Gazeta serbe zbulon “planin e SHBA” për ndarjen e territorit të Kosovës. –

12 shkurt 2019

Në një artikull të botuar sot, e përditshmja serbe “Danas” që është rreshtuar pranë qeverisë së Aleksandër Vuçic, ka zbuluar sipas saj planin amerikan për ndarjen e veriut të Kosovës.

“Danas” shkruan se afati i fundit për arritjen e marrëveshjes për Kosovën është shtyrë deri në fund të vitit. Kjo pasi gazeta thotë se Shtetet e Bashkuara tani janë të preokupuara me Venezuelën, kurse Bashkimi Evropian me zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Duke ju referuar burimeve të  saj diplomatike perëndimore, të cilët komentojnë fazën aktuale rreth çështjes së Kosovës, gazeta shkruan se “Shtetet e Bashkuara janë për një korrigjim minimal të kufijve dhe shkëmbim territoresh, që do të nënkuptonte se Serbia do të merrte Leposaviqin, respektivisht ultësirën e Kopaonikut, kurse Kosova do të merrte fshatrat në komunën e Preshevës, në perëndim të autostradës (Korridorit 10), dhe është e mundur që Kosovës t’i takojë edhe Tërnoci i Madh në Komunën e Bujanocit”.

“Burimet tona thonë se Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë idenë që i gjithë veriu i Kosovës t’i bashkëngjitet Serbisë, e kjo veçanërisht vlen për Mitrovicën e Veriut, dhe se formimi i Asociacionit të Komunave me Serbe është ende në pritje”, raporton “Danas”.

l.h/ Gazeta: dita