Rama po pastron paratë e drogës dhe krimit me lojërat e fatit. –

“Prej disa vitesh biznesi fitimprurës i lojërave të fatit nuk paguan TVSH-në prej 20 për qind, edhe pse të gjithë e paguajmë për ujin që pijmë dhe bukën që hamë.”

Nga Koço Kokëdhima.

Rilindja po i bën sërish favore fiskale biznesit multimilioner të lojërave të fatit, edhe pse ai ka më pak kosto e risqe se sa artikujt e përdorimit të përditshëm. Ato po përdoren si lavatriçe për paratë e drogës dhe të korrupsionit prandajë edhe gëzojnë këtë lulëzim e mbështetje. Paketa e re fiskale që është në duart e deputetëve propozon një ulje tjetër në barrën fiskale të kësaj industrie.

Projektligji “Për Disa Shtesa dhe Ndryshime në Ligjin mbi të Ardhurat Personale” që si për ironi është prezantuar nga qeveria si favorizim për “biznesin e vogël”, parashikon që përveç ndryshimit të tatimit mbi fitimin neto të biznesit të vogël, zëri “e ardhur bruto” nga lojërat e fatit, të mos jetë xhiroja e kompanive, por fitimet bruto që dalin pasi nga të ardhurat zbriten shpenzimet për pagesën e biletave fituese.

Prej disa vitesh biznesi fitimprurës i lojërave të fatit nuk paguan TVSH-në prej 20 për qind, edhe pse të gjithë e paguajmë për ujin që pijmë dhe bukën që hamë, por taksohet me tatimin mbi xhiron prej 15 për qind. Rilindja, prej gati 5 vitesh, përmes forcës së policisë në terren dhe kartonëve në kuvend, ka bërë gjithçka që industria që po shkatërron jetën dhe ekonominë e mijëra e mijëra shqiptarëve të kthehet në një monopol në duart e disa njerëzve të besuar të qeverisë dhe të ketë përfitimet maksimale ligjore dhe fiskale.

Edhe pse me aksionin e dalëboje “Fundi i marrëzisë” Rilindja pretendoi se do ta shuante industrinë vrasëse të bixhozit, pas 5 vitesh ajo e ka shtrirë veprimtarinë e vet pranë çdo shtëpie dhe në vend llogariten mbi 3 mijë pika bastesh. Me forcën e kartonëve në kuvend, pas propozimit të 6 deputetëve të majtë që lobuan për të favorizuar këtë industri, dy vite më parë, Kuvendi shtyu zbatimin e nenit që parashikonte rrallimin e pikave të basteve duke mos lejuar hapjen e tyre në një distancë më të vogël se sa 100 metra nga njëra-tjetra. Ky favorizim i mbështetur nga qeveria e Ramës do të skadojë në fund të vitit dhe qeveria me paketën e re fiskale, po kujdeset që kësaj industrie të së keqes të mos i preket asnjë qindarkë nga paratë që u rrëmbehen shqiptarëve, përkundrazi.

Zgjidhja u bën thirrje deputetëve që të dalin nga rreshtimi politik dhe të mos vijojnë të bëhen pjesë e kësaj maskarade ligjore që i shton fitimet indistrisë së bixhozit dhe kryetarëve të partive. Ajo u bën thirrje veçanërisht anëtarëve të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë që të studiojnë me kujdes relacionin e Ministrisë së Financave që shoqëron projektligjin për lojërat e fatit, duke treguar edhe pasojat financiare mbi buxhetin e shtetit, përveç rrjepjes së shqiptarëve.

Gazeta Koha e Jone