28 Dhjetor 2023

“… Kemi patur një kallëzues, e kemi informuar për gjithçka që ka kërkuar por i kemi kërkuar të nënshkruajë mbi ruajtjen e sekretit hetimor dhe të mos bëhen publike”, është përgjigjur Dumani.

Kreu i SPAK, Altin Dumani ka folur për çështjet më të nxehtë që tashmë ka në dorë Prokuroria e Posaçme, sic është hetimi për çështjen “McGonigal”, inceneratorët apo edhe ajo që lidhet me përdorimin e aplikacioneve Sky ECC dhe Ecrochat që ka zbuluar grupe kriminale, ku të përfshirë ka edhe punonjës policie.

Në një takim informal me gazetarët kreu i SPAK Altin Dumani konfirmoi regjistrimin e procedimit pas kallëzimit të bërë nga Gazment Bardhi për çeshtjen McGonigal.

Ai u shpreh se hetimet vazhdojnë, por nuk tha se në cfarë faze janë. “Ne s’mund të japim asnjë informacion. Kemi patur një kallëzues, e kemi informuar për gjithçka që ka kërkuar por i kemi kërkuar të nënshkruajë mbi ruajtjen e sekretit hetimor dhe të mos bëhen publike”, është përgjigjur Dumani.

Sa i takon aplikacioneve Encro Chat dhe Sky Ecc, Dumani tha se pothuajse në çdo material, ka emra të tyre të përfshirë.

“Në çdo hetim na dalin një ose më shumë polic, gjithashtu nuk kanë munguar edhe në radhët e prokurorëve, ju marr shembull rast që tashmë është publik Xhevahir Lita! Mbajtja e këtyre aplikacioneve nuk përbën vepër penale, jo çdo bisedë që kryhej aty përben shkelje, por nëse ka komunikime që i kompromentojnë atëherë është çështje tjetër që verifikohen e merren masa”, u shpreh Dumani.

Për inceneratorin e Tiranës, Dumani tha se nuk ka fraksion të ndarë, por hetimet vazhdojnë për çdo aktor që ka kryer veprime apo mosveprime

“Hetimet po bëhen në kuadër të të njëjtit procedim, jo me fraksion. Do sqarohet pozita e secilit, çdo veprim po verifikohet! Është në fazë hetimesh paraprake që vazhdojnë në drejtim të çdo faktori  që mund të kenë kryer veprime penale, apo persona të tjerë që kanë patur në duar vendimmarrje” tha Dumani.

Gazeta Panorama