Camaj e Koliqi, spiunë? Debat i fortë mes Tares dhe Çupit në studio: Qenkeni mashtrues… Je kundër katolikëve

10 KORRIK 2020

Çupi: – …Gjithë sulmin e bën se janë veriorë, katolikë, anti-komunistë. Edhe babai juaj ka qenë kundër tyre….

Një deklaratë e Auron Tares ka hapur një debat të gjerë ditët e fundit në vend ku shprehet se Martin Camaj dhe Ernest Koliqi kanë bashkëpunuar me Shërbimin Informativ të Shtetit, ndërsa kjo sipas tij është e provuar nga dokumentet që ka zbuluar nga CIA.

Ditën e sotme Tare ishte i ftuar në emisionin “Top Talk” në Top Channel, ku u shpreh se nuk ka paragjykuar askënd dhe se nuk ka folur për veprat e tyre letrare. “Unë kam sjellë disa dokumente që dalin nga arkivat e Shtetit amerikan. Nuk u kam hequr vlerat në letërsi, ata kanë bërë politikë në rrethana të caktuara, e kjo gjë nuk i bën as më të mirë e as më të këqij”, tha Auron Tare.

Në studio ishte i ftuar edhe analisti, Frrok Çupi, i cili bëri një debat të fortë me Tare, duke e akuzuar se gjithë këtë sulm e bën pasi ata ishin veriorë, katolikë dhe anti-komunistë.

Çupi: Ajo që ka publikuar Tare është një trakt kundër lirisë, nuk është shkencë, as histori, është një grumbullim.  Mua s’më denigron dot. Gjithë sulmin e bën se janë veriorë, katolikë, anti-komunistë. Edhe babai juaj ka qenë kundër tyre.

Tare: Zoti Çupi duke qenë se jeni letrat, qenkeni edhe kokrra e mashtruesit, më fal që po ta them kështu. Babai im ka qenë gjithë jetën sportist dhe nuk ka patur asnjë lidhje. Mos u ngatërro.

Çupi: Babai yt rekrutonte katolikë në veri dhe bënte sikur hidhte gjylen dhe nëna jote sikur hidhte shtizën. Babai jot erdhi nga ana-anës për të mbajtur arkivolin e Enver Hoxhës ditën që vdiq se ishte e domosdoshme. Praktikisht miku im ju po përfaqësoni një frymë shtetërore kundër figurave të mëdha anti-komuniste. Ju jeni anëtar i qeverisë, e gjithë familja juaj është anëtare e qeverisë.

Gazetari Denis Dyrnjanja: A e ke kuptuar rëndësinë e ngacmimit të këtyre dy figurave dhe reaksionin që do të prodhonte kur nxore këtë lloj hulumtimi? A kishe nevojë për vëmendje personale?

Tare: Besoj se ishte pyetje jo me vend kjo e dyta. Jua kam dërguar disa njerëzve që lexojnë dhe këshilluan se ishte një debat që duhet bërë në shoqërinë shqiptare. Ku figurat nuk mund të jenë thjesht shenjtor në pediastal, por kanë edhe anën e tyre bardhë e zi. Nuk ka asnjë problem se ka ndonjë debat. Nuk ka apsolutisht asnjë lloj qëllimi për të deligruar degradimi se është katolik. Po të ishte dikush tjetër, sërish do diskutohej. Pse duhet të përshihet veriu, katolicizmi?

Cupi: Shkrimi është me paradigma paragjykuese dhe fyerje. Ky mahnitet se si një mësues, një spiun i sigurimit shkon në Jugosllavi, si mundet? Ai pyet por nuk jep përgjigje. Materiali ka 63 pyetje pa përgjigje, janë pyetje denigruese.

GAZETA SHQIP