Anëtari i Kryesisë së PD-së Grigels Muçollari

3 Qershor 2026

Anëtari i Kryesisë së PD-së Grigels Muçollari ka deklaruar se vetëm kryeministri Edi Rama me korrupsionin dhe arrogancën e tij mund të bashkojë në shesh kaq shumë njerëz që ndajnë një objektiv të përbashkët, largimin e qeverisë.

Muçollari theksoi se, populli që ka marrë në dorë Bulevardin ka sentimente nga më të ndryshmet, po ata janë kaq të ngjashëm në revoltën kundër qeverisjes së keqe, abuzuese, plaçkitëse, përfituese, shtypëse e shpërfillëse ndaj qytetarëve.

Sipas tij, Rama sa më shumë flet, tall e sulmon protestuesit, aq më shumë rritet pjesmarrja dhe kjo tregon që Edi Ramës i kanë shteruar të gjitha instrumentet dhe mundësitë.

“Vetëm Edi Rama me korrupsionin dhe arrogancën e tij ja ka dalë të bashkojë në shesh kaq shumë njerëz të ndarë në pikëpamje, në bindje, në simpati, në prejardhje.

Askush më parë s’ka mbledhur kaq shumë të rinj e të reja, burra e gra, familjarë e prindër të rinj, në një diversitet ngjyrash e mendimesh, por me një objektiv të përbashkët, largimin e qeverisë.

Populli që ka marrë në dorë Bulevardin ka sentimente nga më të ndryshmet, po ata janë kaq të ngjashëm në revoltën kundër qeverisjes së keqe, abuzuese, plaçkitëse, përfituese, shtypëse e shpërfillëse ndaj qytetarëve.

Sa më shumë flet, tall e sulmon protestuesit, aq më shumë rritet pjesmarrja. Kjo tregon se Edi Ramës i kanë shterruar të gjithë instrumentat e mundësitë.

Ai është i rënë, ka prekur fundin”, shkruan Muçollari.