Hulumtuesi amerikan zbulon se bot-i antikorrupsion “Diella” është thjesht një guaskë e zbrazët dixhitale

17 Gusht 2026
Nga Migena Aleksi
Një hulumtim i publikuar nga kërkuesi amerikan i sigurisë kibernetike Patrick Quirk ngre pikëpyetje të forta mbi pretendimet e qeverisë shqiptare për përdorimin e inteligjencës artificiale në luftën kundër korrupsionit.
Sipas investigimit të titulluar “Pika e verbër e Ministrit të AI: Si bot-i antikorrupsion i Shqipërisë nuk sheh dot as API-në e hapur të Kuvendit”, projekti i reklamuar me bujë si “ministri i parë virtual” nuk ka në të vërtetë asnjë motor inteligjence artificiale pas vetes.
Një “guaskë” pa IA: Akses në të dhëna masive
Hulumtuesi arriti të shkarkonte 32 gigabajt të dhëna direkt nga ndërfaqja e hapur (API) e Kuvendit të Shqipërisë. Nga kjo bazë të dhënash u nxorën të gjitha të dhënat e pagave dhe shpërblimeve të deputetëve shqiptarë përgjatë shtatë viteve të fundit.
Ndryshe nga sa është deklaruar publikisht për integrimin e teknologjisë së avancuar në monitorimin e financave publike dhe prokurimeve, analitika e kodit të faqes tregoi se sistemi është vetëm një faqe e thjeshtë përballore (Vue.js shell) pa ndonjë algoritëm ose model inteligjence artificiale në prapavijë.
Bot-i i krijuar për të zbuluar parregullsi apo korrupsion nuk ishte i aftë të lidhej ose të lexonte as të dhënat publike dhe të hapura të vetë institucioneve shtetërore shqiptare, siç është API-ja e Parlamentit.
Mospërputhja mes propagandës dhe realitetit teknologjik
Rasti i publikuar nga Quirk vë në dukje hendekun mes deklaratave politike për dixhitalizim të avancuar dhe zbatimit real teknologjik. Ndërsa qeveria ka promovuar me të madhe përdorimin e “bot-it ministër” si një mjet inovativ për rritjen e transparencës, hulumtimi i sigurisë kibernetike dëshmon se bëhet fjalë për një tjetër fasadë.
Kjo fasadë dixhitale nuk kryen asnjë analizë automatike të të dhënave financiare apo zyrtare.

