Ramadan Sokoli; – personalitet në fushën e muzikës shqiptare

20 Qershor 2020

Ramadan Sokoli etnomuzikolog, muzikant dhe kompozitor, vlerësohet si një nga studiuesit më të dalluar të muzikës shqiptare dhe ballkanike. Ramadan Sokoli lindi në qershor të 1920 në Shkodër. Me rastin e 100-vjetorit të vjetorit të lindjes të studiuesit e muzikologut Ramadan Sokoli artistë të ndryshëm shprehen me vlerësime për punën dhe aktivitetin e tij. Drejtuesi i shoqatës “Polifonia Shqiptare”, këngëtari i polifonisë Yzeir Llanaj thotë se në aktivitetet që kanë organizuar në vite i kanë kushtuar rëndësi studimeve të folklorit shqiptar, ku këtë vit në 100- vjetorin lindjes të studiuesit Ramdan Sokoli do të zhvillonin edhe një aktivitet. “Shoqata “Polifonia Shqiptare” qysh në themelimin e saj në vitin 1995, zgjodhi kryesinë me tre anëtar nderi të komitetit drejtues. Ata ishin prof. dr. Ramadan Sokoli, prof. dr. Benjamin Kruta si dhe bashkëthemeluesi i shoqatës “Nderi i Kombit” Kadri Roshi. Gjatë gjithë veprimtarisë tonë artistike prej një çerek shekulli puna dhe veprimtaria e këtyre figurave të nderuara ka qenë udhërrëfyese për realizimin me sukses të gjithë veprimtarive tona artistike. Pikërisht sivjet menduam të organizonim projektin e madh me rastin e 100- vjetorit të lindjes së etnomuzikologut, festivalin e 10-të ndërkombëtar të polifonisë “Ramadan Sokoli” në teatrin e antik në Bylis. I gjithë stafi i përbërë nga personalitete të njohura të arti dhe kulturës, si “Mjeshtër i madh” Zhani Ciko, prof. Fatos Klosi, “Mjeshtër i madh” Ermir Dizdari, Daut Gumeni, Shkëlqim Goxhaj, Kosta Loli dhe Kastriot Bezati ishin të mirëpërgatitur për ta kurorëzuar me sukses këtë veprimtari, për nder të figurës së tij të ndritur, ku me këngën që i dedikohet profesorit do të hapej festival i dhjetë “Ramadan Sokoli” në Bylis”, pohon Llanaj. Në reagimin e tij këngëtari i polifonisë Yzeir Llanaj vlerëson shumë dhe figurën e studiuesit Moikom Zeqo, që u nda nga jeta disa ditë më parë. Moikom Zeqo një personalitet në vendin tonë, ku Yzeir Llanaj tregon se gjithmonë ai e ka vlerësuar figurën e etnomuzikologut të njohur. Ramadan Sokoli ndoqi studimet e larta për flaut e kompozicion në Firence. Punoi në detyra të ndryshme në fushën e kulturës e të muzikës, prej vitit 1953 ka qenë pedagog në liceun “Jordan Misja”, ku themeloi klasën e flautit, klasën e folklorit dhe kabinetin e instrumenteve popullore, që u bënë bazat e etnomuzikologjisë shqiptare. Kreu shumë ekspedita dhe mblodhi material të pasur burimor folklorik, mes të cilave edhe tek Arbëreshët e Italisë. U nda nga jeta me 14 mars të vitit 2008.

Gazeta Sot