31 Janar 2026

Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, mbajti një konferencë për shtyp dje në përfundim të misionit të tij vjetor të mbledhjes së fakteve në Shqipëri, ndërsa i dërgoi një mesazh të fortë politikës shqiptare dhe ua bëri të qartë se Brukseli mbështet punë Prokurorisë së Posaçme. Schieder theksoi se Shqipëria duhet të fuqizojë luftën kundër korrupsionit, duke theksuar se Brukseli mbështet punën e SPAK.

“Puna e SPAK të mbetet e pandërprerë nga aktorë të tjerë dhe puna e SPAK të mos pengohet nga institucione të tjera”, deklaroi ai.  Ai tha se “takimet në vendin tonë, në përgjithësi kanë qenë të suksesshme”, duke shtuar se lufta ndaj korrupsionit duhet fuqizuar. “Në këtë vizitë unë u përqendrova edhe te politikat sociale kur fola me përfaqësuesit e komisionit treplaësh, sepse cilësia e një dialogu të mirë është shumë i rëndësishëm dhe roli i shoqërisë civile duhet të përmirësohet… Sigurisht që kur vjen në Shqipëri, lexon shtypin, por dëgjon edhe aktorët e ndryshëm. Së pari, Parlamenti Europian nuk komenton çështje juridike apo ligjore, megjithatë institucionet duhet të bëjnë punën e tyre, me gjetjet e tyre, në bazë të legjislacionit, kemi thënë që institucionet duhet të mbështesin punën e SPAK-ut. Natyrisht nuk është për ne që të ndërhyjmë apo të komentojmë ndonjë rast specifik”, theksoi ai, kur u pyet për rastin e zv/kryeministres Belinda Balluku.

Integrimi

Ndërkohë raportuesi i Përhershëm i PE-së, Andreas Schieder theksoi gjatë konferencës për gazetarët se partitë politike duhet të bashkëpunojnë më shumë për të mirën e vendit. Schieder ka komentuar gjithashtu edhe protestat e dhunshme të Sali Berishës, duke thënë se nuk duhet të përdoren molotov, por të luftohet me argumente në skenën politike. Ai shtoi se e rëndësishme është që Shqipëria të tregojë një qasje të bashkuar, sidomos kur bëhet fjalë për integrimin evropian. “Si politikan ti ke mendimin tënd personal, por duhet të përmbushësh edhe rolin tënd institucional. Nuk qëndroj si eurodeputet me idetë e mia për zhvillimet politike apo për sjelljen e deputetëve të caktuar. Unë qëndroj si raportuesi në PE. Këtu nuk është çështja për mendimin tim personal, ne si PE, mendojmë që ka ardhur koha që kultura politike në Shqipëri të bëj një hap para, të mos dramatizohet çdo gjë, të mos fillohet me molotovë, por të luftohet fort me argumente në skenën politike aty ku duhet. Kjo vlen edhe për opozitën edhe për qeverinë. Mbi 90% e qytetarëve shqiptarë e duan integrimin.

Kjo është gjëja më emirë që mund ti tregojë Shqipëria-Europës. Mësova që ka unanimitet për disa çështje të politikës së jashtë, do doja që çështje të tilla europiane të sjellin ndryshimin e kulturës edhe në çështje të tjera. Shqipëria ka pasur ecuri madhore në negociata. Në pranverë Shqipëria do fillojë të mbyllë kapitujt, do vazhdojë të jetë pararojë për zgjerimin. Nuk bëhet fjalë vetëm për hapjen e kapitujve, por edhe për mbylljen. Ideja e ligjit nuk është që ne e kënaqem BE. Shqipëria kë vendosur t’i përkushtohet reformave, sidomos për luftën kundër krimit të organizuar. Arena politike, duhet të bëni të pamundurën që të ketë komunikim të duhur për mënyrën se ku është Shqipëria tani dhe se ku do arrijë në të ardhmen”, nënvizoi raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder.