

Policia bën me dije se arrestimi i tij është bërë pas kallëzimit nga ana e pronarit të banesës në komisariat. Pas arrestimit është bërë e mundur edhe sekuestrimi i shumës së parave të vjedhura nga ana e efektivit.

Materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Më datë 21.12.2022, nga Drejtoria Rajonale e AMP-së Elbasan-Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, u krye arrestimi në flagrancë për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal, i punonjësit të policisë:

Arrestimi i këtij shtetasi u krye në kushtet e flagrancës në kuadër të veprimeve procedurale të autorizuara nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, në lidhje me kallëzimin e shtetasit S. K., me banim në Marinzë, Belsh, i cili në kallëzimin e tij pretendonte se gjatë një kontrolli të ushtruar pranë familjarëve të tij, më datë 20.12.2022, këtij shtetasi i ishte vjedhur një shumë prej 30 mijë euro në ambjentet e jashtme të banesës në pronësi të tij.

Në lidhje me këtë ngjarje dhe si rezultat i punës hetimore të pandërprerë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i punonjësit të policisë inspektor G. N.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u bë sekuestrimi i shumës prej 30 mijë euro që ky punonjës policie ia kishte vjedhur shtetasit S. K.

Materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan për veprime të mëtejshme.

Gazeta Shqip