Ditar i panjohur i priftit austriak: 1905, si jetoi ditët e etheve të malarjes në Shqipëri, rastësia me datat e sotme të Covid-19

Emri i Fabian Barcatës  është pothuaj i panjohur për lexuesin e sotëm shqiptar. Kështu ka qenë dhe shtatëdhjetë vjet më parë, deri kur u përkthye dhe u botua në gjuhën shqipe libri i tij “Lule”, nën kujdesin e Karl Gurakuqit. Në jetën e tij, vitet që jetoi në Shqipëri janë më të shënuara, i cili erdhi dy herë, më 1895 dhe 1899, por malarja e detyroi Patër Fabianin të kthehej në atdhe, në Austri. Nga ajo kohë na ka lënë dëshmitë përmes ditarit të tij mbi jetën shqiptare dhe si iu gjend të sëmureve nga malarja, prej së cilës kemi shkëputur, disa data që lidhen me pandeminë, që në rastësi janë muajt që përkojnë edhe me Covid-19 (V.M)

PJESË NGA DITARI IM SHQIPTAR I FABIAN BARCATËS

Në Kryezez, për t’u shëruar nga ethet e malarjes

30 prill 1905

Sot jam kthyer me gjithë çfarë kisha nga Alessio (Lezha). Ethet e malaries më kishin lodhur shumë kohët e fundit. Gjatë rrugës m’u desh të ndalesha dhe të pushoja dy herë dhe kur arrita këtu dridhesha aq shumë, saqë nuk e kontrolloja dot veten. Pritje festive! Nga lart ku ndodhej kisha dhe famullia, dëgjoheshin të shtenat me pushkë. Ndërmjet të shtenave dëgjohej dhe zëri i ëmbël i kembanave të kishës. Të gjithë njerëzit që takoja gjatë rrugës më pershendetnin me respekt. Para dyerve te shtëpive dhe kasolleve qendronin grate, ndërsa para tyre vraponin fëmijët disi të trembur, që më vrojtonin me gisht në gojë. Një grua e re me një fëmijë në krah, e cila gjatë rrugës qëndronte pranë meje, me tha me zë të lartë: “Zotëri rri te ne, ajri i Kryezezit do t’ua largojë ethet e sëmundjes”. Edhe unë e besoja këtë. Arqjipeshkvi më kishte dërguar këtu për t’u shëruar.

4 maj 1905

Sa e varfër është famullia. Sigurisht që as Lezha nuk më ka përkëdhelur, madje edhe komforti më i vogël që më kanë dhënë atje, këtu më mungon terësisht. Gjatë natës së sotme ka rënë shi dhe mua m’u desh ta ndërroja katër herë vendin e fjetjes, pasi pikonte në të gjithë dhomën time. Më në fund nuk më mbeti asgjë tjetër, veçse të mbeshtillesha në mushamanë time. Kështu më zuri gjumi dhe kur u çova isha terësisht i lagur. Gjëja më e këndshme është zjarri që ndodhet në kuzhinë dhe që mbahet ndezur gjatë gjithë kohës. Afër zjarrit ulem me orë të tëra në një poltron, veçanarisht kur më kapin ethet e malaries.

5 maj 1905

Dje u ankova për kushtet në banesën time dhe kjo nuk është aspak e drejtë, pasi Zoti nuk ka falur në Kryezez diçka më të mirë. Sa e varfër është kisha këtu! Katër mure të vjetra dhe mbi to një çati e keqe e papërfunduar me pllaka guri dhe përveç kësaj mungon dhe tavani. Altari është si një kub muri, ku për të hipur tek ai, duhet të kalosh mbi dy shkallë, të murosura dhe këto. Mbi altar në mur është varur një pamje e mjerë, e pikturuar në dru. Ka vetëm dy mbajtëse qirinjsh prej druri të cilave u mungojnë dhe këmbët. Në vend të këmbëve i kanë vënë gozhda për t’i mbajtur. Qirinjtë e tjerë mbahen në shishe boshe. Të vetmet stoli në kishë janë dy tufa të vjetra me lule letre, të cilat dhe këto kanë humbur formën e tyre. Si mbajtëse vere shërbejnë dy shishe të vogla të bëra nga kungulli. Kur po thoja për herë të parë meshën e shenjtë më ka shtrënguar zemra. E ndjeja se duhej të ndryshoja diçka. Menjëherë kam shkruajtur për ca mbajtëse të reja qirinjsh prej metali dhe u kam kërkuar murgeshave në Kallmet të më bëjnë 4 buqeta të reja lulesh. Kisha ka nevojë edhe per t’u lyer me gelqere, gje që do ta bëj vetë. Përse e kam bërë shkollën e pikturës?

