22 Tetor 2026

Eurodeputeti gjerman, Michael Gahler, zëdhënës për politikën e jashtme i Grupit të Partisë Popullore Evropiane (PPE) në Parlamentin Evropian, ka ngritur shqetësimin për lidhjet mes shtetit, partisë në pushtet dhe krimit të organizuar në Shqipëri, duke e lidhur këtë problematikë me protestat e qytetarëve kundër korrupsionit dhe qeverisë. Në një reagim në rrjetin social X, Gahler, i cili ka drejtuar delegacionin e vëzhguesve të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, shprehet se i ka dëshmuar vetë këto lidhje dhe se pakënaqësia e qytetarëve është një problem që prek drejtpërdrejt perspektivën evropiane të vendit.

“Duke drejtuar delegacionin e vëzhguesve të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian (PE), kam dëshmuar lidhjet mes shtetit, partisë në pushtet dhe krimit të organizuar. Kam parë se prej sa kohësh qytetarët protestojnë kundër korrupsionit dhe qeverisë, duke ngritur shqetësime që prekin thelbin e perspektivës së integrimit evropian të Shqipërisë”, deklaron eurodeputeti gjerman.

Protestat në Shqipëri, Kovatchev: Zërat e të rinjve duhet të dëgjohen, dhuna është e papranueshme

Ndërkohë edhe raportuesi i Partisë Popullore Evropiane (PPE) për Shqipërinë, Andrey Kovatchev, ka reaguar për protestat e studentëve në Tiranë, duke kërkuar që zëri i të rinjve të dëgjohet dhe shqetësimet e tyre të merren seriozisht. Kovatchev thekson se të rinjtë shqiptarë kërkojnë më shumë se premtime, duke vënë në qendër të kërkesave të tyre llogaridhënien, fundin e korrupsionit dhe një të ardhme evropiane.

“Të rinjtë e Shqipërisë kërkojnë më shumë se premtime: ata duan llogaridhënie, fundin e korrupsionit dhe një të ardhme evropiane të ndërtuar mbi demokracinë dhe shtetin e së drejtës”, shprehet ai. Raportuesi i PPE-së kërkon gjithashtu mbrojtjen e së drejtës së të rinjve për të kundërshtuar paqësisht pushtetin. “Zërat e tyre duhet të dëgjohen, shqetësimet e tyre të merren seriozisht dhe e drejta e tyre për të kundërshtuar në mënyrë paqësore ata që janë në pushtet duhet të mbrohet”, thekson Kovatchev.

PPE për protestat në Shqipëri: E drejta për protestë duhet të respektohet, hetim përdorimit të forcës

Ndërakq, edhe Partia Popullore Europiane (PPE) ka reaguar lidhur me protestat në Shqipëri, duke theksuar se e drejta për protestë paqësore duhet të respektohet plotësisht dhe se çdo pretendim për përdorim të tepruar të forcës duhet të hetohet tërësisht. Në reagimin e saj, PPE nënvizon se organet e zbatimit të ligjit duhet të veprojnë në çdo rast në mënyrë proporcionale, ndërsa tensionet aktuale në vend duhet të trajtohen përmes dialogut, uljes së tensioneve dhe angazhimit demokratik.

Partia Popullore Europiane thekson gjithashtu se e ardhmja e Shqipërisë qëndron në një rrugë demokratike, të begatë dhe evropiane, me një qeveri llogaridhënëse, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. E drejta për protestë paqësore duhet të respektohet plotësisht dhe çdo pretendim për përdorim të tepruar të forcës duhet të hetohet tërësisht, ndërsa organet e zbatimit të ligjit duhet të veprojnë në çdo rast në mënyrë proporcionale.

Tensionet aktuale duhet të trajtohen përmes dialogut, uljes së tensioneve dhe angazhimit demokratik. E ardhmja e Shqipërisë qëndron në një rrugë demokratike, të begatë dhe evropiane, me një qeveri llogaridhënëse, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe një të ardhme me mundësi në vend”, thuhet në reagimin e PPE.

Eurodeputeti austriak “shuplakë” Ramës: Të protestosh është pro europiane! Të qëllosh me gaz, ujë e burgosësh të mitur nuk është

Sakaq edhe një tjetër eurodeputet i Parlamentit Europian ka reaguar i indinjuar ndaj dhunës së policisë me urdhër të kryeministrit Edi Rama, ndaj protestuesve. Jo vetëm kaq, Eurodeputeti austriak, Thomas Waitz, ka hedhur poshtë dhe e ka quajtur të pavërtetë deklaratën e kryeministrit Rama nëpër mediat ndërkombëtare, se protestat po dëmtojnë integrimin e Shqipërisë drejt BE-së. Në fakt nuk janë protestat që po pengojnë integrimin europian. Në një reagim në “Facebook”, Eurodeputeti austriak, Thomas Waitz, pjesë e grupit të të Gjelbërve evropianë thotë se të protestosh për institucione që janë të afta dhe vullnetmirë për të luftuar korrupsionin, është pro europiane.

