10 Maji 2024

Gazetari Baton Haxhiu u thirr dje në SPAK, ku u mor në pyetje për gati dy orë. Pasi doli nga SPAK, ai nuk tregoi se për çfarë ishte pyetur. Madje u deklaroi se nuk kishte pasur asnjë fletëthirrje ndaj tij dhe se kishte hyrë për të intervistuar njërin prej hetuesve. “Shkova të intervistoj njërin prej hetuesve. U thashë që kam hyrë për të intervistuar. Nuk ka lidhje me fletëthirrje kjo”, u shpreh Haxhiu.

Por sipas Vox News Baton Haxhiu është marrë në pyetje për një vilë që ai ia ka blerë ish-presidentit dhe aktualisht kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Bëhet fjalë për një vilë në zonën e plazhit të Golemit në Kavajë i njohur për resortet, hotelet dhe vilat luksoze. Brenda Prokurorisë së Posaçme, Baton Haxhiu prit nga oficeri M. B. që ishte në vartësi nga prokurori Sotir Kllapi. Dhe është pikërisht prokurori Kllapi, ai i cili ka në dorë dosjen e Ilir Metës. Siç është raportuar deri tani, Meta hetohet për aferën CEZ-DIA, paratë e fshehura të lobimit në SHBA dhe fshehje të pasurisë. Pyetja e Baton Haxhiut në lidhje me vilën në Golem që ia ka blerë Ilir Metës, ka dalë disa kohë më parë edhe nga përplasja që gazetari Mero Baze ka patur “online” me Tedi Blushin. Ky i fundit e ka akuzuar atëherë Baton Haxhiun se është i gatshëm të shesë gjysmën e Kosovës për një vilë në Palasë, ndërsa Baze i kishte kujtuar vilën e Ilir Metës në Golem, ku ka jetuar Haxhiu.

Drejtësia e re nis të hetojë çetën e analistëve

Nëse ky informacion është i vërtetë, atëherë SPAK mesa duket i është future hetimeve të çetës së analistëve që japin pretenca në darkë në banaqet televizive. Këta rrogëtarë, rezultojnë pronarë vilash në bregdet dhe Tiranë, kanë pallate, makina luksoze, biznese të dyshimta, kanë përfituar para publike përmes familjarëve dhe kompanive guacka, leje ndërtimi dhe licenca, dalin nëpër dosje të SPAK dhe përgjime, bëjnë emisione dhe sondazhe me porosi, shfaqen si sekserë nëpër zyra shteti dhe mejhane, pastrojnë para, numërojnë zarfe etj.

Baton Haxhiu është akuzuar shpesh se ka përfituar para të dyshimta nga lidhjet e tij me pushtetin.

Madje disa ditë më parë, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj akuzoi indirekt Baton Haxhiun se kishte kërkuar para për të bërë sondazhe me porosi, thua se sondazhet janë këmisha dhe pantallona. “E di ai tjetri çfarë ka kërkuar për sondazhe që nuk i bën dhe faturon shifra të panevojshme. Dhe kur nuk e duan në Kosovë, në Shqipëri e shofin akoma me përbuzje. Dhe prandaj Tirana vlerësohet edhe në Kosovë. Se njerëzit më të poshtër që ata i kanë përzënë, nuk qasen në Bashkinë e Tiranës dhe nuk kanë pikë aksesi”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës. Analisti hodhi poshtë këtë pretendim, ndërsa akuzoi Veliajn se është maja e një sistemi korrupsioni. “Në fakt, vizita e tij në SPAK dhe përfolja e shtuar publike e rasteve të korrupsionit brenda bashkisë është vetëm maja e ‘iceberg’-ut e një sistemi të frikshëm të vjedhjes sistematike, shkëmbimit të shërbimeve për interesave të ngushta dhe dhënies së favoreve ekonomike në këmbim të mbështetjes ekonomike të udhëhequr nga Erion Veliaj”, thuhet ndër rreshta në përgjigjen e Baton Haxhiut. Si Veliaj, ashtu edhe Haxhiu, nuk mbështetën në fakte pretendimet e tyre.