“Një shpirt i ndjeshëm dhe besimtar”

15 maj 1905

Sot kam bërë vizitën time të parë pranë një të sëmuri. Më thirren te një burrë i vjetër që po vdiste. Shkova me kalë deri te kasollja. Aty ma mori kalin një burrë. Përmes një dere të ulet hyra në dhomën e vetme të kasolles. Në dhomë ishte vetëm një burrë i vjetër, i mbështetur me shpinë për muri, i cili thithte me qetësi një cigare. Hodha sytë përreth për të gjetur të sëmurin, për të cilin isha thirrur, por nuk e pashë. Plaku kishte vërejtur në heshtje vështrimin tim kërkues. Më në fund më tha: “Unë jam i sëmuri!” Isha pothuajse i nevrikosur pasi kur më thirren për të vizituar të sëmurin, ndodhesha në krevat i shtrirë dhe i lodhur nga ethet. Kisha ecur me kalë për rreth dy orë i prekur nga ethet dhe vij të vizitoj një burrë, i cili ishte më shëndosh se unë. A thua burri po e kuptonte nevrikosjen time? Me duket se po. Ai më ftoi të ulesha pranë tij, ma mori dorën dhe pasi e vendosi tek goja dhe mbi ballë, filloi të më fliste dhe zëri i tij u bë i ëmbël, sikur fshihte në të një lutje të brendshme: “O Zot, unë e shoh që edhe ti je i sëmurë dhe po më dhemb shpirti që të kam thirrur. Por mos u pendo për ardhjen tënde, pasi ajo nuk ka qenë kot. Unë jam duke vdekur dhe dua ta paguaj llogarinë që kam të hapur me Zotin. A e di ti që unë jam një mekatar i madh dhe kur të vijë koha që unë të dal përpara Zotit, nuk e di se çfarë do më shpëtojë përveç se zemërgjerësisë suaj.” Unë e dëgjova rrëfimin e tij dhe m’u duk sikur kësaj here kisha bërë mjaft. Ai donte që unë t’i bëja dhe vajimin e fundit. E kundërshtova me vendosmëri, pasi ky sakrament bëhej vetëm për njerëzit që ishin duke vdekur. “Zotëri, më beso, do të vdes së shpejti.” Gjatë kësaj kohe erdhen në dhomë dhe të afërmit e burrit, të cilët iu bashkuan lutjes së tij. Edhe ato mendonin se ai do vdiste së shpejti. Nuk isha i bindur, por i shtyrë nga lutjet e njerëzve, i bëra këtij burri vajimin e fundit. Pas ceremonisë më përgatiten kafe dhe unë qendrova ca kohë duke biseduar me këtë burrë. Ai më tregoi për kohët e shkuara dhe me dukej se i kishte venë qëllim vetes të më tregonte vetëm gjerat negative që kishte bërë gjatë gjithë jetës së tij. Por qëllimi që i kishte vënë vetes nuk pati sukses. Pas çdo fjalie që ai thonte, fshihej një shpirt i ndjeshëm dhe besimtar. Pasi folem rreth një gjysmë ore me njëri-tjetrin, ai hoqi cigaren nga goja, u shtri në tokë, më mori dorën dhe pas disa frymëmarrjeve të zgjatura, vdiq.