23 Maji 2023

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi të martën dy projektligje të Këshillit të Ministrave në funksion të së ashtuquajturës reformë për rritjen e pagave në administratën publike; “Për kompetencat për caktimin e pagave…” si dhe “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”.

Projekti i dytë që parashikon rritje pagash dhe një sistem të ri hierarkie në administratën publike përjashtonte nga rritja vetëm deputetët e Kuvendit dhe ministrat, gjë që u bë shkak për debate në komision.

Deputetë të të dy krahëve politikë votuan për rritjen e koeficentit të pagave të tyre dhe të ministrave, sipas një propozimi të ardhur nga Komisioni i Ligjeve, pasi e konsideruan fyese për hierarkinë institucionale përjashtimin nga skema e re e qeverisë.

Pagat e deputetëve do të llogariten me koeficent 0.73 dhe ato të ministrave me 0.75 në një hierarki që nis me pagën më të lartë të Presidentit të Republikës, bazuar në propozimin e deputetes Antoneta Dhima, që sipas saj ka për qëllim “përcaktimin e një hierarkie të drejtë dhe dinjitoze të pagave”.

Propozimi i qeverisë parashikonte një pagë prej rreth 156 mijë lekësh për deputetët, ndërsa me koeficentët e rinj paga e tyre dyfishohet dhe shkon në rreth 310 mijë lekë.

Deputeti i opozitës, Agron Shehaj e cilësoi reformën një ofendim të Kuvendit dhe i kërkoi ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, sqarim për logjikën e skemës së pagave, ku drejtori i përgjithshëm në ministri e ka pagën më të lartë se ministri.

“Mos është kjo një tallje e Ramës, duke përbuzur punën e ministrave dhe deputetëve, mos vallë i konsideron të korruptuar, apo një shfaqje populiste e tij që të detyrojë deputetët që të votojnë për pagat e tyre?” pyeti ai ministren.

Ibrahimaj tha se, “nuk ishte çështje vlerësimi, por prioriteti”.

“Ne donim që të gjitha kategoritë e tjera të përfitonin nga rritja e pagave dhe në përfundim të kësaj, do të sillnim një nismë për rishikimin e koeficentëve për anëtarët e kabinetit dhe deputetët,” u përgjigj ministrja.

Ndërsa Arbi Agalliu nga Partia Demokratike e cilësoi skemën e re si një shpërbërje të logjikës së shtetit. “Nuk ca sens logjik që një specialist ta ketë pagën më të lartë se eprori i tij,” tha ai.

Ndryshimin e koeficentëve për pagat e deputetëve dhe ministrat e kërkuan dhe deputetët e mazhorancës.

“S’më intereson nëse më gjykojnë,” tha deputeti i PS-së, Alban Xhelili , duke shtuar se nuk ishte çështja se po flisnin për pagat e tyre, por të paktën të ruhet niveli i pagave për deputetët.

Edhe deputeti Erion Braçe e kritikoi skemën e re të pagave të sjellë nga qeveria.

“Mjerë ai që e sheh Kuvendin si një vend që ka grumbulluar ca njerëz për të vjedhur, për t’i shërbyer vetes së tyre,” tha Braçe.

Gjithashtu, Braçe kërkoi nga qeveria që skema e rritjes së pagave të shoqërohet me një reformë të administratës.

“Kjo reformë nuk duhet të degradojë në shpërndarje parash për këdo që ka zënë një cep zyre, edhe për ata që nuk e meritojnë,” tha ai.

Braçe kritikoi dhe hendekun e pagave mes drejtuesve dhe punëtorëve në shoqëritë aksionere në sektorin e ujësjellësit, energjisë, postës, duke kërkuar që të ketë indeksim pagash për punonjësit.

Kritika për skemën e vendosjes së pagave në kompanitë publike erdhën edhe nga opozita.

Edmond Spaho tha se ka abuzime masive me pagat në këto shoqëri.

“Albcontrol, paga disa herë më të larta se Presidenti,” tha ai, duke shtuar se fondet janë përdorur dhe për “xhakuzi, masazhe, festa harbuese”.

Në lidhje me sistemin e pagave në shoqëritë publike u përgjigj Ermal Nufi, shefi i kabinetit të zëvendëskryeministres Belina Balluku, i cili tha se ato funksionin sipas ligjit për shoqëritë tregtare dhe nuk kishte kompetencë Këshilli i Ministrave në caktimin e pagave.

“Kemi konflikt ligjor,” tha ai duke shtuar se pagat në këto shoqëri vendoseshin nga bordet drejtuese.

Skema e re e rritjes së pagave në administratë hyn në fuqi me datë 1 prill dhe pse Kuvendi pritet ta kalojë të enjten për miratim. Kryeministri Edi Rama propagandoi këtë rritje me disa kategori të administratës gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve./BIRN

Gazeta Shqiptare