7 Shkurt 2024

Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka është shprehur për A2CNN, se ka edhe deputetë socialistë, të cilët e kanë pranuar edhe në Uashington se kreu i PD-së është Sali Berisha.

Paloka theksoi se Gjiknuri, në takimin që ka pasur me Escobar-in në Uashington, ka thënë se në opozita në Shqipëri është Sali Berisha.

“Damian Gjiknuri, në takimin që ka pasur me Escobar-in, në takimin e fundit në Uashington që kanë bërë deputetët, kur Escobar i ka thënë se ne nuk kemi gjë me Partinë Demokratike, me opozitën, ne e kemi çështjen me Sali Berishën, ka qenë Damian Gjiknuri që i ka thënë, opozita në Shqipëri është Sali Berisha.

Unë besoj se qëndrimet, jo vetëm të z. Bardhi, por edhe të deputetëve të tjerë kanë qenë mëse të qarta. Por, jo vetëm brenda PD-së, por së shpejti mbase do të merrni lajmin që, edhe deputetë brenda Partisë Socialiste kanë pranuar edhe në Uashington se, lider i opozitës është Sali Berisha dhe këtë nuk e diskuton njeri. Pastaj qëndrimet personale, e dua apo nuk e dua Sali Berishën apo Gazment Bardhin, këto janë çështje të tjera.

Shumë nga ne sa herë që votojmë për kryetarin apo kryesinë sigurisht që kemi përzgjedhjet tona, kemi zgjedhjet që bën gjithsecili. Nëse dikush nuk e do Berishën si kryetar, nuk do të thotë që nuk e njeh si institucion. PD-ja ka rëndësi që sot është një, ka një qëllim. Unë mendoj që e gjithë opozita sot është në një front dhe nuk mund të ndodhë ndryshe. Nëse ne nuk arrijmë të realizojmë këto gjëra që varet vetëm nga ne, për të realizuar bashkimin e opozitës, pastaj është e kotë që të gënjejmë njerëzit e tu, themi se jemi në betejë për të rikthyer demokracinë në Shqipëri”, u shpreh ndër të tjera Paloka./CNA