Ne jemi shndërruar nga një shtet parlamentar në ekzekutiv.

Qeveria ka dërguar për diskutim në Kuvend draftin e ri për riorganizimin e shërbimit spitalor.

Lidhur me këtë projektligj, gazetari Erjon Skëndaj u shpreh se shteti pretendon të paguajmë mjekët me paratë tona, si një mënyrë që bluzat e bardha të mos largohen nga vendi.

Ai tha se thembra e Akilit nuk është ky ligj, por fakti që spitalet janë kthyer në ekonomi ndërmarrje, për të cilin u shpreh se nuk e sheh si një zgjidhje.

“Medias ky draft i është mbajtur larg dhe behët publik vetëm kur shkon në parlament. Bujë duhet të bëjë ligji që ka shkuar në kosh të plehrave dhe jo neni. Ligji i 2003 që është rregulluar, është 53 nene dhe kanë bërë një ligj të ri ku pretendojnë se do menaxhojnë spitalin duke reduktuar në 31 nene.

Në këtë mënyrë ne jemi shndërruar nga një shtet parlamentar në ekzekutiv sepse këto nene do të kërkojnë shpjegim të akteve duke prevaluar mbi ligjin. Rrimë tek neni ku thuhet se spitali publik i krijon hapësirë mjekëve për sjelljen e pacientëve me shërbim privat, por se si, qysh, si do paguhet, me referim pa referim, gjithçka zero e dhënë.

Që duhet që mjekët të mbahen në QSUT, të sigurojnë një rrogë të dytë në sajë të punës së tyre jashtë orarit por pa cënuar të nesërmen, absolutisht bota e ka, por ti thuash qytetarit do vish pasdite por si privat kjo s’ka sens. Që shteti të paguajë mjekët me xhepat tona nuk shkon, ky është një ligj i bërë në panik për të mbajtur mjekët që të mos ikin jashtë shtetit”, tha Skëndaj.