3 Qershor 2026

Në mbledhjen e sotme qeveria ka miratuan ndërtimin e centralit fotovoltaik për prodhimin e energjisë elektrike në Fushë Çidhën të Bashkisë së Dibrës. Leja është dhënë për shoqërinë “Greencells renewables Albania” e cila do të ngrejë impiante me fuqi të instaluar 96 megavat brenda tridhjetë e gjashtë muajve. Ndër kushtet e përcaktuara për kompaninë është edhe ai standard për kontrata të tilla që të japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare.

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË ZONËN KADASTRALE 3169, NJËSIA ADMINISTRATIVE FUSHË-ÇIDHEN DHE NË ZONËN KADASTRALE 2113, NJËSIA ADMINISTRATIVE KASTRIOT, BASHKIA DIBËR, NGA SHOQËRIA “GREENCELLS RENEWABLES ALBANIA”, SH.P.K.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, datë 30.4.2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën kadastrale 3169, njësia administrative Fushë- Çidhen, dhe në zonën kadastrale 2113, njësia administrative Kastriot, Bashkia Dibër, nga shoqëria “GREENCELLS RENEWABLES ALBANIA”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:

a) Emri i aplikuesit: Shoqëria“GREENCELLS RENEWABLES ALBANIA”, sh.p.k.;
b) Numri i identifikimit personal të zyrës së taksave NIPT/NUIS: M31812044A;
c) Tipi i centralit: Fotovoltaik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 96 MË;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
dh)Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: në zonën kadastrale 3169, njësia administrative Fushë-Çidhen, dhe në zonën kadastrale 2113, njësia administrative Kastriot, Bashkia Dibër;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës dhe planvendosja, sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
g) Shoqëria “GREENCELLS RENEWABLES ALBANIA”, sh.p.k., ka detyrimin që:

i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore informacion mbi ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e përmendura në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës, ndërmjet shoqërisë “GREENCELLS RENEWABLES ALBANIA”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “GREENCELLS RENEWABLES ALBANIA”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.