Reinout Vos

29 Maji 2026

Qëndrimi i mazhorancës socialiste për të mbrojtur me votë në Parlament kolegen e tyre, ish-zv/kryeministren Belinda Balluku, duke refuzuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që do t’i hapte rrugë arrestimit të saj, jovetëm që po mban peng procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por ka ngritur shqetësime për pasojat që mund të ketë ky ndryshim kursi ndaj drejtësisë europian, ku pavarësia e organeve të drejtësisë dhe lufta antikorrupsion janë kriteret themelore të vlerësimit.

Pas miratimit të raportit IBAR, Holanda, një prej vendeve kryesorë të BE-së, paralajmëron Shqipërinë së procesi i anëtarësimit nuk është vetëm miratim i ligjeve të Bashkimit Evropian, por kërkon ndërtimin e institucioneve si në BE. Ambasadori i Holandës në Shqipëri, Reinout Vos, shfrytëzoi një tryezë të Komisionit Parlamentar për Mbikqyrjen e Institucionale, institucioneve të pavarura e shoqërisë civile për të theksuar mesazhin se pushteti duhet të japë llogari, duke i bërë kështu “dush të ftohtë” qeverisë dhe prishur kësisoj edhe festën, e hapjes së kapitujve që u trumbetua me të madhe nga kryeministri Edi Rama këtë të martë në Bruksel, teksa u mbajt Konferenca e 8-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

“Bashkimi Europian është ndërtuar mbi besimin; besim tek institucionet që të funksionojnë në mënyrë të pavarur; besim që pushteti jep llogari, besim që ligjet zbatohen në mënyrë të drejtë; besim që qytetarët kanë zë të qenësishëm në jetën publike. Ndaj grup-kapitulli i parë, Themeloret, ka rëndësi kaq shumë dhe është në thelb të procesit të negociatave. Prandaj dhe roli i Parlamentit është absolutisht qendror; kriteri i parë për anëtarësimin është te keni një parlament të mirë. Mbikëqyrja parlamentare nuk është një pengesë për qeverisje efektive. Përkundrazi e përmirëson qeverisjen. Ndaj gjithëpërfshirja ka rëndësi”, tha ambasadori Reinout Vos. Diplomati ironizoi edhe mënyrën teknike me të cilën shpesh paraqitet procesi i integrimit, duke lënë të kuptohet se Shqipëria nuk mund të bindë BE-në vetëm me prodhim ligjesh. “Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian nuk ka të bëjë vetëm me miratimin e legjislacionit. Nuk është thjesht një ushtrim teknik për përkthimin e direktivave në ligjin shqiptar. Nëse do të ishte kështu, procesi ndoshta mund të përfundohej nga një sistem shumë inteligjent i inteligjencës artificiale dhe disa juristë të lodhur duke pirë shumë kafe natën vonë”, u shpreh Vos.

Vos: Shqipëria duhet të luftojë korrupsionin dhe të garantojë drejtësinë

Por kjo deklaratë e bërë dje nga ambasadori holandez në Tiranë, Reinout Vos, vjen pas asaj të bërë këtë të martë. Diplomati Vos ka reagoi në rrjetet sociale, pak pas mbajtjes së konferencës ndërqeveritare Shqipëri-BE, ndërsa theksoi se forcimi i shtetit ligjor, mbrojtja e të drejtave themelore dhe garantimi i një demokracie pluraliste, lufta ndaj korrupsionit, pavarësia e drejtësisë, mbeten në themel të vlerave evropiane dhe ndikojnë drejtpërdrejt në ritmin e negociatave të Shqipërisë me BE-në.

“Me rastin e Konferencës Ndërqeveritare me Shqipërinë të sotme në Bruksel, Ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, Z. Reinout Vos, deklaron: Arritja e standardeve të ndërmjetme në Grupin “Bazat” shënon një hap të rëndësishëm në procesin e pranimit të Shqipërisë në BE. I përgëzoj të gjithë qytetarët e Shqipërisë, si dhe ata në politikë, administratë publike dhe gjyqësor që kanë kontribuar në këtë arritje me përkushtim të madh. Shqipëria është pjesë e familjes evropiane. Kjo është arsyeja pse Holanda e mbështet fuqimisht pranimin e saj në Bashkimin Evropian. Një sundim i fortë i ligjit, mbrojtja e të drejtave themelore dhe një demokraci pluraliste janë në thelb të vlerave evropiane. Prandaj, progresi në fushën “Bazat” përcakton ritmin e rrugës së Shqipërisë drejt BE-së. Arritja e standardeve të ndërmjetme përbën kështu pikën e fillimit për hapat e mëtejshëm të Shqipërisë për të forcuar sundimin e ligjit.

Miratimi i IBAR shpreh pritjen dhe inkurajimin tonë të qartë për të vazhduar reformat, për të siguruar zbatimin e tyre të qëndrueshëm në praktikë dhe për të forcuar institucionet përgjegjëse. Respekti për pavarësinë e gjyqësorit dhe përpjekjet e pakufizuara kundër korrupsionit, përfshirë rastet e nivelit të lartë, janë parakushte të panegociueshme për përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Kjo gjithashtu përfshin sigurimin që vendimet për heqjen e imunitetit të merren në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Shtetet anëtare të BE-së i kanë ankoruar këto pritje shumë qartë në Qëndrimin e tyre të Përbashkët si parakushte për përfundimin e negociatave. Ashtu si institucionet e BE-së dhe shtetet e tjera anëtare të BE-së, Holanda do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet e mëtejshme dhe të mbështesë përpjekjet për reforma”, shkroi ambasadori holandez, Reinout Vos.