9 Dhjetor 2023

Rama – Kjo është Republika e Shqipërisë dhe jo Republika e Prokurorëve dhe gjykatëse.

Kryeministri Edi Rama mblodhi ditën e djeshme Kongresin e PS në një situatë ku ai dhe qeveria e tij ndodhet në një momentum depresiv, pasi një pjesë e ministrave dhe deputetëve socialistë rrinë me sytë nga SPAK për shkak se janë nën hetim. Ata ndihen të terrorizuar nga fati i kolegëve.

Pjesa tjetër ndodhet në burg. Mpirja që ka mbërthyer qeverinë duket se po vë kryeministrin Rama në lëvizje duke bërë deklarata shumë të forta. Kreu i qeverisë sulmoi si asnjëherë më parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe SPAK, i cili po ia merr një nga një bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, madje po e heton dhe kryeministrin për dosjen “McGonigal”. Kryeministri gjithë këto ditë ka përsëritur se ishte PS që bëri reformën rrënjësore në gjyqësor dhe amerikanët vetëm sa e mbështetën. Ai vijoi dhe në kongres të mburret dhe të trumbetojë se pa të nuk do të kishte reformë në drejtësi.

Por e vërteta është ndryshe. Reforma në drejtësi është produkt amerikan. E ideoi, e investoi, e suportoi Amerika. Reforma u bë nga 140 deputet dhe jo nga 65 të Ramës, të cilët u vendosën të gjithë në rresht nga ish-ambasadori Donald Lu. Të gjithë e mbajnë mend se si PS tentoi ta miratonte Byronë Kombëtare të Hetimit nën varësinë e policisë me në krye Samir Tahirin që ta përdorte si “kamxhik” ndaj kundërshtarëve të tij, por SHBA e ndaloi. Po ashtu Rama kërkoi që anëtarët e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të kalonin më parë nga zyra e tij, por edhe kjo nuk u pranua nga SHBA. Me pak fjalë, pa amerikanët sot do të kishim një drejtësi politike në varësi të Ramës dhe jo një SPAK që arreston ministra, ish-ministra e ngre akuza ndaj ish-kryeministrave.

Rama sfidon amerikanët

“Nëse do të ishte një produkt eksporti i detyrueshëm, BE dhe SHBA do ta kishin eksportuar edhe në vende të tjera të rajonit. Janë dy vende të tjera të NATO-s në Ballkan është edhe një vend tjetër që nuk është i NATO-s, por pro amerikan që është Kosova. Pse se kanë importuar që e sjellin me aeroplan. Sot iu thonë merrni shembull Shqipërinë se si bëhet pastrimi i drejtësisë.

Ata që thonë të kundërtën, çdo punë të mirë që bëjmë ne thonë e solli koha, çdo gjë që nuk shkon thonë se e kemi bërë ne. Jam dakord me të dytën por me të parën jo. Këtë transformim nuk e solli koha, por PS. PS nuk e solli Amerika dhe as Europa, por populli shqiptar. Reforma që ne ndërmorëm në Drejtësi është reforma më e thellë për ndërtimin e shtetit modern Evropian të Shqiptarëve, asnjëherë askush qysh nga shpallja e Shqipërisë shtet nuk e ndërmori një reformë të tillë. Sot ka shumë përpjekje që thonë se është një produkt i imponuar nga BE dhe SHBA. Asgjë më të pavërtetë se kjo nuk ka.

Le të hidhet përpjekjet kush të dojë por reformë në drejtësi pa PS-në dhe pa fitoren tonë në 2013 nuk ka anglo-amerikan apo euro perëndimor që bënte dot në Shqipëri. Ambasada e SHBA-së dhe BE nuk erdhën në 2013. Ishin këtu dhe më para. Ju thonë merrni shembull si bëhet një organizim tërësor i drejtësisë. Nuk e solli koha këtë transformim po e solli PS. PS nuk e solli Amerika dhe as Europa por e solli populli shqiptar. S’e bëmë vetëm por jemi në gjendje ti bëjmë Shqipërisë aleatë miq dhe parterë në atë nivel që Shqipëria si ka pasur kurrë”, u shpreh kryeministri Rama.

Rama sulmon drejtësinë

Gjithashtu Rama në fjalën e tij në Kongresin e Partisë Socialiste kishte edhe një mesazh për prokurorët dhe gjykatës, që siç tha ai vërtetë janë pushtet i pavarur, por nuk janë i vetmi pushtet i pavarur. “Drejtësia evropiane është në çdo rast garantë e shtetit ligjor, garantë e lirive dhe të drejtave kushtetuese të çdo individi, për fshirë edhe gjykatësit dhe prokurorët të cilët kurrsesi nuk duhet të ndihen dhe jo më pastaj të bëhen një pushtet që ndihet i pakontrolluar dhe i pa balancuar nga asnjë mekanizëm kushtetues dhe ligjor.

Kjo është Republika e Shqipërisë dhe jo Republika e Prokurorëve dhe gjykatëse.

Janë një pushtet i pavarur nga parlamenti dhe qeveria, por nuk janë i vetmi pushtet i pavarur i kësaj republike, e cila ka edhe dy pushtete të pavarura që nuk varen nga pushteti gjyqësor në vendimmarrjen e tyre dhe as nuk japin llogari pushtetit gjyqësor për ushtrimin e kompetencave të tyre kushtetuese dhe ligjore. Kështu funksionin drejtësia evropian dhe kjo është panorama e të ardhmes që ne duhet të punojmë bashkë që drejtësia e re të bëhet një drejtësi evropiane”, tha Rama. Ai u shpreh gjithashtu se sistemi gjyqësore mund të përdorë Inteligjencën Artificiale për të bërë përshpejtimin e trajtimit të dosjeve. ‘Sistemi ynë gjyqësor ka një mentalitet aq të dobët aq të vjetër sa që edhe tenderat për shërbimet e internetit mendon se janë të pavarura nga gjithë sistemi shtetëror i të dhënave. Ndërkohë që me IA mund të bëjmë një përshpejtim të trajtimit të dosjeve. Ne do të përdorim Inteligjencën Artificiale tani menjëherë që nga janari”, tha Rama.

Gazeta Sot