Ikën “ushtari” i parë i Ballukut, Lamallari, vjen Ervin Demo, Rama ndryshime me dorëheqje, qeveria shkarkime drastike në ditët në vijim, ja ministrat që i ka “paketuar”

13 Shtator 2026
Ndryshimet e paralajmëruara në qeveri dhe shkarkimi i bujshëm i Besfort Lamallarit shënojnë nisjen e një faze të re lëvizjesh politike në kabinetin e kryeministrit Edi Rama. Largimi i papritur i një prej njerëzve më të besuar të Belinda Ballukut nuk është thjesht një rotacion i zakonshëm kabineti, por një sinjal i qartë i rithemelimit të ekuilibrit të pushtetit dhe i zvogëlimit të hapësirës së ndikimit të fraksioneve të caktuara brenda mazhorancës.
Ndërkohë që Ervin Demo merr drejtimin e bashkuar të Ministrisë së Brendshme dhe Pushtetit Vendor, burimet brenda mazhorancës paralajmërojnë një valë të re shkarkimesh që pritet të përfshijnë disa nga dikasteret kyçe të qeverisë në ditët në vijim.
Prapaskenat e largimit të Lamallarit
Largimi i Besfort Lamallarit nga Ministria e Brendshme, vetëm pak muaj pas emërimit ka të bëjë me nevojën e Edi Ramës për të rivendosur kontrollin e drejtpërdrejtë mbi policinë, një sektor me të cilin kryqëzohen interesat e krimit, por që ndonjëherë edhe dikton balancat e pushtetit, sidomos në qarqet ku krimi u përdor për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve. Kryeministri njoftoi të premten largimin e Lamallarit, pa dhënë një arsye konkrete. Ministria e Brendshme iu besua Ervin Demos, deri tani ministër i Pushtetit Vendor, ndërsa dy dikasteret do të bashkohen në një strukturë të vetme.
Rama e përcolli ministrin me vlerësime për punën dhe integritetin e tij, por me shpjegimin se “nevojat e skuadrës janë mbi të gjithë individët”. Lamallari, nga ana tjetër, u largua pa asnjë notë pakënaqësie. E quajti privilegj detyrën dhe falënderoi kryeministrin për besimin: “Jam munduar të mos ju zhgënjej kurrë”, i tha ai Ramës. Por përtej ceremonisë së përcjelljes, mbetet pyetja se përse Rama e ndërroi ministrin e Brendshëm vetëm pak muaj pasi e kishte vendosur në atë post.
Besfort Lamallari hyri në qeveri si një njeri i besuar i Belinda Ballukut, bashkë me Ermal Nufin dhe Enea Karakaçin. Lamallari e ndihnoi Ballukun për fushatën në zonën e Lushnjes për zgjedhje. Edhe emërimi në Ministrinë e Brendshme erdhi në një moment politik domethënës: Rama po firmoste largimin e Ballukut nga qeveria pas vendimit të Gjykatës kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Për t’i treguar Ballukut se marrëdhënia mes tyre ishte njësoj si më parë, Rama i la asaj një pjesë të territorit politik që ajo kishte krijuar ndër vite.
Por që prej fillimit të vitit, situata për ish-zëvendëskryeministren është përkeqësuar ndjeshëm. Prokurorët e SPAK-ut kanë zbuluar disa vila të saj në jug të vendit, të cilat dyshohet se janë përfituar si shpërblim për tenderat e rrugëve dhe të Albcontrol. Ballukut i janë shtuar akuzat për korrupsion, fshehje të pasurisë dhe pastrim parash. Largimi i Lamallarit duket si një hap pas i Ramës. Një lëvizje për t’ia ngushtuar territorin politik ish-zëvendëskryeministres, por duke vepruar, si zakonisht në raste të tilla, me kujdesin që kërkon çmontimi i një ekuilibri të vjetër pa krijuar një konflikt të ri.
“Paketimet”
Përtej ndryshimit të parë në krye të Ministrisë së Brendshme, vala e lëvizjeve në qeveri duket se sapo ka nisur, pasi burimet paralajmërojnë një sërë shkarkimesh dhe riformatesh drastike për ministra të tjerë në ditët në vijim. Në listën e “paketuarve” nga kryeministri Rama janë emra si Andis Salla që u katapultua si model i suksesshëm i kryebashkiakut të përkushtuar në provincë, sidomos me fermerët.
Duket se ai nuk shkëlqeu sa duhet në krye të Ministrisë së Bujqësisë. Dhe me gjasë mund të mbahet mend vetëm për dy gjëra; premtimet boshe e të përmuajshme për hapje të programit IPARD, si dhe fotografia nga plazhi duke luajtur shah me kryebashkiakun e Librazhdit teksa vendi ishte në flakë nga zjarret.
Gjithashtu Rama pritet të largojë Petrit Malajn, ministrin e Financave i konsideruar si besniku i Belinda Ballukut. Thuhet se kryeministri mund të sjellë në këtë post Delina Ibrahimajn. Zërat janë se do të kemi një tjetër superministri, pasi Financat do të shkrihen me Ekonominë. Nga ana tjetër rezultati zgjedhor në 2025 në Tiranë duket se nuk e ndihmon dot Blendi Gonxhen për të vijuar të mbajë postin e ministrit të Turizmit dhe Kulturës.
Aq më tepër po të flasim pastaj për shifrat dhe ecurinë e këtij sezoni turistik. Bashkë me largimin e mundshëm nga qeveria, Gonxhja shihet shumë larg edhe ambicies së tij të madhe, në emër të së cilës mblodhi vota një vit më parë, për t’u bërë kryetar bashkie në Tiranë. Postin në rrezik e ka edhe zv.kryeministrja Albana Koçiu. Gjithashtu në rrezik është edhe Sofjan Jaupaj, që nuk mbajti kurrë një qëndrim për Zvërnecin, për Bënjën, djegien e pyjeve e plot krime të tjera mjedisore, me shumë mundësi nuk do të rikonfirmohet në qeveri.
Megjithatë, në këtë fazë asgjë nuk është përfundimtare. Rama është njeriu i surprizave dhe lëvizjet e tij politike shpesh kanë ardhur në momente e forma të papritura. Prandaj, edhe pse emrat e mësipërm përmenden si ministra që mund të largohen apo të përfshihen në një riformatim të qeverisë, deri në vendimin final të kryeministrit nuk mund të thuhet me siguri se kush do të qëndrojë e kush do të largohet. Një gjë duket e qartë, me ikjen e Evis Salës dhe Lamallarit, Rama ka nisur lëvizjet dhe ditët në vijim pritet të tregojnë se sa e thellë do të jetë ndërhyrja në kabinet.
