16 Mars 2023

Eksperti i urbanistikës, Gentjan Kaprata tregoi në emisionin Now në Euronews Albania rastin e një 23-vjeçari nga Korça që ka 88 apartamente në Tiranë.

“Pardje kam pirë kafe me një 23-vjeçar nga Korça që ka 88 apartamente në Tiranë. Ai rrinte në Londër, dhe 88 i kishte vetëm në Tiranë”, tregoi urbanisti.

Ai u shpreh se në 4 vitet e fundit, Bashkia Tiranë ka dhënë 6 milionë metër katror të ri ndërtim, nga të cilat 2 milionë janë dhënë vitin e kaluar.

Kaprata u shpreh se në 4 vitet e fundit Tirana nuk është rritur me asnjë banor, përkundrazi po humbë banorë për shkak të emigracionit.

Sipas tij, çdo kullë që ndërtohet në Tiranë mbyll një shkollë në Lushnjë apo një qytet tjetër të vogël për shkak të prirjes për t’u zhvendosur drejt kryeqytetit.

“Ndaj nxehemi edhe ne urbanistët se çdo kullë që ndërtohet në Tiranë mbyll një shkollë në Lushnjë, në Fier. Këto kulla bëhen që të marrin njerëz nga rrethet duke i shpopulluar ato. Po flas për kulla në kuptimin urbanistik, që presupozohet që do të përdoren për banim. 

Këto nuk janë të gjitha për banim, po ato që kemi blerë dikur, shkojmë në një më të mirë dhe i shesim, që i blejnë ata nga Lushnja apo Fieri. Këta pastaj i vijnë në Tiranë, rrinë ca muaj dhe ikin jashtë. Po shkatërrohet Shqipëria”, tha urbanisti.

Nga TPz.Al