19 Janar 2026

Prokuroria e Posaçme (SPAK) pritet të hedhë hapin vendimtar në dy dosje të rënda që përfshijnë emra të rëndësishëm të mazhorancës. Burime bëjnë me dije se janë duke u finalizuar hetimet e dosjeve për deputetin e Partisë Socialiste, Ceno Klosi dhe ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu, të konsideruar si njerëz të afërt dhe të besuar të Belinda Ballukut, të cilët dyshohen për korrupsion, shpërdorim detyre dhe abuzime me tendera milionë eurosh. Hetimet kanë hyrë në fazë të avancuar dhe burime konfirmojnë se dosjet janë gati për ekzekutim, ndërsa dy zyrtarët rrezikojnë masa të rënda penale, përfshirë edhe burgun.

Hetimet për Ceno Klosi

Ceno Klosi po hetohet nga SPAK për veprat penale të “korrupsionit”, “shpërdorimit të detyrës”, “mashtrimit” dhe “falsifikimit të dokumenteve”. Prokuroria e Posaçme ka konfirmuar më parë se hetimet ndaj Ceno Klosit u regjistruan mbi bazën e dy kallëzimeve të bëra nga Partia Demokratike. “Mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar nga grupi parlamentar i subjektit politik Partia Demokratike, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.259/2023 datë 13.12.2023, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike ”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimi””, njoftoi prokuroria. Vitin e kaluar ai ka dëshmuar në SPAK për rreth një orë. Gjithashtu disa javë më parë, drejtësia konfirmoi se po heton një tjetër dosje që sipas informacioneve lidhet me një skemë të dyshuar të një grupi të strukturuar kriminal, nën drejtimin e Belinda Ballukut dhe Ceno Klosit, të cilat përmes kompanive të tyre private akuzohen se kanë zhvatur fondet publike, pasi rezultojnë përfituesit kryesorë të tenderave që jepnin institucionet që të kallëzuarit drejtonin.

Hetimet për Pirro Vengun

Në vitin 2019, Pirro Vengu u emërua si drejtor i Portit të Durrës, detyrë të cilën e mbajti deri në korrik të vitit 2024, kur u emërua si ministër i Mbrojtjes, detyrë të cilën e mban edhe sot e kësaj dite, por jo për shumë kohë. Për shkak të këtyre detyrave, tepër të rëndësishme në Shqipëri, partnerët ndërkombëtarë  dhe SPAK e kanë pikasur dhe e kanë dokumentuar të gjithë veprimtarinë e tij që. Në këto detyra, Vengu dyshohet se ka lejuar veprimtari të paligjshme, madje gjatë “mbretërimit” të tij në Portin e Durrësit, ka lulëzuar trafiku i kokainës.

Gjithashtu Pirro Vengu, është në qendër të hetimeve të SPAK për mënyrën se si u menaxhua kontrata e operimit të terminalit të kontenierëve në Portin e Durrësit. Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ndërhyrë disa kohë më parë, duke sekuestruar dokumentacion dhe pajisje, ndërsa aksioni i urdhëruar nga SPAK synon të verifikojë rolin e Vengut kur ishte drejtor i APD gjatë nënshkrimit të kontratës. Ngarkim-shkarkimi i kontenierëve të mallrave është një nga bizneset më të mëdha në Portin e Durrësit.

Në vitin 2013, qeveria e atëhershme e Partisë Demokratike e konçesionoi shërbimin tek kompania turke Kurum. Por për shkak se turqit nuk respektuan kontratën, në fund të vitit 2017, ish ministri i atëhershëm i Infrastrukturës Damian Gjiknuri e anuloi koncesionin. Në vitin 2021, Autoriteti Portual e privatizoi sërish shërbimin, këtë herë përmes një koncesioni të fshehë. Përmes një tenderi, APD e kaloi shërbimin e operimit të terminalit të kontenierëve tek një kompani private nga Malta e quajtur Hili Limited, e cila krijoi për këtë qëllim shoqërinë Mariner Adriatic. Sipas kontratës, kompania do të kryente për një periudhë 5 vjeçare shërbimin e ngarkim-shkarkimit të kontenierëve dhe në këmbim Autoriteti Portual do t’i paguante asaj një shifër prej 31 milionë eurosh. Zyrtari që nënshkroi kontratën ishte Pirro Vengu.

Dyshime për abuzim

Në dokumentet e tenderit për dhënien tek privati të shërbimit të kontenierëve, Autoriteti Portual kishte vendosur si detyrim se kompania fituese duhet të siguronte me fondet e veta, një sërë pajisjesh të domosdoshme për kryerjen e shërbimit, përfshirë 3 vinça të tonazhit të lartë, 6 reach stakera dhe 2 lefterakë. Por pas zhvillimit të tenderit dhe shpalljes fituese të Hili Limited, kushtet dyshohet se u ndryshuan dhe kostot e blerjes së pajisjeve ju ngarkuan Autoritetit Portual duke favorizuar  kompaninë malteze, pasi të vetmet asetet që ajo duhet të sillte iu ngarkuan publikut.

Terminali i kontenierëve është një nga koncesionet më fitimprurëse të Portit. Vitin e kaluar, Mariner fitoi 1.2 milionë euro pas taksave, ndërkohë që regjistroi një xhiro prej gati 10 milionë eurosh. Praktikisht kontrata e operimit të kontenierëve privatizoi të gjithë fitimin e Portit të Durrësit, i cili tashmë ka vështirësi financiare. Kontrata mes Autoritetit Portual dhe kompanisë ka përfunduar zyrtarisht.

Edhe pse ajo lejonte opsionin e shtyrjes me 20 për qind, Autoriteti Portual dhe ministria e Infrastrukturës nuk kanë pranuar ta zgjasin, për shkak se kanë ndier presionin e hetimeve të SPAK. Kallëzimi penal për tenderin e menaxhimit të kontenierëve në Portin e Durrësit është bërë disa vite më parë nga deputeti demokrat Gazment Bardhi. Hetimet kanë hyrë në një fazë të avancuar dhe thuhet se është drejt fundit. Më parë, hetuesit e SPAK kishin marrë në pyetje anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të këtij tenderi. Çështja e pajisjeve është thelbi i hetimeve të SPAK dhe në fokusin e prokurorëve është roli i Pirro Vengut, i cili sipas burimeve, ndodhet në një pozitë jo fort komode në raport me hetimet.

Nga: Gazeta Sot