Hoti dhe Vuçiç takohen në Bruksel, çështjet që do diskutohen

 7 SHTATOR 2020

Në Bruksel zhvillohet sot një takim i nivelit të lartë në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, nga i cili Bashkimi Evropian pret edhe rezultate konkrete.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, marrin pjesë së pari në takime bilaterale me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Më pas do të zhvillohet edhe takimi trepalësh, më saktësisht takimi i Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në këtë takim, siç kanë paralajmëruar edhe burimet e BE-së, edhe vetë palët në dialog, pritet të arrihet pajtim i palëve për tri temat për të cilat kanë biseduar në takimet e mëhershme ekspertët.

Ato janë: çështja e të pagjeturve, çështja e të zhvendosurve dhe bashkëpunimi ekonomik.

Për këto tema janë diskutuar në Bruksel edhe të shtunën e të dielën, në nivel të ekspertëve.

Pas këtyre takimeve, koordinatori i Kosovës për dialogun, Skënder Hyseni, ka konfirmuar se ka pasur përafrim të qëndrimeve dhe se mund të ndodhë që të arrihet pajtim.

Por, Hyseni ka thënë se secila temë mund të jetë vëtëm pjesë e një marrëveshjeje të vetme finale, e jo marrëveshjeje individuale.

Gazeta Shqip