Basha takon delegacionin e KiE: Vota e garantuar e qytetarëve për zgjedhje të përgjithshme dhe lokale sa më shpejt

4 shkurt 2020

 Kreu i PD-së, Lulzim Basha priti sot në selinë blu delegacionin e KiE. Me një shënim në facebook, Basha shkruan se Shqipëria e ka jetike mbështetjen nga partnerët, në një kohë që, sipas kreut të opozitës, ndodhet në një krizë të thellë.

Basha thekson se rruga “për daljen nga kriza kalon nga zbatimi i standarteve demokratike europiane”, duke paralajmëruar sërish zgjedhje të parakohshme .

Postimi i plotë:

Gjatë takimit me Presidentin e Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës, Z. Anders Knape, Sekretarin e Përgjithshëm Andreas Kiefer, Presidenten e Dhomës së Rajoneve znj. Ms Gunn Marit HELGESEN, Presidentin e Dhomës së Autoriteteve lokale z. Xavier CADORET, dhe delegacionin që i shoqëronte, ju shpreha mirënjohjen për vëmendjen që ky institucion ka treguar përherë ndaj vendot tonë.

Shqipëria e cila ndodhet në një krizë të thellë politike dhe ekonomike, ku korrupsioni e krimi i lidhur me politikën po gërryen themelet e shoqërisë dhe shqiptarët po largohen çdo ditë, e ka jetike ndihmën dhe mbështetjen e miqve dhe partnerëve tanë.

Rruga për daljen nga kriza kalon nga zbatimi i standarteve demokratike europiane, forcimi i rolit të qytetarëve që nis me garantimin e votës, duke ju dhënë mundësi atyre, që të lirë nga diktati i krimit dhe paratë e korrupsionit, të vendosin për qeverinë e tyre vendore dhe qendrore sa më shpejt.

Gazeta Panorama