Dokumenti Zyrtar: – Në Gjirokastër 14 persona votuan 74 herë, numëruesi i PS shkeli karantinimin

17 MAJ 2021

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve, Marash Logu thotë se në vetëm tre prova që ka administruar ky institucion faktohet manipulimi i zgjedhjeve të 25 prillit.

“Të dhënat e kryqëzuara të pajisjeve PEI për Qarkun Gjirokastër rezulton se shenjat e gishtërinjve të 14 personave janë përdorur për identifikimin e 74 zgjedhësve. E thënë ndryshe, potencialisht 14 persona kanë votuar 74 herë ose mesatarisht 5 herë/secili”, tha ai.

Logu thotë se e njëjta gjë është vërejtur edhe në Berat nga kryqëzimi i këtyre të dhënave.

“Ku rezulton se shenjat e gishtërinjve të 21 personave janë përdorur për identifikimin e 57 zgjedhësve ose 21 persona kanë votuar 57 herë, ose rreth 3 herë/secili”, tha ai.

Sipas PD, në Gjirokastër numëruesi i Partisë Socialiste është shtetas që ka shkelur vendimin e karantinimit.

“Numërues i parë është shtetasi Thanos Andrea Karameno (PS). Ky shtetas rezulton se është futur në Shqipëri nga Greqia, pas datës 19 prill kur u vendos karantinimi 2-javor i personave që vinin nga Greqia dhe Maqedonia”, thotë Logu.

“Vetëm me tre prova të thjeshta, faktohen mbi 100 shkelje flagrante të ligjit. Merreni me mend se sa shkelje të rënda do të zbardheshin, nëse KAS-i, nuk do të sillej si shërbëtor i Edi Ramës dy herë rradhazi, por do të pranonte 19 kërkesat tona për marrje provash. Sepse ata e dinë që po i morën provat, do të faktohet para të gjithë shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë masakra zgjedhore e 25 prillit”, vijoi përfaqësuesi demokrat në KAS.

Gazeta Shqip