Akademia e Sigurisë kthehet në fjetore për motoristët emigrantë të shpërndarjes së picave, Ilirjan Mandro përgatit brezin e ri të policëve që do të dhunojnë protestuesit

30 Tetor 2026
Akademia e Sigurisë duket se është kthyer në fjetore për motoristët emigrantët të shpërndarjes së picave. Denoncimi është bërë nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, i cili ka shpërthyer ndaj atij që dikur njihej si institucioni elitë i formimit të rendit publik. Sipas denoncimit publik të Nokës, thuajse 100 shtetas nga India dhe Algjeria, të gjithë korrierë të platformave të dërgesave si Wolt, kanë më shumë se 10 ditë që po shijojnë mikpritjen e shtetit shqiptar brenda mjediseve të akademisë. Me të ngrëna, të pira dhe shtretër të ngrohtë të garantuar nga taksapaguesit, motoristët me çanta në krahë po bashkëjetojnë me ritmin e përditshëm të uniformave blu.
“Thuajse 100 Indianë e algjerianë, motoristë të #Wolt-it, janë akomoduar në mjediset e Akademisë së Sigurisë, me të ngrëna e të pira prej më shumë se 10 ditësh. Ndoshta personi që do të zëvendësojë Skënder Hitajn mund të jetë njëri prej tyre”, shkroi dje deputeti Noka në rrjetet sociale. Ndërkohë që godinës i është ndërruar destinacioni nga godinë arsimore në konvikt me pica, Rektori i Akademisë, Ilirjan Mandro, vazhdon pa u shqetësuar detyrën e tij fisnike: përgatitjen e brezit të ri të policëve që nesër do të derdhen rrugëve për të ushtruar forcën e dhunën mbi protestuesit.
Plani mësimor i Mandros duket se ka pësuar ndryshime rrënjësore, ku diplomimi i kadetëve të rinj mbase do të përfshijë edhe manovrat me motor mes gazit lotësjellës dhe shpërndarjes së ushqimit me shpejtësi skëterrë. Tashmë pyetja që mundon gjithkënd nuk është më se kur do të reformohet Policia e Shtetit, por se cili nga këta 100 të akomoduarit e Wolt-it do të marrë postin e radhës për të zëvendësuar Skënder Hitajn si kryepolici dhe për t’u përgatitur si efektiv që do të dhunojë protestuesit sikundër ka vepruar policia ditët e fundit në protestat që po mbahen nga studentët. Me këtë ritëm përzgjedhjeje e menaxhimi, ushqimi nuk po vjen më vetëm te dera e shtëpisë, por po gatuan drejtpërdrejt komandantët e ardhshëm të rendit publik.
