12 Dhjetor 2023

Nga Rigels  Seliman

Ofensiva e Prokurorisë Speciale (SPAK), e cila i ka çuar në burg gjysmën e bashkëpunëtorëve të tij në nivel lokal dhe qendror për shkak se janë përfshirë në afera korruptive, duket se po shtyn kryeministrin Edi Rama që të mendojë për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kryeministri Rama ditën e djeshme ka qenë i pranishëm dje në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Por mësohet se kur hyri në sallën e mbledhjeve të grupit parlamentar, ai gjeti brenda një grusht deputetësh. Kaq ka mjaftuar që kryeministri të lëshojë një lumë kritikash ndaj njerëzve të tij, të cilëve ju shfaqi me tone të larta pakënaqësinë që ka për seriozitetin që tregojnë në punën e Parlamentit, ndërsa ka shpalosur strategjinë si do veprojë pasi t’i futen ministrat në burg dhe t’i bjerë qeveria.

Për kryetarin e PS-së, është e papranueshme që deputetët të  vijnë në mbledhje pas tij, të largohen nga Kuvendi në momentet e votimit, apo të mos jenë seriozë e kërkues në mbledhje e komisioneve parlamentare. Mësohet se vërejtje Edi Rama kishte për parlamentarët e tij edhe për mënyrën se si reagojnë ndaj institucioneve që raportojnë në Kuvend, përfshirë edhe ato të drejtësisë, të cilave ju jepen vetëm privilegje, por nuk ju kërkohet llogari për punën. Në mbledhjen me dyer të mbyllura, mësohet se kryeministri ju ka kërkuar deputetëve të reflektojnë, teksa i ka paralajmëruar se do të shkojnë në “zgjedhje të parakohshme”, në rast se kjo situatë vijon kështu. “A doni t’ju çoj në zgjedhje të parakohshme që silleni kështu,” raportohet se u ka thënë Rama në formë presioni.

Po ashtu, mësohet se Rama është treguar i ashpër me ligjvënësit socialistë që mungojnë në Kuvend, duke thënë se ka vështirësi në mbledhjen e numrave. Nga ana tjetër, burimet nga mbledhja thonë se Rama konfirmoi se do të vazhdojë “goditjet” ndaj opozitës parlamentare. Në këtë kontekst Rama tha se do miratohen edhe ndryshimet në rregullore, që përjashtojnë masa ekstreme për deputetët, duke përfshirë edhe përjashtimin me 60 ditë.

Po ashtu, në mbledhje është folur edhe për paktin Rama-Meloni, ku mësohet se marrëveshja për emigrantët me Italinë do të miratohet në seancën plenare të kësaj jave, më 14 dhjetor. Megjithatë mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë më konkretisht, pasi kryeministri Edi Rama është njeri që i pëlqen surprizat dhe se në çdo kohë ai bën presione ndaj të vetëve e madje diversione, për t’i mbajtur të karikuar nën moton: “Sikur zgjedhjet të mbahen nesër”, edhe pse lart e poshtë ka zërë se kryesocialisti po insiston të shkojë në zgjedhje të parakohshme, për t’u pastruar nga mëkatet e korrupsionit, që siç thotë shefi i qeverisë “e kanë bërë ata që kanë ngrënë dardha pas shpinës së tij dhe jo ai”.

Zërat për zgjedhje të parakohshme

Por ndërkohë ditët e fundit ka pasur zëra se Rama po mendon të çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Një natë para Kongresit të Partisë Socialiste, i cili u mbajt të premte që shkoi, kryeministri Edi Rama po shqyrton mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, u shpreh analistit Artur Zheji në një studio televizive. “Dy grupime të njerëzve me influencë pranë kreut të qeverisë dhe që kanë vëmendjen e tij, i kanë vendosur në tryezë dy mundësi këtë mbrëmje”, u shpreh analisti. Duke marrë parasysh se SPAK ka në shënjestër ministra të tjerë të kabinetit qeveritar, grupimi i parë i ka sugjeruar Ramës zgjedhje të parakohshme, që kështu t’ia kalojë dardhat ‘e prishura’ drejtësisë. Ndërsa grupimi tjetër, sipas Zhejit, ka paraqitur risqet e këtij propozimi. “Sipas informacionit që unë kam, ndoshta deri nga mesnata ose deri në orët e para të mëngjesit, dy korrente po përplasen underground në Partinë Socialiste.

Janë dy grupime të njerëzve me influencë pranë zotit Rama dhe kanë vëmendjen e tij. Një grupim i thotë se duhet të bëhen zgjedhje të parakohshme, sepse kemi disa indicie për 1, 2, 3, 4, 5… ministra të tjerë, të cilët nuk janë thjesht në shënjestrën e SPAK-ut, por në dosjet e SPAK-ut. Mund të qëllojë që pas këtij kongresi të zakonshëm, në zhvillimin e zakonshëm të mandatit, të këputen disa ministra të tjerë.

Sigurisht që do t’i zëvendësojë ministri prapë. Po të bësh një krahasim si filloi mandati, pastaj u këputën dardhat e kumbullat. Prandaj këta thonë ta shkundim këtë pemë, të bëjmë një kongres reformator, për këta që ka indicie t’i lëmë të merren me drejtësinë, mos të bëjmë çështjen e PS-së, çështjen e tyre. Dhe ka një sens dhe të futemi në zgjedhje, sepse opozita është copë copë dhe kjo metafora e kumbullave dhe dardhave.

Dhe kështu, nga tre, marrim katër vite të tjera. Grupi tjetër thotë që ka një problem.

Ndërkohë që ne futemi në zgjedhje, prapë SPAK-u i këput këta dhe ne hyjmë më të dobët dhe ndoshta krijojmë klimën që opozita të organizohet më mirë, të bëjë kompromis të shpejtë dhe të dalë si një forcë më e unifikuar”, deklaroi Zheji, i cili shtoi se: “Unë di që Rama është në këtë dilemë. Sipas analizës së analisti Zheji, nëse mbahen zgjedhjet e parakohshme, do të ishte një tronditje për politikën, shkaktuar nga drejtësia.

Gazeta Sot