Bulevardi kuq e zi dje nga Diaspora

13 Gusht 2026
Sot mbahet protesta e 77-të kundër qeverisë së Edi Ramës, me qytetarët që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë së tij. Ashtu si mbrëmjen e djeshme, protesta e radhës do të nisë në orën 19:30, ndërsa pritet një pjesëmarrje e konsiderueshme edhe nga diaspora shqiptare.
Dje, shqiptarë të ardhur nga vende të ndryshme të botës iu bashkuan protestës, duke mbushur bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Për protestuesit, kërkesa për largimin e qeverisë dhe kundërshtimi ndaj klasës politike vijojnë prej javësh, pavarësisht temperaturave të larta dhe sezonit veror.
Marshimi i djeshëm nisi nga Stacioni i Trenit, vijoi drejt Sheshit “Skënderbej” dhe më pas u ndal para Kryeministrisë. Gjatë protestës u artikuluan thirrje kundër qeverisë, ndërsa kërkesa kryesore e protestuesve ishte e njëzëshme: dorëheqja e Edi Ramës.
Edhe protesta e sotme pritet të ndjekë të njëjtin itinerar, me nisjen nga Stacioni i Trenit dhe marshimin drejt qendrës së Tiranës.
Protestat morën një tjetër hov pas një incidenti të rëndë të regjistruar gjatë një proteste në Zvërnec, ku një banor që kundërshtonte ndërtimet në një zonë të mbrojtur u tërhoq zvarrë nga një punonjës i sigurisë private pranë zonës ku parashikohet ndërtimi i një resorti luksoz.
Ngjarja u shndërrua në një pikë kthese për protestuesit, të cilët prej rreth dy muajsh e gjysmë vijojnë tubimet e tyre të përnatshme në bulevard.
Paralelisht me protestat në Tiranë, tubime janë zhvilluar edhe në diasporë, në qytete të ndryshme ku jetojnë shqiptarë. Ndërkohë, disa qytete të vendit janë përfshirë në protesta edhe kundër Reformës Territoriale, me banorët që kundërshtojnë shkrirjen e bashkive të tyre.
Sot, protesta e 77-të pritet të rikthejë qytetarët në rrugët e kryeqytetit, me të njëjtën kërkesë të artikuluar prej javësh: largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
