8 Maji 2024

Kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëherë pas njoftimit të deputetit Gazment Bardhi se është thirrur në SPAK për të dhënë sqarime të mëtejshme lidhur me kallëzimin e tij ndaj Olsi Ramës që e akuzon si të përfshirë në laboratorin e kokainës në Xibrakë.

Në një postim në Tëitter, Rama akuzon Bardhin për shpifje, dhe se e ka shmangur qëllimisht në dokumentet e dorëzuara prej tij në SPAK, për t’i shpëtuar marrjes si i pandehur për kallëzim të rremë.

Rama thotë se në këtë çështje nuk ka rrugë të mesme tashmë, dhe se ose vëllait të tij i hiqet liria si trafikant droge, ose “gojës” së Bardhit i vendoset “proteza e ligjit”.

Reagimi i Ramës:

Llafet i merr era, ndërsa drejtësia vepron vetëm me ligje e me prova, prandaj tani pas llafeve të mëdha edhe një detaj i vogël mungon dhe pastaj jemi krejt në rregull!

Pra mungon konfirmimi në dëshminë ligjore para SPAK-ut nga vetë B-ja i vogël me gojën e madhe, se kur ka shkruar “Informacion” në fakt kallzuesi i rremë nuk ka dashur t’ia hedhë me procedurë rrezikut që vjen nga marrja si i pandehur për kallzim të rremë, po thjesht ka pasur një moment lajthitje profesionale.

Në rast se plotësohet kjo mungesë domethënëse për fatin e të vërtetës, atëherë SPAK-u ka të gjithë mundësinë ta ndajë të vërtetën nga shpifja dhe viktimën nga fajtori. Pra o B-ja e vogël ka zbuluar një trafikant droge në rrethin tim të ngushtë familjar dhe trafikantit duhet t’i hiqet menjëherë liria, o gojës së madhe i duhet vënë proteza e ligjit!

Ka vetëm një të vërtetë në këtë mes dhe s’ka asnjë rrugë të mesme.

Gazeta Dita