11 Shtator 2026

Rreth 20 banorë të fshatrave të zonës naftëmbajtëse Patos-Marinzë janë ngujuar në ambientet e zyrave të kompanisë “Bankers Petroleum”, në shenjë proteste për problematikën e qirave të tokave, çmimin e të cilave kompania e ka përgjysmuar.

Banorët kanë deklaruar se do të qëndrojnë në zyrat e kompanisë përgjatë gjithë natës, deri në momentin që Bankers të marrë një vendim për t’i takuar me një përfaqësues.

Sipas banorëve, kërkesa e tyre është që kompania të marrë përgjegjësi dhe të japë një zgjidhje konkrete për qiratë.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme ata e zhvendosën protestën pranë zonës ku kryhet punimi dhe hollimi i naftës.

Banorët kërkojnë që të mos ulet vlera e qirasë së tokave të tyre të marra në përdorim nga Bankers, e cila ka vendosur t’i paguaj nga 400 mijë në 200 mijë lekë për dynym në vit.