28 Mars 2024

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan kërkojnë që Kongresi të hetojë marrëdhënien e dhëndrit të ish-Presidentit Donald Trump me kryeministrat në Shqipëri dhe Serbi.

Kërkesa është dorëzuar nga kongresmenët, Jamie Raskin dhe Robert Garcia. Në shkresë kërkohet të hetohet mundësia që marrëveshjet e biznesit që Jared Kushner synon të nënshkruara me Shqipërinë dhe Serbinë të arrihen përmes ndikimit që dhëndri i Donald Trump ka te ish-Presidenti dhe ndoshta premtimin për mbështetje politike në Uashington nëse Trump zgjidhet President sërish.

Dy demokratët thonë se këto marrëveshje potenciale biznesi mund të rezultojnë kërcënime të mëdha për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ata i referohen artikullit të “New York Times”, që raportoi se Jared Kushner ishte afër finalizimit të marrëveshjeve për investime në Shqipëri dhe Serbi, duke shfrytëzuar marrëdhëniet që ai ndërtoi gjatë kohës së tij si këshilltar i lartë i vjehrrit të tij në Shtëpinë e Bardhë.

Në ndjekjen e mundësive për investime në Shqipëri, Kushner dhe këshilltari i tij, sipas artikullit, Richard Grenell, një tjetër ish-zyrtar i lartë i administratës Trump kanë përdorur hapur marrëdhënien e tyre me Edi Ramën, Kryeministrin e Shqipërisë. Duke iu referuar çështjes McGonigal, demokratët pretendojnë se pikërisht gjatë presidencës së Donald Trump Edi Rama kreu pagesa të paligjshme në SHBA.

Dhëndri i Donald Trump ka konfirmuar disa ditë më pare se është në diskutime me autoritetet në Serbi dhe Shqipëri për të zhvilluar disa projekte ndërtimore.

Në Serbi, ai planifikon ndërtimin e dy godinave rezidenciale, hoteli dhe shërbimesh në vendin ku sot ndodhet godina e bombarduar e ish shtabit të ushtrisë jugosllave.

Projekti ka nxitur kundërshti në Beograd, ku vetëm në 24 orë mbi 10 mijë persona kanë firmosur një peticion për ndalimin e tij.

Në Shqipëri, Jared Kushner deklaroi se ka projektuar hotele, resorte dhe komplekse vilash luksoze në Sazan, Zvërnec dhe Ksamil.

Ideja në Sazan është konfirmuar edhe nga Kryeministri Edi Rama. Ai tha se investimi është serioz, por se është ende në fazë shqyrtimi nga autoritetet shqiptare.

Gazeta Dita