21 Mars 2024

Eksperti i aviacionit civil Dritan Goxhaj, në një lidhje me Skype në rubrikën Çështja e Ditës nga Klevin Muka në News24, komentoi faktin se Albcontrol pritet të kthehet në agjenci shtetërore.

Goxhaj theksoi se shteti shqiptar i kishte dhënë Albcontrolit 50 milionë euro borxh. Ai shton se shteti nuk mund t’i japë dot borxh një shoqërie aksionere, e cila nuk ka fitime dhe për rrjedhojë nuk mund ta kthejë borxhin. Për Goxhajn, tentativa për ta kthyer Albcontrolin në agjenci shtetërore është që zyrtarët më të lartë të shtetit, përfshirë kryeministrin Edi Rama apo ministren Belinda Balluku, të mund ta shpëtojnë vetveten.

“Albcontrol do të vazhdojë të funksionojë siç ka funksionuar deri sot, e vetmja gjë që ndryshon është statusi i vet juridik në shtetin shqiptar, nuk do jetë më shoqëri aksionere siç ka qenë deri më sot, por do jetë thjesht entitet publik apo agjenci, si të tjerat që varen nga shteti shqiptar. Asgjë nuk do të ndryshojë në operimin e Albcontrol.

Albcontrol është shoqëri aksionere, por jo fitimprurëse. Një kompanie aksionere nuk i jepet borxh. Kjo, sepse pyetja që shtrohet është sesi kjo shoqëri aksionere do ta shlyejë borxhin, kur nuk ka fitime? 50 milionë eurot nuk i kthehen më shtetit shqiptar. Auditi nesër do të thotë se çfarë u bë me Albcontrol dhe këta para. Po i ndryshohet statusi kompanisë, që ata që kanë hedhur firmën për dhënien e borxhit të shpëtojnë vetveten. Duke e bërë agjenci shtetërore, ka kontroll më të lartë nga shteti. Ka pasur raste, kur zonja Balluku blinte 70 mijë euro tapet, gjë që asnjë lloj agjencie shtetërore tjetër nuk mund ta bëjë”, u shpreh Goxhaj.

Gazeta Panorama