Ekspertët: – Vaksina kineze është një bast
Epidemiologu Ilir Alimehmeti mendon se aplikimi i vaksinës kineze është një bast që po bëhet me shëndetin e shqiptarëve pasi vaksina akoma nuk i ka kaluar testet e plota klinike për efektshmërinë e saj. “CoronaVac, e prodhuar nga Sinovac Biotech, është vaksinë me virus të inaktivizuar. Duhet thënë që është një teknologji shumë e vjetër dhe është metoda klasike e prodhimit të vaksinave përpara zhvillimit të mjekësisë moderne. Edhe sot e kësaj dite prodhohen disa vaksina me virus të inaktivizuar, por me kusht që asnjë prej këtyre vaksinave nuk është për viruse me fuqi vdekjeprurëse.

Pse ndodh kjo? Sepse gjatë procesit teknologjik të prodhimit të vaksinës, inaktivizimi kimik ose me rrezatim i virusit, mund të mos kryhet si duhet në disa prej loteve të vaksinës. Kjo do të sillte si rrjedhojë injektimin e virusit funksional në trupin e njeriut e duke shkaktuar për pasojë pikërisht sëmundjen që duhet të parandalojë. Për këtë arsye, vaksinat me virus të inaktivizuar, nuk përdoren asnjëherë për sëmundje vdekjeprurëse. Si shembull, kjo teknikë përdoret për disa viruse të gripit sezonal, por e lejuar nga fakti që gripi nuk është aq vdekjeprurës sa COVID-19.

Për sa u përket studimeve klinike, CoronaVac ka vetëm një studim të publikuar mbi fazën e parë dhe të dytë klinike. Ky studim është publikuar më 17 nëntor 2020 në “The Lancet” dhe është kryer mbi persona të grupmoshës 18-59 vjeç. Pra, praktikisht nuk kemi asnjë të dhënë mbi sigurinë për moshat 60 vjeç e më lart. Studimet e fazave të treta klinike nuk janë kryer nga vetë Sinovac Biotech, por janë kryer nga shtete të ndryshme në mënyrë të pavarur. Deri më sot nuk ka asnjë publikim të të dhënave të këtyre studimeve. Të vetmet të dhëna janë disa deklarata mediatike në këto shtete, që flasin vetëm për efektivitetin dhe asgjë për sigurinë”, – shprehet Alimehmeti për mediat. Sipas tij mungojnë të dhëna të rëndësishme, si: siguria e vaksinës, intervali i besueshmërisë së efektivitetit, si edhe niveli i efikasitetit në grupmoshat e ndryshme.

“Të dhënat e fazës së tretë klinike të vaksinës CoronaVac, janë praktikisht joekzistuese në literaturën shkencore, ndryshe nga vaksinat e tjera që i kanë publikuar të gjitha gjetjet e fazave të treta klinike, përfshirë këtu vaksinën Sputnik V që i publikoi të dhënat më 2 shkurt 2021”, thekson ai. Ai thotë se OBSH ka kërkuar që efektshmëria të jetë mbi 50 për qind për vaksinat, si rrjedhojë me efektshmërinë në nivelin 50.4% që ka kjo vaksinë ndodhet në buzë të greminës. I shtojmë kësaj dhe faktin që ajo nuk është miratuar nga EMA (European Medicines Agency) apo FDA (Food and Drug Administration). “Si rrjedhojë, de facto, aplikimi i kësaj vaksine në nivel popullate është një bast që, nëse rezulton i suksesshëm fitojmë të gjithë, por nëse rezulton i pasuksesshëm nuk dihet kush i mban përgjegjësitë”, thekson mjeku.

Nga ana tjetër, ka dyshime të forta që Rama po fut në vend një vaksinë të pacertifikuar për efekt të fushatës politike. Eksperti i shëndetit publik Erion Dasho, në një intervistë për RTV Ora, u shpreh se pandemia po përdoret politikisht nga mazhoranca në Tiranë që ndryshe nga shtete të tjera e bën “hapur dhe trashë”. “Nuk mund t’i shmangesh dot politizimit, por ajo që duhet të vëmë re në Shqipëri është se, fushata e vaksinimit masiv përkoi me fushatën elektorale. Është e pamundur që ta quash një rastësi. Duket qartazi një përpjekje për të shfrytëzuar fushatën e vaksinimit në funksion të fushatës elektorale dhe asaj çfarë po ndodh në politikën shqiptare”, – tha ai.

Marre me shkurtime nga Gazeta Mapo