Hetimet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për dosjen e njohur si “Aruba” kanë çuar në ekzekutimin e disa masave të sigurisë, ndërsa mes personave për të cilët është caktuar masa e arrestit në mungesë figuron edhe Besnik Myftari, ish-zëvendësdrejtor i “Top Channel”. Sipas materialeve hetimore, në komunikimet e zbardhura nga platforma e enkriptuar “Sky ECC”, të dyshuarit i referohen Myftarit me nofkën “Beso”. Nga hetimet rezulton se Myftari dyshohet se ushtronte ndikim pranë institucioneve qeveritare për çështje që lidhen me marrjen e lejeve për ndërtimin e kullave.

Po ashtu, sipas dosjes, ai dyshohet se do të ndihmonte grupin kriminal në blerjen e një televizioni dhe të një portali informativ. Në një prej pjesëve të dosjes hetimore thuhet se Besnik Myftari ka luajtur rol në orientimin e investimeve në një pronë të caktuar, duke i bindur personat e përfshirë se në atë zonë do të ndërtohej një pallat. “Besnik Myftari, përdorues i numrit të telefonit 06920xxx04, person i cili ka orientuar ata që të investojnë në këtë pronë, duke i bindur se aty do të bëhej pallat, duke blerë sipërfaqe tek pronarët e truallit. Ky veprim është realizuar referuar kontratave noteriale të lidhura me bashkëpronarët e truallit, të afërm të personit nën hetim Adrian Rama, të referuar në komunikime si ‘kushërinjtë e atyre të Kapriçios’”, thuhet në dosjen hetimore.

Sipas dosjes, Myftari ka përdorur shoqërinë e tij, “Tapo” sh.p.k. (ku në vitin 2020 zotëronte 70% të kuotave dhe ishte administrator), për të mbuluar pronësinë reale të një automjeti Land Rover, modeli Range Rover Velar, me targë AB020BA. Ndonëse mjeti ishte regjistruar në emër të shoqërisë së Myftarit përmes një kontrate qiraje financiare (leasing), hetimet dhe bisedat e zbardhura në SkyEcc provojnë se pronarët efektivë dhe përdoruesit e mjetit ishin Adrian Rama, Elton Memeti dhe Erjon Rama  SPAK vijon hetimet për të zbardhur rolin dhe përfshirjen e secilit prej personave të dyshuar në këtë çështje, ndërsa masa e arrestit në mungesë ndaj Myftarit mbetet në fuqi deri në ekzekutimin e saj ose një vendim tjetër të organeve kompetente.

Në bisedat e zbardhura, personat nën hetim shprehen: “Tani me degjo vllain se mua sme lejn sikletet rehat dhe ti e di qe ty tkam. Mkan cu leter te bankes… ma morin makinen”, duke konfirmuar se Myftari shërbente si mbulesë për pasuritë e tyre. Gjithashtu, Myftari përmendet se ka ndihmuar grupin kriminal në procedurat për marrjen e një licence televizive dhe radioje, si një formë për të investuar dhe pastruar të ardhurat me burim të dyshimtë. Hetuesit arrijnë në përfundimin se Besnik Myftari, në bashkëpunim me subjektet e tjera, ka kryer veprime konkrete për të maskuar natyrën e vërtetë të pasurisë dhe burimin e saj të paligjshëm, duke shfrytëzuar aktivitetin e tij tregtar për të lehtësuar operacionet e grupit

Dosja “Aruba”

Kujtojmë se ishulli ekzotik i Arubës në Karaibe, me plazhe me rërë të bardhë dhe resorte luksoze, mikpriti në fund të janarit 2019 një grup burrash nga Shqipëria, por interesi i tyre nuk lidhej me turizmin. Nën diellin e Antileve Holandeze, mijëra kilometra larg Tiranës, ata po diskutonin marrëveshje biznesi të ngritura mbi tre shtylla kryesore; logjistikën e trafikut të kokainës në Amerikën Latine, transaksionet me tokat në kryeqytet dhe bregdet si dhe projektet e zhvillimit për kulla dhe resorte turistike. Njeriu kyç i takimit ishte Artur Shehu, një personazh kontrovers me origjinë nga Vlora, që jeton prej dy dekadash në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në takimin e vëzhguar nga autoritetet e huaja ishin të pranishëm gjithashtu bashkëpunëtorët e tij, Arben Ismailaj, Elton Memeti, Adrian Rama dhe Bujar Shehaj.

Sipas hetimeve të kryera së fundmi nga prokurorët Altin Dumani dhe Elida Kaçkini, të nisura fillimisht për transaksionet e dyshuara të tokave në Zvërnec, ky nuk ishte takimi i vetëm i Shehut me qëllim menaxhimin e interesave të tij të biznesit në Shqipëri. “Shehu merr pjesë në takime në Spanjë, Monako, Gjermani, Aruba, ndër të tjera, në të cilat është planifikuar blerja, transportimi dhe futja e sasive të mëdha të drogës në Evropë,” thuhet në vendimin e Prokurorisë së Posaçme, ku përmenden edhe takime me “funksionarë të lartë shtetërorë të shtetit shqiptar”. Dosjet hetimore hedhin dritë mbi falsifikime masive me tokat në bregdet dhe pastrimin e parave të trafikut ndërkombëtar të kokainës në kullat që po ndërtohen në Tiranë dhe në projekte të tjera zhvillimi, përfshirë edhe tokat ku pritet të ndërtohet resorti në Zvërnec i reklamuar nga dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner.

Gjykata e Posaçme miratoi 20 urdhër-arreste për veprat penale të pastrimit të parave, grupit të strukturuar kriminal si dhe trafikut ndërkombëtar të drogës; përfshirë Artur Shehun, dy biznesmenët e mëdhenj të ndërtimit në Tiranë, Ilir Shtufi dhe Orest Sota si dhe persona të tjerë të lidhur me trafikun e drogës apo transaksionet me tokat. Dosjet hetimore të lidhura me tre procedime të ndryshme penale hedhin dritë mbi një bashkëjetesë simbiotike mes botës së krimit dhe biznesit lidhur me një sërë projektesh të miratuara nga qeveria “Rama” në dekadën e fundit.