Gjykata Kushtetuese jep njoftimin e parë: Në janar nis shqyrtimi i padive, në listë zgjedhjet e 30 qershorit 2019 dhe shembja e Teatrit Kombëtar.

29 dhjetor 2020

Gjykata Kushtetuese ka njoftuar sot se duke filluar nga muaji i ardhshëm do të nisë shqyrtimi i kërkesave, disa prej të cilave presin prej vitesh.

“Pas plotësimit të Gjykatës Kushtetuese me tre anëtarë të rinj, z. Altin Binaj, z. Përparim Kalo dhe znj. Sonila Bejtja, dhe krijimit të trupës prej 7 gjyqtarësh, sot, më 29.12.2020, u zhvillua Mbledhja e Gjyqtarëve, e cila ra dakord që në ditët e para të muajit janar të vitit 2021 të mblidhet për të shqyrtuar çështjet që sipas ligjit i përkasin për kompetencë Mbledhjes së Gjyqtarëve, si dhe për të kryer veprimet e nevojshme përgatitore dhe organizative për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Që nga fundi i vitit 2017 kur pushoi së funksionuari e deri ditët e sotme numri i dosjeve që presin për t’u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese është mbi 125.

Gjykatën e presin një sërë çështjes të ‘nxehta’ që pritet të sjellin edhe reagime politike.

Zgjedhjet e 30 qershorit 2019 janë një çështje që pritet të marrë vendimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës, pasi opozita i ka cilësuar si antikushtetuese.

Një tjetër çështje e nxehtë është  prishja e Teatrit Kombëtar. Në Maj të 2019-s, Presidenti Ilir Meta depozitoi një kërkesë duke ankimuar ligjin për “Shembjen e Teatrit”.

Në Kushtetuese pritet të shqyrtohet kërkesa e kryeministrit Edi Rama për mosmarrëveshjet me Presidentin Ilir Meta për emërimin dhe shkarkimin e ministrave. Rama ka kërkuar interpretimin e pikës 1 të nenit 98 të Kushtetutës, e cila parashikon që ‘ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve’. Mosmarrëveshja u krijua pasi presidenti Ilir Meta nuk pranoi të dekretonte Gent Cakaj si ministër të Jashtëm.

Sot Bindja Demokratike e Astrit Patozit dhe Lëvizja Demokratike e Myslim Murrizit dërguan në Kushtetuese kërkesën për shpalljen antikushtetues të nenit 168 të Kodit Zgjedhor, i cili parashikon mënyrën se si ndahen mandatet.

o.j/dita