Batoni mori para nga inceneratorët

Baton Haxhiu është në listën e personave kanë marrë para nga inceneratorët. Analisti është paguar me 4400 euro në muaj përmes kompanisë së tij Albania Post.  Faktin që Batoni ka marrë para nga inceneratorët ia ka përmendur edhe Belind Këlliçi në sy. “Ti z. Baton e di shumë mirë që ke marrë para nga inceneratorët. Nuk e di se për çfarë ka marrë para një portal përveç se për të censuruar faktorë opozitarë. Kjo është logjika ime. Ka marrë 8 pagesa, i kanë kaluar lekët, në vlerë 4 milionë Lekë në muaj, nga inceneratorët”, u shpreh Këlliçi. Gjithashtu, publikimi i listës së pagave në vitin 2022,  zbuloi se analisti Baton Haxhiu paguhej me një rrogë rreth 17 mijë euro në muaj nga kompania e një oligarku, gjoja si agjent marketingu.

Lidhjet e tij me serbët

Përflitej gjithmonë, si në Kosovë, por edhe në Shqipëri gjithashtu se Baton Haxhiu është agjent i Beogradit në Tiranë, por asnjëherë nuk ishte vërtetuar kurrë zyrtarisht. Hijet e dyshimit i shtoi pak muaj më parë dhe analisti serb Dushan Janiç i cili tha me siguri të plotë se informacionet për Kosovën, Beogradi zyrtar i ka marr nga Baton Haxhiu. Madje ata citojnë edhe portalin që Baton Haxhiu ka në pronësi në Shqipëri, “Albania Post”, si një portal informimi për serbët se çfarë ndodh me ndikimin e tyre në Kosovë dhe Shqipëri. Analisti flet me siguri dhe më fjalë miqësore duke pranuar se Baton Haxhiu është me një fjalë spiuni i tyre për shqiptarët. “E dua Haxhiun”, është shprehur Janjic me ironi ndërsa komentonte Baton Haxhiun dhe portalin e tij Albanian Post, si një instrument propagandistik në gjuhën shqipe, që sipas tij përcjell politikat dhe planet e Beogradit. “Haxhiu ka qenë gjithmonë lajmëtari i besuar i Beogradit. U kërkoj falje, e dua Haxhiun. Ndonjëherë jap deklarata që të më shohin këta nga Beogradi nëpërmjet Albania Post”, tha ndër të tjera analisti në atë kohë.

Analistë dhe gazetarë

Pra faktet tregojnë se gazetarët e vjetër, që na dalin se janë pronarë të befasishëm vilash e pallatesh, janë nëpër ekrane tok me qeveritarët e korruptuar dhe po aq të egër sa kriminelët. Ndaj, pushteti i katërt nuk ekziston në Shqipëri, sepse është shkrirë me pushtetin autokratik të qeverive dhe të krimit.

Teksa ndalemi te gazetarët e vjetër, gjejmë vend të përmendim një ironi të bërë nga profesori, Ervin Karamuço ndaj Lutfi Dervishit. Ai pretendoi se gazetari i njohur për shkrimet e tij me ngjyra satirike, nuk mund të bëjë moral publik për kolegë e analistë të tjerë, pasi vetë ka 17 rroga dhe tre vila. “Kishte shkruar njëri një shkrim të madh sot dhe na zinte në gojë të gjithëve , që këta parashikojnë fallxhore etj, etj. Kur më vijnë skedat mua. Se ne kemi një shkollë verore për pastrimin e parave se kemi me krimin e organizuar pro me politikën dhe me persona të tretë të lidhur me politikën siç janë edhe këta. 17 rroga ai, tre vila, më bënte mua sot moral publik”, u shpreh pak ditë më parë Karamuço.

Gazeta Sot