27 Shtator 2023

Situata në veri të Kosovës ka qenë shqetësimi i ngritur nga dy kryeministra të Ballkanit Perëndimor në një takim me dyer të mbyllura me zyrtarë të lartë të administratës amerikane, javën e kaluar në Nju-Jork.

Takimi i mbajtur tri ditë para sulmit në Banjskë, është zhvilluar në OKB dhe në të është hedhur ideja që misioni i NATO-s të marrë kontrollin e veriut të Kosovës.

Të paktën ky është pretendimi i The Pavlovic Today, një media e krijuar nga një gazetare serbo-amerikane e cila ka qenë korrespondente në Shtëpinë e Bardhë, cila citon burime diplomatike.

Sipas saj, propozimi zyrtarëve amerikanë u është bërë nga dy kryeministra të dy vendeve të Ballkanit Perëndimor, përveç palës serbe, por pa specifikuar se cilët saktësisht.

Burimi përjashton që njëri prej tyre të ketë qenë kryeministrja serbe, pavarësisht se presidenti Vuçiç ka kërkuar të njëjtën gjë në reagimet e tij pas sulmit të së dielës.

Takimi mësohet se është mbajtur të mërkurën e javës së kaluar, ndërsa në Nju Jork po mbahej Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Zgjidhja e propozuar gjatë takimit jozyrtar ishte që KFOR të marrë autoritetin e plotë mbi veriun e Kosovës, duke zëvendësuar në mënyrë efektive rolin aktual të Forcës Policore të Kosovës.

Sipas The Pavlovic Today, «kryeministrat e Ballkanit Perëndimor shprehën shqetësim të thellë për situatën në veri të Kosovës të krijuar nga veprimet e njëanshme të kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar pasojat e mundshme që mund të përhapen më gjerë në rajon. Ata argumentuan se paqëndrueshmëria e vazhdueshme në këtë pjesë të Kosovës përbën një kërcënim të rëndësishëm për paqen dhe sigurinë rajonale».

Propozimi pritej t’u vihej në tryezë SHBA-së, BE-së, Gjermanisë dhe Francës në takimin e së hënës 25 shtator, në Bruksel. Por sulmi kundër policisë së Kosovës në Zveçan të dielën ndryshoi axhendën.

Gazeta Dita