“Më lër të sqarohem. Të protestosh për institucione që janë të afta dhe vullnetmirë për të luftuar korrupsionin është pro europiane. Të protestosh për edukimin e duhur është pro europiane.Dhe të protestosh për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore është pro europiane.Pas 13 viteve në qeveri, Edi Rama u thotë protestuesve se janë në duar të huaja. Se ai nuk do i lejojë arsim falas dhe bursa. Ai po i qëllon me gaz e ujë dhe po burgos minore. Dhe kjo absolutisht nuk është në linjë me vlerat europiane.

Ne të gjithë duam të shohim Shqipërinë në BE si një shtet që respekton të drejtat e njeriut, si një shtet ku sundon ligji, mbron natyrën, dëgjon qytetarët e vet dhe të drejtën për të demonstruar. Ky është rrugëtimi drejt BE-së dhe shpresojmë që Shqipëria të bëhet gati”  thotë ai në videomesazhin e postuar në rrjete sociale. Eurodeputeti austriak ka titulluar videomesazhin  ‘Shqipëria nuk është në shitje’, duke i bërë tag kryeministrit Edi Rama. Tregues se ai si eurodeputet po mbështet protestat e shqiptarëve që janë europiane, ndërsa Rama po kryen veprime antieuropiane”, shkruan ai.

Skenari i Ramës

Por ndërsa shqetësimet për lidhjet e pushtetit me krimin e organizuar janë ngritur në nivelin e Parlamentit Evropian, në terrenin e protestave në Tiranë po denoncohet një tjetër skemë, përdorimi i civilëve të maskuar për të depërtuar mes të rinjve dhe për të goditur revoltën nga brenda. Mediat transmetuan pamje të një grupi personash të maskuar që dilnin nga godina e Ministrisë së Brendshme dhe më pas shpërndaheshin mes protestuesve, duke u shtirur si pjesë e tyre.

Sipas informacioneve të bëra publike, mes tyre ka punonjës të administratës publike dhe individë me precedentë kriminalë, të cilët dyshohet se përdoren për të zbuluar organizimin e të rinjve dhe për t’i sulmuar pas shpine. Kjo është akuza që rëndon mbi mënyrën se si po përballohet protesta. Krahas forcave të policisë, të cilat kanë qenë në vijën e parë të përplasjeve, denoncohet edhe aktivizimi i civilëve jashtë strukturave zyrtare, të cilët lëvizin mes turmës për të krijuar përçarje, për të ushtruar presion dhe për të neutralizuar protestuesit.

Sipas informacioneve, disa prej tyre janë identifikuar dhe filmuar nga të rinjtë. Në raste të tjera, këta persona pretendohet se kanë kaluar nga infiltrimi te kërcënimet e drejtpërdrejta, ndërsa u kanë ofruar protestuesve para dhe vende pune në këmbim të largimit nga protesta.

Rama kërkon të shuajë revoltën me frikë, para dhe kërcënime

Përdorimi i civilëve të maskuar, sipas denoncimeve, është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të frenuar revoltën kundër qeverisë. Krahas presionit në rrugë, të rinjtë përballen me kërcënime për humbjen e vendeve të punës, përjashtimin nga shkolla dhe kufizimin e lëvizjes së lirë. Në të njëjtën kohë, propaganda qeveritare përpiqet ta zhvendosë debatin nga kërkesat e protestuesve te pretendimet për agjentë të huaj, Antifa dhe skenarë të tjerë që nuk lidhen me thelbin e revoltës.

Në këtë mënyrë, në vend që të përballet me kërkesën politike për dorëheqje, pushteti akuzohet se po përpiqet të krijojë frikë, të blejë bindjen e një pjese të protestuesve dhe të fusë përçarje brenda lëvizjes. Denoncimi për civilët e maskuar merr një rëndësi të veçantë edhe për shkak të pretendimeve se një pjesë e tyre janë individë me lidhje kriminale, të cilët kanë vepruar të mbrojtur nga pushteti në këmbim të mbështetjes politike. Këto akuza kërkojnë hetim nga organet kompetente, ndërsa mosveprimi i institucioneve përballë pamjeve dhe denoncimeve shton pikëpyetjet mbi përgjegjësinë për atë që po ndodh në rrugët e kryeqytetit.

Terrori policor nuk e ndal kërkesën për largimin e kryeministrit

Në qendër të protestës mbetet kërkesa për dorëheqjen e Edi Ramës. Përdorimi i policisë, presioni ndaj studentëve dhe denoncimet për infiltrimin e civilëve nuk kanë ndryshuar thelbin e kauzës, por kanë shtuar akuzat për një pushtet që po përpiqet të mbijetojë përmes frikës dhe përplasjes me qytetarët. Përballë kësaj situate, paralajmërimi politik është se ashpërsimi i dhunës nuk garanton shpëtimin e qeverisë, por rrit rrezikun e një përshkallëzimi të konfliktit shoqëror.

Ata që ushtrojnë dhunë, ata që përdoren për të goditur protestuesit dhe ata që e justifikojnë atë mbajnë përgjegjësi për pasojat e veprimeve të tyre. Ndërsa Michael Gahler ngre shqetësimin për lidhjet mes shtetit, partisë në pushtet dhe krimit të organizuar, denoncimet nga terreni për civilët e maskuar e zhvendosin vëmendjen te mënyra se si po përpiqet qeveria të përballojë revoltën. Për protestuesit, përgjigjja mbetet e njëjtë: largimi i Edi Ramës nga pushteti.