29 Prill 2024

Ka nisur mbledhja e komisionit Hetimor parlamentar i vjedhjes së të dhënave të sistemit TIMS në Policinë e Shtetit.

Kryetari demokrat i komisionit, Ervin Salianji, deklaroi se Institucionet e sigurisë shkelën çdo afat për informacion.

Salianji ka bërë edhe një batutë kur tha se kryeministria duket se ka qenë e zënë me mbylljen e problemeve në Itali dhe nuk ka pasur kohë të kthejë përgjigje.

“Në tejkalim të afateve, është depozituar në protokoll Autoriteti Kombëtar për Informacionin e Klasifikuar dhe AMP, nuk ka marrë mundimi të përgjigjet Kryeministria, mbase kanë pasur punë të mbyllin problemet në Itali, ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Tiranës.

Ka kthyer përgjigje edhe Shërbimi Informativ. Dokumentet me të cilat do të njihemi janë sekret hetimor ndaj do të plotësojmë formularët për tu pajisur me certifikatë sigurie.

I keqardhur që një institucion që duhet të jetë ndër meë të rëndësishme, si SHISH, përdoret dhe sjell përgjigje për tu tallur me publikun.

Ka qëllime të tjera tani mesa duket. Me nisjen e punës së këtij komisioni një drejtues institucioni është larguar, nuk do të them është bërë dëshmori i parë”, tha ai.

Mbledhja e Komisionit të “TIMS” edhe ditën e sotme shoqërohet me  debate mes kryetarit të Komisionit, Ervin Salianji dhe anëtarëve të mazhorancës.

Pas një kërkesë të anëtarit të PS, Xhemal Qefalia për të referuar shkresat, gjë që është pranuar nga Salianji.

Por për këtë nuk ka qenë dakord anëtarja tjetër e mazhorancës, Blerina Gjylameti, e cila ka kërkuar që shkresat të cilat ata i kanë përpara të mos lexohen për  të diskutohet mbi përmbajtjen.

Salianji ka kërkuar që anëtarët mazhorancës të merren vesh me njëri-tjetrin para se të kërkojnë diçka.

Pjesë nga debati:

Salianji: Unë do të vendos në dispozicion shkresat.

Gjylameti: I kemi përpara, nuk lexohen shkresat.

Salianji:  Qetësohu!

Gjylameti: Nuk lexohet shkresat, ne hymë diskutojmë mbi përmbajtjen.

Salianji: Para se të diskutohet mbi përmbajtjen merruni vesh me njëri – tjetrin.

Vazhdojnë debatet mes anëtarëve të Komisionit Hetimor për sistemin TIMS dhe kryetarit, Ervin Salianjit.

Përfaqësuesi i PS-së Toni Gogu tha se kryetari i Komisionit Hetimor për TIMS Ervin Salianji po humbet kohën me dashje, me qëllim që të mos flasin ekspertët.

Ndërsa, Salianji deklaroi se socialistët duan që të shfokusojnë vëmendjen.

Toni Gogu: Ju kryetar ngjasoni me ata personazhët qesharakë, që kur u shpik fotokopja shikonin nëse janë njësoj me origjinalen.

Iu vodhe ekspertëve dy orë kohë. Mbledhja u zgjat përtej arsyeve, vetëm për të kënaqur batutat e ditës.

Ekspertëve iu kemi marrë kohë, që të nisë plani i hetimeve.

Ekspertët e çmojnë vetë situatën dhe e dinë se çfarë duhet të hetohet.

I bie që doni të bëni shou. Hetimet i bën prokuroria. Ju doni të bëheni prokurorë e gjyqtarë, ne jemi thjesht deputetë.

Ne duam të pyesim, ju hidhni akuza.

Ervin Salianji: Ju doni të shfokusoni vëmendjen nga përgjigjet që kanë ardhur nga institucionet.