Erion Veliaj

29 Prill 2024

Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi sot se Bashkia e Tiranës është treguar gjithmonë bashkëpunuese me SPAK-un, qoftë për t’i ndihmuar me mbarëvajtjen e punës së tyre të përditshme, qoftë për çështje të dokumentacionit të nevojshëm për hetimet.

Në një intervistë në Report TV, Veliaj tha se në ditët në vijim do të dorëzojë vetë në SPAK dosjen me informacione për të gjitha çështjet që lakohen në media.

Pjesë nga intervista:

“Ne jemi treguar bashkëpunues me SPAK-un jo vetëm për çështje të dokumentacionit dhe mbarëvajtjes së hetimeve, por e kemi dëshmuar edhe me VKB, duke dhënë edhe prona të bashkisë për mbarëvajtjen e punës së SPAK-ut.

Ju kujtoj se ish-ndërtesa e Ujësjellësit iu dhurua SPAK-ut nga Bashkia e Tiranës, që kolegët e BKH-së të punojnë në kushte njerëzore sepse s’mund të kesh një institucion, i cili duhet të përfaqësojë drejtësinë, që të ulen si në shkollat e Tiranës që gjeta unë para disa vitesh, me 5 veta në një zyrë dhe dosjet kapicë.

Edhe drejtorët që sot duhet të japin shpjegime para SPAK-ut, në 1 mijë punë të mira që kanë bërë, qoftë edhe për një punë që ka nevojë të sqarohet, kanë qenë bashkëpunues. Unë si drejtues i bashkisë, po e po.

Në dallim nga disa të tjerë që e kanë bashkëpunimin vetëm në nivel narrative ose dakordësie, – ose fjala vjen, një deputet, çfarë do bashkëpunojë me SPAK-un përveçse duke ngritur dorën kur kalon buxheti dhe ligjet mbështetëse – në Bashkinë e Tiranës kemi shkuar edhe përtej kësaj, kemi shkuar në dhënie asetesh që kolegët të punojnë në kushte komode.

Ju kujtoj se në Bashkinë e Tiranës ka qindra procedura, për mbi 11.700 vetë staf, ndaj në këtë sens, gjithmonë mund të ketë nevojë për bashkëpunim dhe gjithmonë do të ketë bashkëpunim.

Zoti Dumani kishte të drejtë kur tha se institucionet duhet të jenë më pro aktive. Për të sqaruar çështjen e inceneratorëve, apo për të shpjeguar pse disa media dhe disa gazetarë të influencuar nga politika ngatërrojnë letrën e Bankës Botërore me propozimin e pakërkuar, unë nuk do pres që SPAK-u dhe institucionet e tjera, le të themi, me procedurat dhe vonesat e postës, ta bëjnë gjithë këtë komunikim Do shkoj vetë, do bëj një kronologji të gjithë këtyre situatave. Mendoj se qasja proaktive na ndihmon të dyja palëve.

Besoj, në ditët e ardhshme do të kemi një dakordësi për orarin, unë i kam bërë gati dosjet, gjithë kronologjinë, edhe të mënyrës sesi ne, si një nga 5 (fillimisht) dhe tani 6 bashkitë, jemi klientë të inceneratorit, por edhe ku është diferenca mes letrës së Bankës Botërore dhe asaj që është një ofertë e pa kërkuar. Disa mundohen t’i ngatërrojnë të dyja, por është e pa ngatërrueshme, është shumë e qartë. Banka Botërore është aty, dëshmitarët janë aty.

Do shkoj vetë, nuk do bëj atë që bëjnë disa skile në politikë, ku njëri fshihet pas konventës, tjetri fshihet pas ballkonit te shkolla “Kosova”, njëri është me diarre, tjetri thotë është pa qejf. Janë i njëjti stan, i njëjti bulmet. “Stan me lepuj” se nuk kanë minimumin e dinjitetit.

Janë këta që gëzohen kur shahet Shqipëria dhe Tirana, e ndërkohë s’kanë pikën e burrnisë. Inskenojnë edhe drama të tipit “Përputhen” në familjen e tyre, me demek. E bëjnë për të hequr vëmendjen nga dramat reale, që i kanë shkaktuar këtij vendi.

Kjo është diferencë e madhe mes tyre dhe nesh që nuk kemi asnjë problem me integritetin, kemi dëshirën, pasionin e ndryshimit, kemi lënë gjurmën tonë në këtë qytet dhe në këtë vend”

Gazeta Dita