“Ballkani i Hapur” rrezikon të kthehet në një portë shpëtimi për Rusinë. Presidenti i Rusisë Vladimir Putin po përdor çdo mekanizëm për t’ju shpëtuar sanksioneve të Perëndimit dhe rasti ideal është nisma që ka marrë Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ku në takimin e radhës mund të përfshihet edhe Mali i Zi në këtë projekt. Në mbarë Ballkanin, Moska po blen, ose po fiton kontrollin e aseteve strategjike në sektorët kyç si media, siguria, komunikimi dhe financat. Me një Serbi që bashkëpunon kaq hapur politikisht dhe ekonomikisht me agresorin rus, Ballkani i Hapur mund të bëhet kali i Trojës i Putinit në Ballkanin Perëndimor.

Ndërsa në Ukrainë, Bashkimi Evropian po lufton përkrah Volodymyr Zelensky-t, Beogradi, përmes gojës së presidentit Aleksandër Vuçiç, ka shprehur tashmë afërsinë e tij me Moskën, një aleat vendimtar strategjik ekonomik dhe ushtarak. Jo luftës kundër rusëve, jo sanksioneve.  Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka deklaruar ditën e djeshme se ka rënë dakord për një kontratë trevjeçare për furnizimin me gaz në një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin.

“Nuk mund të flas për çmimin tani, të gjitha detajet do të merren vesh me Gazprom”, u tha Vuçiç gazetarëve. Teksa kontrata 10-vjeçare e furnizimit me gaz të Serbisë skadon më 31 maj, Vuçiç tha se me Putinin ka diskutuar edhe për zgjerimin e hapësirës së depozitimit të gazit në vendin e tij.  Të dy liderët diskutuan gjithashtu çështjen e Ukrainës dhe Kosovës, ku mësohet Putini i ka dhënë mbështetje Serbisë në luftën ndaj Kosovës. “Palët vazhduan shkëmbimin e mendimeve për një sërë çështjesh ndërkombëtare: situatën në Ukrainë dhe zhvillimet rreth Kosovës”, thuhet në një deklaratë të zyrës së shtypit të Kremlinit. Të dy presidentët riafirmuan “vendosjen e tyre reciproke për të forcuar vazhdimisht partneritetin strategjik Rusi-Serbi bazuar në lidhjet tradicionale të popujve të të dy vendeve”, thuhet në deklaratë. Presidenti rus do të përdorë çdo mekanizëm për të shpëtuar nga sanksionet e Perëndimit

Serbia dominon tregtinë në “Ballkanin e Hapur”

Rasti ideal i Putinit për të kontrolluar Ballkanin e Hapur është se Serbia dominon tregtinë midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në këmbimet tregtare midis tre vendeve dominon Serbia si ekonomi më e madhe, me më shumë banorë por edhe me një strukturë industriale solide të trashëguar nga ish shteti jugosllav dhe me më shumë fabrika të avancuara në përpunimin e pemë-perimeve apo prodhimin e ushqimit, me avantazh në teknologjinë informatike, e kështu me radhë. Maqedonia e Veriut ka një eksport prej 223 milionë euro në Serbi dhe import prej Serbie prej 558 milionë euro në vitin 2020, që nënkupton se Serbia shet tre herë më shumë mallra dhe prodhime në Maqedoni se anasjelltas, tregojnë të dhënat e Entit për Statistika. Maqedonia në Serbi hekur dhe çelik, prodhime të hekurit, prodhime farmaceutike, plehra mineral, plastmase, pemë dhe perime etj. Nga Serbia importojnë makineri dhe pajisje elektrike, hekur dhe çelik, makineri, dhe prodhime të shumta të industrisë ushqimore përfshi edhe grurë dhe miell. Njëherësh analizat tregojnë se këmbimi tregtar midis Serbisë dhe Shqipërisë është rritur 70 për qind nga viti 2016 deri në vitin 2020, ndërsa në Shqipëri po punojnë mbi 1000 firma nga Serbia së bashku me partnerët nga Shqipëria. Vlera e eksportit serb në Shqipëri ishte 156.2 milionë euro, përderisa Shqipëria ka eksportuar gati katër herë më pak mallra në Serbi apo ka eksportuar një vlerë prej 45,3 milionë euro në vitin e kaluar. Përgjatë 2020-ës, prodhimet më të rëndësishme që janë shitur nga Serbia në Shqipëri kanë qenë mbetjet e hekurit dhe çelikut, misri, pijet jo alkoolike, energjia elektrike dhe gruri. Në eksportet shqiptare drejt Serbisë prodhimet më të rëndësishme janë domatet, trangujt dhe specat e freskëta, çimentoja dhe çeliku i betonit.

Gazeta Sot