8 Maji 2024

Deputeti demokrat Gazment Bardhi thotë se është thirrur në SPAK për të dhënë sqarime të mëtejshme lidhur me denoncimin ndaj vëllait të Edi Ramës, Olsit, si i përfshirë në laboratorin e kokainës në Xibrakë.

Bardhi thotë se kallëzimi prej tij është bërë më herët në SPAK, por vet SPAK e përgënjeshtroi duke thënë se Gazmend Bardhi nuk ka bërë kallzim në SPAK, por i ka kërkuar SPAK të nisë hetime të thelluara.

Më tej Bardhi thotë se është njoftuar zyrtarisht nga SPAK se ka rifilluar hetimet për rolin e Olsi Ramës në kokainën e Xibrakës, por e ka lënë të paqartë nëse ka nisur akuza nga kallëzimi i Olsi Ramës kundër Bardhit apo kryesisht.

Deklarata e plotë e Bardhit:

E kam dorëzuar apo nuk e kam dorëzuar kallëzimin në SPAK kundër Ols Ramës? Këtë lojë u përpoq të bënte Edi Rama dhe veglat e tij politike dhe mediatike për të sfumuar thelbin e çështjes: se vëllai i kryeministrit kishte përdorur disa herë të njëjtën makinë me kartelin e drogës së Xibrakës, gjatë kohës së ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë.

Sigurisht, që Edi Rama gënjeu, kur luajti lojën e mohimit të së vërtetës sime, se kallëzimi ishte dorëzuar në SPAK. Kur debatuam për këtë çështje i premtova Edi Ramës se do ta kuptonte shumë shpejt, nëse e kisha bërë apo jo kallëzimin. Në politikë jam futur për të shërbyer me integritet, duke refuzuar makinacionet e ulëta të sulmit të kundërshtarit politik përmes shpifjes apo baltosjes së familjes. Nuk e kam shkelur këtë parim as në rastin e Olsi Ramës, dosja e të cilit, deri dje, rrinte e fshehur, në sirtarët e prokurorisë.

Sot është dita që t’ju provoj se unë as gënjej, as shpif, as baltos dhe ndryshe nga Edi Rama, i mbaj premtimet e mia.

Pas kërkesës sime në SPAK për rinisjen e hetimeve të procedimit penal nr. 335/1 – viti 2016, që Edi Rama do të donte shumë në varrosej, sot jam njoftuar nga SPAK se çështja është riaktivizuar.

SPAK më ka njoftuar zyrtarisht për rifillimim e hetimeve të pezulluara për përfshirjen e Olsit Ramës në dosjen e trafikimit të kokainës në Xibrakë. Procedimi i dikurshëm penal me nr. 335/1-2016, është regjistruar si procedimi nr. 88 – viti 2024. Për këtë çështje jam ftuar për të dhënë sqarime të metejshme në SPAK.

Asnjë propagandë e Edi Ramës, veglave të tij apo mediave në shërbimin e tij nuk e fshehin dot të vërtetën dhe as makinën e kartelit të drogës me targë AA 653 DM, e përdorur nga Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama!

Gazeta Dita