26 Dhjetor 2023

“… Ai zbuloi disa muzikant shqiptar ndër shekujt që bota nuk i njihte, iu dha emrin shqiptar dhe në vend që të merrte një shpërblim, mori një gjobë, sepse brenda saj kishte muzikë fetare”.

Gjatë rrëfimit në emisionin “Pas Mesnate”, Mirilinda Sokoli, vajza e etnomuzikologut të njohur, Ramadan Sokoli, ka zbuluar emisionet e fshehta të atit. Përveç muzikës, ai adhuronte pikturën dhe realizonte shumë vizatime.

“Vizatonte shumë bukur. Kishte të dhëna për pikturë. Ishte pasioni i tij kjo gjë, që nuk e kishte ushtruar në mënyrë artistike, e bënte për vete dhe një nga vizatimet më të bukura ishte Pentagrami lart dhe ai i vogël që mundohet ta arrijë, pra muzika ishte ëndrra e tij. Ai i ka rënë thuajse çdo instrumenti muzikor, kitarës shumë bukur, pianos, pak violinës, flautit se ishte një nga pasionet e tij”.

Sakaq, ajo u ndal dhe te ekspeditat që Sokoli ka bërë me albanologë të huaj, si gjermanë dhe rumunë

“Ai ka bërë dy ekspedita, ekspeditën gjermano-lindore me gjermano-lindorët dhe shqiptarët, edhe ekspeditën me rumunët. Në të dyja, ekspeditat, të cilat kanë zgjatur me muaj të tërë, ka pasur fatin që të jetë me artistë shumë të njohur në atë kohë, me albanologë shumë të njohur, gjermanë dhe rumunë. Këto ekspedita kanë qene shkolle jete për mua, sepse përveç se ka mbledhur folklor të pafund, i cili ekzistonte në fonotekën e institutit të folklorit dhe qendrimi fshat më fshat, kontakti me njerëzit, mbledhja e këtyre riteve që kanë në këto zona, ka qene me të vërtetë një emocion”.

Ramadan Sokoli

Mirilinda Sokoli, vajza e etnomuzikologut të njohur, Ramadan Sokoli ka bërë një rrëfim për të atin në emisionin “Pas Mesnate”. Ajo ka folur për marrëdhënien me babain dhe natyrën e tij optimiste, i cili mundohej të mos ia tregonte vajzave të tij asnjëherë trishtimin.

“Unë kam pasur një marrëdhënie shumë të veçantë me babain. Ai si mua dhe motrën nuk na ndërthurte kurrë me pjesë të trishtuara të jetës së tij, përpiqej të na i evitonte gjithmonë këto gjëra, na tregonte gjithmonë anën e bukur të medaljes. Natyrisht, që ne diçka ndjenim, sepse gradualisht njeriu fillon rritet, piqet dhe dëgjon dhe kupton, edhe kur s’të tregohet, por babi ka qene gjithmonë ai tipi që thoshte shiko gjysmën plot të gotës dhe asnjëhere gjysmën bosh. Nuk dorëzohej kurrë para asnjë vështirësie. Kishte momente që ne si fëmijë, i thoshim po mjaft më, mos u lodh, dorëzohu ndaj kësaj gjëje, mos e bëj më. Jo, thoshte, dikush duhet të luftojë, përndryshe nuk del kurrë. Do vij një ditë që do sqarohen gjërat. Ishte gjithmonë optimist dhe shumë i puëns. Gjithmonë memoria ime për të ishte me letra duke shkruar, ose me libra duke lexuar, kurrë nuk dinte të rrinte kot”.

Më tej, Mirilinda u ndal dhe te një ndër çastet më të dhimbshme të babait, i cili për të shlyer gjobën, që i kishin vendosur pasi kishte përdorur muzikë fetare, u detyrua të shiste pianon.

“Shitja e pianos ishte një rast shumë i dhimbshëm për të, sa thoshte mu duk sikur nxora një fëmijë të vdekur nga shtëpia. Aq e dhimbshme ishte për të kjo gjë, sepse ishte jeta e tij e lidhur me pianon. Gjithë jetën kishte punuar me pianon, sa që ishte shumë e dhimbshme, që ajo t’i ikte nga shtëpia. Ai zbuloi disa muzikant shqiptar ndër shekujt që bota nuk i njihte, iu dha emrin shqiptar dhe në vend që të merrte një shpërblim, mori një gjobë, sepse brenda saj kishte muzikë fetare. Ishte shumë e rëndë për atë kohë, kjo gjë ishte shumë e rëndë për kohën e atëhershme, sepse rrezikonte dhe më shumë se gjoba.

Prandaj zgjidhja e vetme ishte shitja e pianos, e cila i shkaktoi një dhimbje të madhe”./abcnews.al