Belinda Balluku

Dilema për energjinë. Të mbyllen “shtëpitë e barit” dhe fermat e kriptomonedhave apo të hiqet ndriçimi i rrugëve kombëtare?

– 22.03.22

Nëpër botë, norma e zakonshme e humbjeve në rrjet është 5% e energjisë. Në Shqipëri kjo normë është 20%

Mbrëmjen e 21 marsit, katër makina u përplasen me njëra-tjetrën në rrugën Tiranë-Durrës. 3 vetë u plagosën, një Mercedes u kthye përmbys.

Aksidentet nuk janë histori e re për “autostradën” Tiranë-Durrës. Shpejtësia tej limiteve dhe manovrat e shoferëve ndonjëherë të dehur kanë marrë edhe jetë njerëzish. Por, mbrëmjen e 21 marsit një faktor tjetër mund të ketë ndikuar për aksidentin. Errësira e plotë e aksit rrugor, pas vendimit të qeverisë për të lënë në “black out” rrugët nacionale. Arsyeja? Kursimi i energjisë.

Problemet me furnizimin me energji elektrike sot janë globale, ose së paku europiane. Tkurrja e burimeve ka sjellë probleme serioze jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera. Por, nëse shtete të ndryshme kanë marrë masa serioze për të siguruar llampën e ndezur, Shqipëria ka gjetur një shpikje origjinale e të padëgjuar. Fikja e dritave në akset rrugore nacionale dhe brenda qyteteve pas orës 12 të natës. Vetë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e paralajmëroi këtë masë më 20 mars. Zbatimi filloi menjëherë.

Akset rrugore të ndriçuara në Shqipëri nuk janë shumë. Edhe Tiranë-Durrës ndriçohet vetëm në aksin Tiranë-Qafa e Kasharit, ndërsa më tej të vetmet drita janë ato të shtëpive dhe bizneseve ndanë rrugës dhe kryesisht, dritat e pikave të karburanteve.

Nuk ka një studim konkret se sa do të jetë kursimi i energjisë nga fikja e poçave në rrugët shqiptare, por nuk duhet një shkencëtar për të kuptuar se bëhet fjalë për numra të papërfillshëm.

Teorikisht dhe praktikisht, qeveria mund të ndërmarrë hapa të tjerë shumë më efektivë për të ndryshuar sadopak situatën. Ajo mund ta nisë nga zvogëlimi i humbjeve në rrjet. Në vitin 2013 niveli i humbjeve në rrjet ishte 45% ndërsa sot është diçka më pas se 20%. Progresi është domethënës, por larg situatës ideale.

Nëpër botë, norma e zakonshme e humbjeve është 5% e energjisë së hedhur në rrjet. Zyrtarisht në Shqipëri dy të tretat e humbjeve  janë teknike, pra për shkak të pajisjeve të rrjetit dhe jo vjedhje.

Normalisht që sipas axhendës së vetë qeverisë aktuale të tetë viteve të shkuara, investimet në rrjetin e shpërndarjes së energjisë do të duhej të kishin sjellë reduktimin e humbjeve në 6% në vitin 2020, pra dy vjet më parë. Diferenca mes humbjeve në kuota normale 6% dhe asaj aktuale (13%) është e barabartë me 0.6 TW/h, për të cilat, shqiptarët do të duhet të paguajnë afro 126 milionë euro për t’i importuar.

Përveç kësaj, ka faktorë të tjerë. Në Shqipëri po lulëzon “modeli britanik” i mbjelljes së hashashit me llampa. “Shtëpitë e barit” aq të famshme në ishull, po praktikohen edhe këtu. Mungesa e mundësisë së mbjelljes së kanabisit në fusha siç ndodhi në vitet “e arta” 2015-2016 ka detyruar kultivuesit dhe  trafikantët të gjejnë mënyra të tjera.

Këto shtëpi apo magazina, ku “hashashi” ndriçohet me llampa të fuqishme harxhojnë energji të konsiderueshme. Mjafton vullneti për të luftuar krimin për ta ndryshuar këtë situatë.

Por jo vetëm “shtëpitë e barit”, edhe fermat e kriptomonedhave kanë nisur të shfaqen herë pas here. Edhe ato kërkojnë një energji të pamatë elektrike.

Ndaj, heqja e ndriçimit të rrugëve duhet të ishte masa e fundit, jo masa e parë e qeverisë për të kursyer energjinë. Ose masa e parafundit, sepse mesa duket e fundit është rritja e çmimit, që pritet të ndodhë në të ardhmen.

Gazeta Shqiptare