A do të kërkojë sërish SPAK heqjen e imunitetit të Ballukut?/ Gazetarja: – Akuzat ndaj saj janë të rënda, duhet të ishte nën arrest!

28 Tetor 2026
Gazetarja Klodiana Lala theksoi se ish zëvendës kryeministrja dhe ish ministrja Belinda Balluku duhet të ishte vënë nën arrest, pasi akuzat ndaj saj janë të rënda.
E ftuar në një studio televizive gazetarja u shpreh se ish vartësja e Ramës akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, dhe se ajo duhet të ishte vënë në masë sigurie si arresti në shtëpi.
Gazetarja shprehu dyshime nëse SPAK do të kërkojë sërish heqjen e imunitetit të Ballukut në Kuvend. Po ashtu, ajo theksoi se kreu i SPAK duhet të sqarojë publikisht se përse hetimet ndaj Ballukut u mbyllën pa u dhënë një masë sigurie ndaj saj.
“Kam dyshime se nuk do të ketë më kërkesë të dytë për arrestimin e zonjës Balluku. Personalisht them se ka krijuar një klimë të fortë mosbesimi ndaj institucionit të SPAK, sepse sa u përket akuzave penale, Balluku ka akuza të rënda. Në një situatë normale ajo do të duhet jo arrest në burg sepse ka fëmijë të mitur, por të paktën duhet të ishte në arrest në shtëpi.
Kërkesa e parë për heqjen e imunitetit u refuzua nga ana e maxhorancës dhe prokurorët nuk e ripërsëritën pavarësisht se ngritën akuza për korrupsion, pastrim parash, çka domethënë se tashmë që janë mbyllur hetimet prokurorët për çfarë do ta kërkojnë autorizimin. Ligji thotë se për të kërkuar autorizimin duhet të plotësohen disa kritere.
Së pari, duhet të ekzistojë rreziku se personi nën hetim rrezikon të ikë jashtë vendit, të ekzistojë rrezku se mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët. Sa i përket intimidimit të dësmitarëve, thuhet se Mirzeta Kashnica ka pretenduar se është intimiduar nga Balluku.
Kjo krijon klimë të madhe mosbesimi dhe mendoj se këtu SPAK i ka vënë njollë të madhe vetes për mënyrën se si është sjellë. Klodian Braho ka detyrimin të sqarojë publikisht arsyet pse e dërgoi për gjykim Ballukun pa patur një masë sigurie?”, theksoi gazetarja.
