5 Janar 2024

Një shekull më parë, Las Vegasi nuk dukej aspak si versioni i tij modern. Përpara ndërtimit të Digës Hoover që filloi në 1930, qyteti amerikan i mëkatit ishte një vendbanim i vogël, gati rural.

Por gjatë ndërtimit të digës, mijëra amerikanë vërshuan në zonë në kërkim të punës, duke krijuar një mjedis të përsosur për atë që do të bëhej “Qyteti i Mëkatit” gjatë dekadave të ardhshme.

Qyteti, i populluar kryesisht nga burra që i kalonin ditët duke punuar dhe po kërkonin diçka që t’i ndihmonte të dilnin nga avulli gjatë natës, ofronte shumë mundësi biznesi. Por dikush duhej t’i rrotullonte zaret.

Emri i Benny Binionit me një histori të pasur kriminale është i lidhur me themelet e Las Vegas-it modern. Kazinoja e tij Horseshoe nuk ishte e para në Las Vegas, por u bë më e njohura dhe më e famshmja. Që nga ajo kohë familja Binion ka qenë një nga dinastitë më të mëdha amerikane të kumarit.

Tashmë biznesi i familjes drejtohet nga djali i Bennyt, Jack Bennon. Ky i fundit, me sa duket ka vendosur të investojë edhe në Shqipëri.

The Cliffs në Bulevard

Në gushtin e vitit të kaluar, Komiteti i Investimeve Strategjike miratoi dhënien e statusit “Investim/investitor strategjik me procedurë të veçantë” për projektin e investimit The Cliffs.

Ky projekt parashikon ndërtimin e një hoteli me pesë yje me përafërsisht 250 dhoma, 60 njësi të tjera akomodimi me shërbim luksoz, bare, restorante, njësi tregtare, kafene, hapësira për mbledhje dhe argëtim, SPA, pishinë dhe hapësira rekreative, kazino, si dhe vend parkim për mbi 600 makina.

Investimi për ngritjen e hotelit dhe kazinosë në Bulevardin e ri të Tiranës parashikohet të arrijë në 197 milionë dollarë dhe kompania investuese është Adriatic Resorts LLC. E themeluar në vitin 2022 me adresë zyrtare në në Cheyenne, Wymoing të Shteteve të Bashkuara, Adriatic Resorts LLC është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar.

Bordi i kompanisë përbëhet nga 5 persona, mes të cilëve dhe Jack Binion si partner aksioner, ndërsa CEO i saj është Dominic Polizzotto. Në bordin e kompanisë rezulton të jetë dhe një shqiptaro-amerikan i quajtur Engjeil Pasha, i cili mban rolin e drejtorit të komunikimit.

Dinastia Binion

Jack Binion ka një pasuri neto prej rreth 500 milionë dollarësh. Edhe pse kompania ikonë e familjes, Binion Horseshoe u mbyll në vitin 2004, aktualisht Binion ka interesa në një rrjet restorantesh dhe kazinosh në Shtetet e Bashkuara, përfshirë Wynn Resorts, ku ka mbajtur edhe postin e CEO-s.

Nisma për të investuar në Shqipëri duket projekti më i ri i Binionëve. Gjithmonë nëse emri i tij nuk po përdoret për koperturë. Një projekt që i shton Tiranës, një tjetër kazino duke e kthyer me shpejtësi në kryeqytetin ballkanik të kumarit, ku vetëm në një distancë 1 kilometër do shtrihen gati 10 kazino. Në garë për kurorën e mëkatit.

Gazeta Dita