I varrosur prej dy mijë vjetësh, arkeologët zbulojnë ‘fast food-in’ antik në Pompei

Dhjetor 2020

Arkeologët në Pompei, Itali kanë zbuluar një dyqan ushqimesh dhe pijesh, gati 2 mijë vjeçar, i cili do të kishte shërbyer si një ekuivalent i lashtë romak i një ‘fast food-i’ në rrugë.

Banaku u gjet gjatë gërmimeve në Pompei, qyteti që u godit nga një shpërthim vullkanik në vitin 79 pas Krishtit dhe u ruajt nën metra të tëra hiri.

Qyteti u varros për shumë shekuj, por përfundimisht nga gërmimet u rizbulua si një vend i “ngrirë” në kohë.

Banaku i zbuluar nga arkeologët, në atë kohë njihej me emrin termopolium dhe shërbente ushqime dhe pije të nxehta. Ai u gjet në vendin e parkut arkeologjik Regio V, i cili nuk është ende i hapur për publikun.

Po ashtu u gjetën gjurmët e ushqimit gati 2,000-vjeçar në disa kavanoza të thellë, të vendosur mbi banak.

Pjesa e përparme e banakut ishte zbukuruar me afreske me ngjyra të ndezura, e disa prej të cilave përshkruanin kafshët që ishin edhe përbërësit e ushqimit.

Zbulime arkeologjike ne Pompei

Gazeta Dita