“Do të doja që vajzat e mia të mos jetojnë në Shqipëri”- Blendi Fevziu flet hapur: Qeveria aktuale do bënte mirë të ikte

20 tetor 2019

Gazetari i njohur Blendi Fevziu thotë se një nga ndryshimet që duhet të ndodhin në vendin tonë është rrotacioni i qeverisë aktuale.

I ftuar në “Shiko kush luan” në Top Channel, ai theksoi se do të donte që vajzat e tij të mos jetonin në Shqipëri.

Pjesë nga intervista:

Më thuaj tre ndryshimet që duhet të ndodhin tek kjo qeverisje sipas teje?

Blendi Fevziu: Do bënte shumë mirë të ikte qeveria. Ky do ishte ndryshimi më i mirë se do krijonte rrotacion. E dyta, ai që do vinte të kishte besimin absolut të shqiptarëve dhe e treta, ky vend duhet të ketë një lloj perspektive në momentin kur të dyja palët të mendojnë pak më shumë për vendin se sa për karrierat e tyre brenda partive politike.

-A ka një person të njohur që do të doje ta ftoje?

Blendi Fevziu: Janë tre. E para është ish-mbretëresha Geraldinë. Kam qenë i magjepsur nga intervista me të. I dyti është Jusuf Vrioni, edhe ai nuk jeton më dhe i treti është Kadare.

Çfarë është familja për ty?

Blendi Fevziu: Familja është një bërthamë me të cilën ti ndërton pjesën më të madhe të jetës tënde. Në familje kur ka dy mendime të ndryshme, gjithmonë fiton ai i gruas.

A je ti babai që u thua po vajzave gjithmonë?

Blendi Fevziu: Po!

Të ardhmen e vajzave e sheh brenda Shqipërisë apo jashtë?

Blendi Fevziu: Gjyshja më thoshte gjatë komunizmit sa të hapet një shteg, ikni nga ky vend. Unë nuk ika. Besoj nuk jam penduar që nuk kam ikur. Por sot, do më pëlqente që vajzat e mia të mos jetonin në Shqipëri. Ky vend për fatin tonë të keq, ende është shumë maskilisk, nuk ka vlerësimin e duhur për femrat. Kjo është një nga fatkeqësitë e këtij vendi. Nëse shihni emancipimin, shihni raportin me femrat.