7 Tetor 2022

“Tetori i Librit” po vijon me aktivitete të ndryshme, por për autorë dhe studiues problemet që has libri dhe bibliotekat nuk janë të pakta. Studiuesi Agim Janina thotë se tek ne ka ende ka libra, që shiten si plaçka të vjetra. Me kritika ndaj institucioneve në vend që merren me librin, studiuesi Agim Janina thotë se libri shpreh identitetin kulturor të një kombi.

“Libri është një lloj pasaporte, që shpreh identitetin kulturor të një kombi. Ka qenë një shpikje e jashtëzakonshme e Gutenbergut, që solli përhapjen e tij dhe të kulturës, që të shkojnë brez pas brezi. Por librat në Shqipëri ka ende që shiten si plaçka të vjetra. Këmbanat po ushtojnë vajtueshëm”, shprehet Janina. Këtë “Tetor të Librit”, studiuesi i artit Agim Janina shprehet dhe për gjendjen Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Vonesa për të marrë librin që të duhet apo dhe kushtet e leximit janë disa nga problemet që shpreh Janina.

“Në Shqipëri ne nuk kemi ende një Bibliotekë Kombëtare me kushtet optimale, me hapësirat dhe shërbimet e duhura. Tek ne po të shkosh në Bibliotekën Kombëtare për të marrë një libër ose një revistë, me ato labirinte atje sa të gjendet librin vonohet shumë. Në Bibliotekën Kombëtare nuk janë kushte leximi. Janë të rrallë ata studiues, që shkojnë të shfrytëzojnë fondin e jashtëzakonshëm”, vijon Janina. Studiuesi thotë se problem është dhe rënia e lexuesve. Janina kërkon që propaganda për vlerën e librit të bëhet çdo ditë. “Libri nuk bëhet me fushatë. Ne e shikojmë që kemi një bjerrje të madhe të lexuesve, kanë humbur me mijëra lexues.

Nëse libri dikur botohej me 10 mijë kopje dhe nuk e gjeje në librari, sot 500 kopje dhe mbe stok, nuk shitet. Propagandën që duhet futur për të lexuar librin nuk e shikoj të bëhet. Dashuria për librin nuk bëhet me fushata, propagandë për librin duhet të jetë çdo ditë”, thotë studiuesi Agim Janina.

Librat të jenë në një vend

Studiuesi Agim Janina shprehet se librat që janë në fondin e bibliotekës nuk duhet të jenë në dy godina të ndryshme. Sipas tij, të gjithë librat duhet të kenë një vend për lexuesit. “Ndarja e Bibliotekës Kombëtare në dy pjesë, biblioteka e Pallatit të Kulturës dhe ajo te Ura e Tabakëve është sërish një handikap i madh, sepse biblioteka duhet të jetë një dhe librat të vendosura në një vend”, thotë ai. Problem për Agim Janinën është dhe fotokopja, që bëhet për librat apo materialet e tjera në bibliotekë.

Sipas tij, nëse nuk krijohen kushtet si duhet për këtë ndodh që mund të ketë dëmtime të fondeve. “Unë kam dashur që të marr materiale nga gazetat e kohës, që ishin në format të madh dhe printeri në bibliotekë ishte shumë i vogël. Kushtet në të cilat ruhet libri është problem. Kryesorja është që ne na duhet një Bibliotekë Kombëtare, Tirana e ka të domosdoshme. Një bibliotekë, ku mënyra se si të serviret dhe të shërbehet libri të jetë në kushtet më optimale për ta parë”, thotë studiuesi.

Për atë çfarë po ndodh me librin në vend studiuesi Janina i kërkon Ministrisë së Kulturës që ka në varësi Bibliotekën Kombëtare dhe institucione të tjera të librit, q që të bëjë më shumë. “Këto probleme me bibliotekën dhe librat duhet ti shikojë qeveria, Ministria e Kulturës”, thotë Janina. Edhe studiues e autorë të tjerë më parë janë shprehur për problemet me librin dhe bibliotekat në vend, ku sipas tyre nga institucionet duhet bërë më shumë.

Gazeta Sot