Myslim Murrizi

28  Tetor 2026

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, i ftuar në një studio televizive  ka ngritur akuza për standarde të dyfishta në veprimtarinë e SPAK-ut, duke komentuar edhe çështjen e kërkesës për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Murrizi deklaroi se, sipas tij, ka raste kur persona ndaj të cilëve janë zbuluar shuma të mëdha parash në përgjime hetohen në gjendje të lirë, edhe pse çështjet e tyre kanë kaluar për gjykim.

Ai u ndal edhe te paraqitja e kreut të SPAK-ut, Klodian Braho, në Kuvend, në kuadër të kërkesës për heqjen e imunitetit të Ballukut.

“Braho ka shkuar në Parlament kur u kërkua arrestimi i Ballukut, duke thënë se kërkohej heqja e imunitetit, dhe jam habitur, sepse një prokuror që kërkon këtë e ka kopsitur hetimin”, u shpreh Murrizi.

Më tej, ai ngriti pikëpyetje për qëndrimin e Brahos, duke thënë: “Tani, a u shit, a u drodh Braho, duhet ta shpjegojë vetë ai”.

Sipas Murrizit, kërkesa zyrtare për t’u përcjellë në Kuvend bëhet nga kreu i SPAK-ut, ndaj ai e drejtoi kritikën te mënyra se si institucioni ka vepruar në këtë rast.

“E kam parë SPAK-un të sillet me standarde të ndryshme për fenomene të njëjta. Kjo më çon ndërmend atë që thonë amerikanët: ajo që nuk blihet me lekë, blihet me më shumë lekë”, deklaroi ai.

Murrizi ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi procesin e zgjedhjes së Klodian Brahos në krye të SPAK-ut, duke pretenduar se votat e dy prej anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) duhej të ishin vënë në diskutim për shkak të konflikteve të mundshme të interesit.

“A ma mbush mendjen mua që nuk ka qenë lobim i qeverisë për të vendosur Brahon atje?”, pyeti Murrizi.