Rama kerkon ferrin per shqiptaret.- 6 ORË FERRI NË TIRANË! Molotov, fishekzjarre, bomba, gaz e plumba gome në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në sheshin “Skënderbej”

Edi Rama
25 Tetor 2026
Përplasje, incidente dhe dëme të mëdha janë regjistruar sot në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në sheshin “Skënderbej” gjatë protestës së 12-të në Tiranë, e cila nisi në sheshin para Ministrisë së Arsimit, aty ku u shënuan dhe shkëndijat e para të asaj që do të ndodhte në gjashtë orët në vijim.
Protestuesit kanë hedhur bomba molotov, fishekzjarre dhe gurë ndaj policisë, teksa gjatë këtyre përplasjeve raportohet se një efektiv policie ka marrë flakë, ndërsa kolegët e tij kanë ndërhyrë për t’i shuar flakët dhe për t’i ardhur në ndihmë.
Protestuesit hodhën shishe me benzinë në drejtim të Ministrisë së Bujqësisë dhe Bashkisë së Tiranë duke marrë flakë hyrjet kryesore të institucioneve, por që u vunë nën kontroll nga zjarrfikësit.
Përplasja vijoi për më shumë se tri orë pasditen e sotme në sheshin “Skënderbej”, ku protestues të rinj e të maskuar, disa nga të cilët ishin të pajisur me shkopinj dhe gurë, u përplasën me efektivët e policisë.
Këta të fundit iu kundërpërgjigjën akteve të protestuesve me ujë dhe gaz lotësjellës.
Lëndët piroteknike shkaktuan disa vatra zjarri në shesh.
Po ashtu, gjatë këtyre përplasjeve protestuesit hodhën edhe një mori fishekzjarresh dhe lëndë piroteknike ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit.
Përdorimi i molotovëve nga protestuesit dhe gazit lotsjellës nga policia ka shoqëruar përplasjet në disa zona të kryeqytetit, ndërsa forcat e Policisë ishin të angazhuara për menaxhimin e situatës.
Përplasjet gjatë protestës në Tiranë vijuan edhe pranë Parlamentit, ku protestuesit e grumbulluar në rrugën “George Ë. Bush” hodhën një breshëri fishekzjarresh dhe molotovësh në drejtim të forcave të Policisë.
Protestuesit përdorën edhe lazerë për të shpërqendruar efektivët, ndërsa Policia nuk i lejoi ata t’i afroheshin godinës së Parlamentit.
Protestuesit ishin të ndarë në disa grupe që lëviznin në zona të ndryshme të kryeqytetit. Gjatë protestës, ata u vunë zjarrin disa kazanëve mbeturinash dhe më pas i zhvendosën në mes të rrugës, duke penguar qarkullimin.
Nga ana tjetër, efektivët e Policisë përdorën gaz lotsjellës në përpjekje për të menaxhuar situatën.
Tensionet vijojnë në disa zona të Tiranës, ndërsa protestuesit vazhdojnë lëvizjet në grupe dhe përplasjet me forcat e rendit.
Protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike në drejtim të selisë së Partisë Socialiste, ku është grumbulluar një numër i madh personash.
Situata është shoqëruar me tensione dhe përplasje, ndërsa Policia ka përdorur gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë protestuesit dhe për të menaxhuar situatën.
Aktet e dhunës gjatë protestës në Tiranë kanë vijuar edhe në zona të tjera të kryeqytetit, ku protestuesit i kanë vënë flakën një kioske pranë Bankës së Shqipërisë, ngjitur me një stacion autobusi.
Ndërkohë, protestuesit janë shpërndarë në disa rrugë të Tiranës, ku kanë djegur kosha mbeturinash dhe kanë hedhur fishekzjarre duke shënuar kështu edhe përplasjen e fundit për këtë mbrëmje mes protestuesve dhe policisë.
Incidente janë regjistruar edhe në Rrugën e Durrësit, ku disa kosha mbeturinash janë përfshirë nga flakët, ndërsa janë hedhur një numër i madh fishekzjarresh.
Sakaq, pas kësaj shpërndarjeje nisi dhe një operacion i gjerë shoqërimesh dhe arrestimesh të protestuesve.
